Dragobia e historisë dhe e bukurisë

3391
Sigal

Riza Çelaj

Pasi lemë qytetin e Bajram Currit, kalojmë në fshatin Margegaj, Urën e Shtrejtë, ecim majtas grykës së lumit Valbona e sikur dëgjon këngë, histori dhe, pse jo edhe lavdi të këtyre malësorëvë të thjeshtë, trima e bujarë. Një lapidar në krah të majtë të rrugës. Bashkëmoshatari na sqaron: “´Është fshati Klysyrë, këtu me 12 maj 1942 u krijua ceta e parë në Tropojë“. Sipas gojdhënave këtu janë Lugjet e Verdha ku kanë zhvilluar betejat kreshnikët Muji e Halili. Në këto beteja ka vdekur Omeri, djali i Mujës dhe varri është monoment historie që vizitohet nga shume turistë. Edhe Ajkuna këtu ka qarë e vajtuar të birin, duke lëshuar mallkimin e madh: “Kurrë mos këndoftë qyqja në këto anë!”. E ashtu ka ndodhur. Nga Klysyra e deri mbi Dragobi në Motine, aty ku vdiq Omeri nuk këndon asnjëhere qyqja. Një bukuri e rrallë të shfaqet para syve pyje në të majtë e të djathtë, rruga e asfaltuar dhe përmes luginës rrjedh e qetë Valbona, lumi që dallohet për kthjelltesinë e tij. Pas disa çasteve udhëtimi të shfaqet fshati Dragobi. Këtu ka shumë bukuri natyrore, por ka edhe histori që të bëjnë krenar. Në qendër të fshatit një pllakë përkujtimore. Në të lexojmë emrat e 21 burrave të Dragobisë që në korrik 1944 u morën forcërisht u dërguan në kampin e përqendrimit në Prishtinë.

Të gjithë nuk jetojnë më, përveç Musli Ramës i cili sot është 93 vjeç. Ai kujton: “Erdhën gjermanët në fshat e morën 21 burra mes të cilëve ishte edhe babai im Ram Ademi. Unë vrapova pas babait e më morën edhe mua”. Në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç. Ai rrefen torturat 3 mujore në kamp. Në pllakë lexojmë emrat e Zeqir Haxhisë, Sadri Isufit, Man Dules, Ali Manit, Halil Hysenit etj. Në këtë fshat janë strehuar shumë trima e luftëtarë kryesish nga Kosova; si Shota e Azem Galica, Isa Buletini, këtu është strehuar edhe Bajram Curri. Për 6 muaj rrjesht banorët e Dragobisë e kanë mbajtur me rroba e ushqime dhe me armatim. Të gjithë e mbanin e asnjë nuk tregonte për vendndodhjen e tij, por Met Alia është burri që i ka qëndruar më afër nga të gjithë. Po kështu i vellai Dul Alia ka qenë bashkëluftëtar i Bajram Currit. Dragobia ka një histori 400 vjeçare. Në Dragobi nga 50 shtëpi që kishte fshati 33 shtëpi kanë qenë kulla 3-katëshe, e rrallë për Tropojën, me frëngji lufte me të huajt, tregojnë se tre herë në vit u binte shkau (serbi) e këto kulla u kthyen shpeshherë në llogore lufte. Disa kulla ruhen edhe sot. Nga Dragobia janë 30 vetë që u rreshtuan ne Brigadën e 25-të Sulmuese nga këto janë gjallë; Hysen Ademi (Ismalaj), Musli Rama (Metaliaj). Këtu janë 17 shtëpi baza të Luftës, ka dëshmorë të Lidhjes Prizrenit- 8 veta, dëshmorë të LANÇ-3 vetë. Dragobia është e përbërë nga tre lagje Metaliaj, Sokolaj dhe Ismalaj. Ku çdo lagje ka histori të shumta. Në lagjen Metaliaj ndjen kenaqësi kur takon Adem Zeqir Metaliaj një burrë 78-vjeçar. Në Dragobi jeton me bashkëshorten Nushën. Ka 7 fëmijë 4 djem dhe 3 vajza te gjithë me shkollë. Nga këta, 5 kanë emigruar në Angli, Itali e Francë. Ndërsa Astriti e Dafina banojnë në Bajram Curri. Astrit Metaliaj krenohet me prindërit e tij, por një kenaqësi të veçantë ndjen për gjyshin Zeqir Haxhinë, një ndër burrat që ishte në kampin e Prishtinës. Këto histori i ka mësuar nga baba Ademi dhe mixha Bardhi që ka jetuar së bashku 75 vite, duke ruajtur dhe trashguar vlerat e një familjeje të madhe. Dhe këto histori ua ka mësuar Astriti edhe femijëve vajzës Eneida e djalit Keidis. Ai i merr shpesh e del në Dragobi, u tregon për 21 burrat që u torturuan në kampin e Prishtinës, për gjyshin e tij. E fëmijët kënaqen e krenohen me këto histori. Pjesë e kësaj njohje bëhet edhe nusja e Astritit, Rajmonda Metaliaj mësuese në shkollën “Besëlidhja e Malësisë” në Bajram Curri.

Është i njohur fakti që Bajram Curri luftoi e ra heroikisht në Dragobi, më 29 mars 1925. E Noli i madh në elegjinë për të shkruan:

Div dragoi i Dragobisë

Trim Tribun i vegjelisë

Ai sot është Hero i Popullit. Me veprën e tij mburret gjithë Shqipëria, por Dragobia ka një krenari të veçantë. Shpesh herë kam degjuar vargjet e një kënge popullore:

Haj medet po ban malsia

Si na u vra ky Ram Sadria

Djalë trim nga Dragobia.

Kam pyetur dhe kam mësuar për të. Ram Sadria ka qenë partizan në Brigadën e 25-të Sulmuese, pas çlirimit ka punuar si komandat i postave kufitare ne Lugun e Zi e më vonë në fshatin Çerm ku bie heroikisht, në korrik 1953, në Qafë të Vranicës në ruajtjen e kufirit. Ai sot është Hero i Popullit.

Artistët që nderojnë fshatin e Dragobisë

Dragobia një fshat i vogël por me histori të madhe ka nxjerrë këngëtarë, valltarë, skulptorë, lahutarë të degjuar, blegtorë e bujq që dinë të punojnë e prodhojnë të mira materiale që çdo kush do t´ua kishte zili.

Nga këto anë është Fatime Sokoli, çika e Dragobisë siç e thotë edhe në këngë:

Jam nje çikë nga Dragobia

Hije m´ka n´dorë çiftelia

Vet e gdhenda me dru mani

N´derë të shpellës bacë Bajramit.

Ajo nuk jeton më, por kënga e saj jeton. Zëri i saj në sa e sa festivale flet shumë si artiste e merituar, mjeshtre e madhe, dekorata presidenciale e Presidentit të Kosovës e bëjnë të pa vdëkshme artisten Fatime Sokolin. Jo vetem Fatimja, por edhe Riza Zymeri e i biri Agimi vazdojnë traditen e këngës me çifteli. Si lahutar i degjuar mbahet edhe Adem Zeqiri. I bie e i këndon lahutës që ka ç´të këndojë për Dragobinë. Është e njohur për Dragobinë që më 1957 dy vajza në moshën 14 vjeçe kanë kërcye vallen e Tropojës në Moskë. Ato janë Zade Zymerja e Nafie Uka. Këtyre valltareve u shtohet Deli Metaliaj, Kastriot Sokoli, Bajram Metaliaj. Deli Metaliaj ka 53 vite në skenë, ka mbaruar studimet e larta për koreografi, mban titullin “Mjeshtër i madh”.

Në Dragobi turizmi po e thotë fjalen e vet. Jane tre familje qe merren me turizëm Januz Metaliaj, Feriz Xhemajli, Fatjon Rushiti, Florant Metaliaj. Vizitorët në Dragobi kënaqen kur vizitojnë, pasi janë të shumta monomentet natyrore si: Arra e Dragobisë, Bliri i Dragobisë, Shpella e Dragobisë, Shpella e Haxhisë, Akullnaja e Motinës, meshtekna, vende karstike, ujëvara dhe peizazhe të mahnitshme që ke dëshirë gjithnjë të rikthehesh për ti vizituar. Agronomi Sadri Metaliaj mbahet mend për kutivimin e kumbullës tropojane në gjithë rrethin e Tropojës e ajo sot kultivohet edhe në Dragobi. Ka ndertues të suksesshëm si Artan e Artur Metaliaj që me punën e tyre kanë bërë emër jo vetëm në Tropojë, po edhe më gjerë. Skulptori Imer Metaliaj jeton e punon në Lezhë, por dora dhe mendja e tij punoi gjithmonë për origjinën e tij, Dragobinë. Tufat me dele e dhi të Dragobisë dallojnë për produktet blektorale. Në fshat do të njihesh me dy barinj: Avdyl Dudin e Arf Kadrinë.

Intelektualët

Nga Dragobia ka shume intelektualë që shkëlqyen me punën e tyre. Të tillë janë: Astrit Metaliaj, Kreshik Sokolaj, Dorjan Ismalaj, Tazhgim Sokolaj, Ramiz Metaliaj, Asim Metaliaj, Syl Ismalaj, Aferdita Sokoli, Eglantina Metaliaj, Ilir Metaliaj, Gezim Metaliaj, Arlind Metaliaj,Ladimir Demiraj, Ali Metaliaj, Fatbardh Sokolaj, Syl Ismalaj, Prizren Metaliaj etj., lista e tyre pasurohet çdo dite me emra të tij e të suksesshëm në punën e tyre. Astrit Ademi është mësues kimie e biologjie në Tropojë. Është ndër mësuesit e talentuar në rreth, por edhe një studiues i kujdesshëm. Kohët e fundit ka botuar dy libra me titull: “´Bimët mjekësore në Tropojë” për herë të parë për Tropojën dhe “Biodiversiteti, vlera dhe rëndësia e tij”. Sado të shkruash për Dragobinë e njerëzit e saj diçka mbetet pa thënë. Është një fshat me histori të vjetër e të re, e reja pasurohet çdo ditë nga njerëzit e mirë të Dragobisë.