Drejtuesit e Ministrisë së Kulturës “gëzohen”, sepse do të sigurohen më shumë… fonde

704
Sigal

Komiteti i “Europa Nostra”  cilësojnë Amfiteatrin e Durrësit, si më të rrezikuarin  për t’u shkatërruar  në Europë, ndërsa…

Para disa ditësh, në një kongres të institucioneve europiane që merren me trashëgiminë kulturore të Europës, “Europa Nostra” bëri publike cilësimin e 7 monumenteve të Trashëgimisë Kulturore, të cilat rrezikohen me shkatërrimin e plotë të tyre. Dhe në vendin e parë, si më i rrezikuari, u cilësua Amfiteatri i Durrësit. U interesuam te drejtuesit e Ministrisë së Kulturës, kontaktuam edhe me ministrin Visar Zhiti dhe jemi në pritje të prononcimit të tij. Ndërkohë, biseduam edhe me zotin  Arbër Kadia, drejtor i Trashëgimisë Kulturore, si edhe me zotin Roland Olli, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkeologjisë. Zoti Arbër Kadia u shpreh për “Telegraf”, se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse nuk është alarm, por është një aplikim  i “Europa Nostra”, e cila e bën  për të marrë sa më shumë fonde. Madje, siç na pohoi vetë zoti Arbër Kadia, ne, si shtet e qeveri, duhet të jemi shumë të qetë  madje, edhe të gëzuar – që Amfiteatri i Durrësit cilësohet si më i rrezikuari për t’u shkatërruar, sepse kështu, do të sigurohen më shumë fonde nga ….Europa, për t’i investuar në Shqipëri.

Arbër Kadia, drejtori Trashëgimisë Kulturore

“Sa më i rrezikuar të cilësohet Amfiteatri i Durrësit, më shumë fonde do ta na japin europianët”

– Zoti Kadia e prisnit që Amfiteatri i Durrësit të cilësohet nga një organizëm kulturor ndërkombëtar, si  monumenti  i Trashëgimisë kulturore më i rrezikuari në Europë?

– Pse, është cilësuar?

– Pse nuk e dini?

– Unë nuk e di që është shpallur. Unë e di që është bërë aplikimi.

– Para dy ditësh, Amfiteatri i Durrësit u cilësua si monumenti më i rrezikuar, nga kongresi i “Europa Nostra”. Nuk jeni informuar?

– Shumë mirë, do marrë fund njëherë e mirë.

– Si do të marrë fund, njëherë e mirë? Do të shkatërrohet fare, apo do ta restaurojmë?

– Jo, jo, ajo  që thuhet (për Amfiteatrin e Durrësit),  është pjesë e programit europian.

–  Shqetësimi se rrezikohet Amfiteatri i Durrësit, është alarm, d.m.th, është drejt zhdukjes.  Si ta kuptojmë këtë që thoni ju, që është bërë në kuadër të programeve europiane?

– Nuk është kështu, siç e thoni, apo siç e keni kuptuar ju. Ju thashë, është pjesë e programit europian. Aplikimi që ka bërë “Europa Nostra” është që të marrë sa më shumë fonde. Por për amfiteatrin probleme janë lagështia, ndërtimet pa leje nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, etj., këto të gjitha janë problemet e amfiteatrit.

– Doni të thoni, që Amfiteatri i Durrësit rrezikohet nga ndërtimet pa leje të kryetarit të Bashkisë?

– Jo, jo, dëgjo, dëgjo. Ju e keni kuptuar mirë se çfarë është thënë në atë raport?

– Kuptova që amfiteatri është  monumenti kulturor më i rrezikuari në Europë. Ndaj edhe kërkoj prononcimin tuaj, për të kuptuar bashkërisht, se çfarë do të thotë më shumë “Europa Nostra”.

– Atëherë, edhe një herë. Monumentet e Kulturës, të hapura në natyrë, në gjithë botën, janë të ekspozuara në shumë elementë natyrorë, të cilët  janë më dëmtues. Durrësi është një vendi ku kanë ndodhur dy fatkeqësi të mëdha natyrore. Kjo që po ndodh tani, bëhet që “Europa Nostra” të marrë shumë fonde.

– Vlerësimi juaj për amfiteatrin, a përputhet me alarmin për rrezikun e madh që i kanoset amfiteatrit të Durrësit, apo zhurma bëhet thjeshtë që “Europa Nostra” të marrë sa më shumë fonde?

– Gjendja në amfiteatrin e Durrësit, e parë nga përbërja e strukturës së saj është shumë solide dhe është një nga monumentet më të forta që kemi ne. Por shqetësim është çështja e lagështirës që vjen nga poshtë (nëntoka) dhe aty është një mozaik. Mozaiku është prekur nga lagështia, po qe se e keni parasysh. Këtu është një pjesë që e ka bërë shqetësuese kjo “Europa Nostra”. Është edhe një çështje tjetër, që janë disa ndërtime pa leje aty pranë.  Qeveria shqiptare ka bërë shpronësimin e atyre. Nga qeveria shqiptare janë dhënë fonde për të bërë restaurime aty. Restaurime janë bërë, janë bërë edhe konsolidime, është rritur edhe virtueshmëria, etj., etj.. Aplikimi që ka bërë kjo shoqata për amfiteatrin e Durrësit,  është bashkë me  aplikimet që është bërë në gjithë Europën nga disa shoqata të tjera. Këto bëhen që të sigurohen sa më shumë fonde që ato të bëjnë për restaurimin e këtyre monumenteve.

– Domethënë, nga këto që ju na thoni, të jemi të qetë për shkak se nuk ka rrezik zhdukje, por zhurma bëhet për  të siguruar sa më shumë fonde?

– Shko shikoje vetë amfiteatrin. Kjo që po ndodh është çështje aplikimi dhe kjo (Europa Nostra) ka fituar. Duke qenë se ka nevojë për vëmendje, fondet që do të përfitojë nga BE-ja dhe nga institucione të tjera, bën që të shtohen më shumë shanset, që ne të fitojmë sa më shumë fonde. Nuk është gjë e keqe.

– Më qartë, që të kuptohemi. Nuk është çështje alarmi. Gjithë kjo zhurmë bëhet në të mirën tonë, që të përfitojmë më shumë fonde. Kështu?

– Ajo ka një problematikë, që ne duhet ta zgjidhnim, kjo është marrë parasysh.

– Cila është problematika?

– Ta thashë, atje, te Amfiteatri i Durrësit, rreziku që i kanoset nga faktorë natyrorë, që janë lagështia. Kështu, në qoftë se do bëhet një master-plan më i detajuar.

– Ky master-plan është bërë, apo do të sigurohen më parë fondet?

– Natyrisht, që do bëhen duke ecur paralelisht, sepse Trashëgimia Kulturore që ka Shqipëria dhe gjitha bota, është një shkencë që  është në evoluim e sipër.

– Ju, si Drejtori i Trashëgimisë, a shqetësoheni nga alarmi që dha “Europa Nostra” për amfiteatrin e Durrësit?

– Unë nuk shqetësohem për arsyen e thjeshtë, sepse, kjo ka qenë një aplikim individual dhe ka patur edhe monumente të tjera që janë shuar  për nga Shqipëria. Amfiteatri i Durrësit është me vlerë goxha të madhe. Ky aplikim është bërë për të marrë fonde të tjera.