Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Gaqo Avrazi, gjenerali artist i ansamblit të ushtrisë

1703
Çdo fushë e prodhimit material e shpirtëror të shoqërisë, si dhe çdo strukturë në fushën ushtarake përfaqësohet me personalitete të rangjeve të ndryshme, duke formuar plejadën e strategëve, të reformatorëve dhe gjeneralëve. Këtu nuk mund të lihet pa përmendur edhe organizatori, kompozitori dhe dirigjenti i muzikës, i këngës ushtarake shqiptare dhe i valleve popullore, gjenerali i Ansamblit të Ushtrisë Shqiptare dhe Kombëtare, Gaqo Avrazi. Një formacion gjigand, kompleks dhe luftarak, siç ishte Ansambli i Ushtrisë, u lind e u lartësua me emrin, autoritetin dhe kontributet e tij të veçanta. 
Që kur ishte 15 vjeç, Gaqo Avrazi u bë i njohur në veprimtaritë artistike të qytetit të tij. Ai ëndërronte të studionte në një shkollë jashtë vendit, por ambicia e tij dilte jashtë mundësive ekonomike, ndaj i duhej të radhitej mes punëtorëve të artizanatit korçar, ku mes tyre do të gjente edhe këngën. Shoqëritë “Agroni” e “Rinia korçare”, si dhe një orkestër që ngriti mësuesi i parë i tij, kompozitori Kristo Kono, i mundësuan atij njohjen e teorisë së muzikës. Kështu nisën këngët e para si “Mulliri”, “Për Mëmëdhenë”, “Marsejeza” etj., melodi patriotike që, për t’iu ruajtur censurës, mësoheshin në shtëpitë përdhese, pas mureve të larta ose bodrumeve të thella dhe shfaqeshin në veprimtaritë antifashiste. Për këtë arsye, në vitin 1941 Gaqo Avrazi u burgos. Këtu filloi edhe lidhja e tij me lëvizjen mbarëpopullore antifashiste. Pasi hyri në radhët partizane u thirr nga udhëheqës të luftës e të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh-së për t’iu përveshur ngritjes së një “Brigade Sulmuese Shpirtërore”, për të frymëzuar me atdhetari e shpirt luftarak brigadat e vërteta luftarake. Kështu, këngëtari, kompozitori dhe dirigjenti diletant, plot pasion e talent të rrallë, ngriti korin e parë të ushtrisë antifashiste (Mokërr, në vitin 1943). Kori përfaqësonte trupin e parë artistik të ushtrisë, mbi të cilin do të rritej Ansambli i ardhshëm i Ushtrisë, për të shkuar nga 31 partizanë e partizane në rreth 300 artistë të punësuar, të aktivizuar pas çlirimit. Si fillim, për dekor shërbeu një parashutë, ndërsa si orkestër një kitare. Vit pas viti, ansambli u pajis me mjete artistike moderne, por tashmë për dekor do të kishte sallat luksoze të qyteteve të mëdha, brenda e jashtë Shqipërisë. Në kujtimet “Ditë të paharruara”, Gaqua shkruan: “Në Opar dhamë koncertin e parë, e kështu me radhë në Gorë, Mokër, Lozhan, Korçë, Berat, Tiranë e deri thellë në Prizren. Këngët ngritën peshë popullin, partizanët, të rinjtë që vraponin për në mal, si luftëtarë të lirisë. Kështu, edhe kënga e godiste armikun me plumba”. Krahas këngës, lindi teatri dhe, hap pas hapi, në vitin 1950 shtohet orkestra simfonike, si dhe grupi i valleve, për të arritur tek Ansambli madhështor i Ushtrisë. Atë arritje e inicionte, e nxiste, e organizonte dhe e “komandonte” strategu i saj Gaqo Avrazi. Në atë kohë ansambli do të jehonte në të gjithë Shqipërinë. Ai nuk i përkiste si dikur malit dhe partizanëve, por një populli dhe ushtrie artdashëse të mbarë Shqipërisë së çliruar. Ansambli i Ushtrisë dhe dirigjenti i tij arritën nivele aq të larta, sa ai konkurronte dhe rivalizonte ansamblet e tjera prestigjioze të vendit. Atëherë, pak e nga pak, Gaqua ngjiti shkallët e gradimit kolonel, për t’u quajtur “gjenerali i këngës”.
Ansambli i Ushtrisë dhe Gaqo Avrazi janë binjakët e një shkolle të madhe edukimi, formimi dhe kualifikimi profesional i dhjetëra e dhjetëra punonjësve krijues të atij institucioni dhe gjithë institucioneve të tjera të jetës civile. Nën drejtimin e Gaqo Avrazit nisën karrierën, u profilizuan dhe u afirmuan talentet dhe mjeshtërit e artit e të kulturës, të muzikës, të valles e të këngës shqiptare në mbarë vendin e në Kosovë. Njëlloj si bijtë e popullit, që në ushtri merrnin dëftesën e pjekurisë, pas mbarimit të shërbimit ushtarak, në ushtrinë e artistëve, me liderin Avrazi morën udhën e ngadhënjimit kompozitorët e rinj, si Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Kozma Laro etj., por edhe këngëtarët virtuozë Avni Mula, Mentor Xhemali, Gaqo Çako, Hysen Pelingu, Ibrahim Tukiqi, Nevruz Yzeiri etj., këngëtaret e nderuara Pavlina Nikaj, Naile Vathi etj., si dhe baletmaestrat Gëzim Kaceli e Adriatik Metuli, kërcimtarë virtuozë, që kaluan nëpër duart e vështrimin ngulmues të Gaqos, të profesorit dhe kujdestarit, i cili i udhëhoqi në beteja artistike.
Ja si e shpreh dashurinë, respektin dhe mirënjohjen, për gjithçka ansambli dhe Gaqo Avrazi dhanë për artistët, kompozitorët dhe dirigjentët e Shqipërisë, Gaqo Çako, i cili shkoi në konservator në Moskë me ndërmjetësinë e tij: “E ç’mund të kishte bërë më tepër, babai im?!”. Ndërsa Artisti i Popullit, Avni Mula, thotë: “Ky Ansambël ishte universiteti im i parë muzikor, dhe jam krenar që kam pasur një mësues të shquar si Gaqo Avrazi. Ai s’ishte vetëm drejtues e dirigjent i shquar, por edhe një mësues i tillë”. Artistë dhe personalitete pasardhës, nxënës dhe bashkëpunëtorë të Gaqos, njëzëri pohojnë se, “Nën drejtimin virtuoz të Gaqo Avrazit, Ansambli i Ushtrisë u bë i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe në ato shtete ku mundi të shkojë në kohën e vet”. Arritjet e Ansambli madhështor Ushtarak, si ai shqiptar, dhe pikat kulmore të një personaliteti ushtarak në fushën artistike, si Gaqo Avrazi, përveç popullit të tij i vlerësoi edhe bota. Në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Berlin, në vitin 1951, Ansambli ynë meritoi çmimin e dytë, kurse në Bukuresht, në vitin 1953 fitoi çmimin e tretë. Të mahnitshme ishin edhe koncertet madhështore në Kinë. Në Hanxhou bënte shumë nxehtë. Ansambli ushtarak çek ishte larguar për arsye të nxehtësisë. Gaqo Avrazi nuk zgjodhi të njëjtën rrugë. Ai u vuri copa akulli mbi shpinë anëtarëve dhe shfaqja u dha me sukses. Në Vietnam ansambli përballoi nxehtësinë dhe luftën. Gjatë një shfaqjeje në stadium, me 20 mijë spektatorë, nisi një shi i pandërprerë. Njerëzit largoheshin dhe u dha shenja që të ndërpritej koncerti, por Gaqua nuk e ndali shfaqjen dhe spektatorët u kthyen në stadium. Ndërkohë, u dha një shfaqje në një zonë ku bëhej luftë. Vendasit u çuditën dhe thanë: “Veç jush, nuk e ka bërë ndokush tjetër”. Në Moskë shfaqja u dha në sallën “Çajkovski” dhe koncerti u mbyll me finalen e operës “Ivan Suzanjin”. Deri atëherë, asnjë kor burrash nuk kishte guxuar të jepte një koncert të tillë. Ndërkaq, në hollin e teatrit priste personaliteti i madh rus Aleksandrov. Krejt i befasuar, ai takoi Gaqo Avrazin dhe i shprehu përshtypjet më të larta: “Si është e mundur që një kor kaq i vogël të arrijë një nivel kaq të lartë? Kemi ç’të mësojmë nga ju. Me një ansambël të tillë unë mund të shëtis gjithë botën”. Dhe koncerti i ushtarakëve shqiptarë, me një dirigjent si gjenerali dinjitoz, u shënua në Librin e Artë të Teatrit “Çajkovski”. Ja pra se në çfarë piedestalesh e lartësoi Ansamblin e Ushtrisë shqiptare Gaqo Avrazi, i cili sfidonte gjithçka dhe kudo. Ambicioz, ai triumfonte dhe e ngrinte lart dinjitetin e një kombi e të një ushtrie.
Gaqo Avrazi ishte energjik, shpërthyes, i rreptë, i prerë për disiplinë ushtarake dhe artistike. Ai i ngjante një strategu që pa këto virtyte nuk mund të mbante nën drejtim një ushtri artistësh dhe të komandonte në beteja. Për temperamentin e tij të paepur e të përpiktë, për t’u shkuar deri në fund e me lavdi koncerteve të Ansamblit të Ushtrisë, kompozitori Tonin Harapi shprehet: “Te Gaqua dallohej ndryshimi rrënjësor i dirigjentit nga ai interpretues. Kur ngjitej në pult, ai ishte i tëri në lëvizje, duke krijuar një atmosferë elektrizuese. Njëherë u ngjit në pult me një çiban tepër të acaruar në qafë. Ai nuk pushoi, siç i rekomanduan, por dirigjoi si ngaherë e me tërë qenien. Pas koncertit, ne u habitëm. Jaka e xhaketës ishte përgjakur. Gjatë një koncerti, një anëtar u aksidentua dhe, sapo e çuan në spital ai dha shpirt. Në një çast ndërprerje të shfaqjes, ngjau ajo që i habiti spektatorët. Ansambli me dirigjentin e madh, kapedanin e pakrahasueshëm të asaj fushe, qanin dhe këndonin këngën e Asim Zenelit. Ndërkaq, edhe të pranishmit lotonin. Prandaj Gaqo Avrazin do ta kujtojmë gjithmonë, me atë shpërthim total të emocioneve të tij të pashtershme në pultin e dirigjentit, që elektrizonte trupën dhe sallën e dëgjuesve”. Vepra e Gaqo Avrazit, e barasvlershme me atë të personaliteteve të spikatura të gjeneralitetit shqiptar, meriton një studim kompleks, si një rast i rrallë në fushën shqiptare.
Sigal