Dr.Prof. Pirro Miso/ Skandali i Kumbaros me Festivalin e Gjirokastrës

573
E konsideruar si ngjarja më kulmore e trashëgimisë kulturore muzikore që zhvillohet një herë në katër ose pesë vjet, FFK i Gjirokastrës vlerësohet për më tepër për synimin themelor që mbart në ruajtjen e vlerave autentike si dhe për mënyrën e zhvillimeve e përvijimeve të mëtejshme të kësaj trashëgimie muzikore mijëravjeçare. Rezultatet e këtij organizimi madhorë, ku vihen në shërbim të tij fonde pa rezervë të taksapaguesve shqiptarë, varen kryesisht nga mënyra konceptuale e drejtimeve themelore shkencore e organizative që administrohen kryesisht nga institucionet shkencore të trashëgimisë kulturore si IAKSA, pranë QSA, Ministrisë së Kulturës si dhe pjesëmarrjes së Akademisë së Shkencave. Ajo që duhet të theksohet fuqishëm qëndron në faktin themelorë se edhe këtë radhë organizimin e këtij eventi madhorë e rrëmbyen përsëri sharlatanët e instituteve studimore, që janë edhe jashtë profileve të fushave përkatëse si ai i IAKSA, pranë QSA, ashtu si edhe ata të M. së Kulturës të cilët, që të dy këto institucione, mbajnë edhe përgjegjësinë themelore të rezultateve të këtij zhvillimi. Edhe këtë radhë paraqitja e këtij organizimi degjeneroi edhe më thellë kulturën tradicionale muzikore, përfshirë në këtë kontekst edhe festivalet rajonale të cilat pa dyshim e reflektuan këtë edhe në eventin më madhorë Kombëtarë të Gjirokastrës.
“Platforma shkencore”, e hartuar vetëm në pak faqe u paraqit me një ngarkesë të tejskajshme me mbroçkulla, që edhe nga pikëpamja drejtshkrimore nuk i falen një institucioni të tillë shkencorë. Tek kjo pseudo platformë, gjen me shumicë këshilla kontradiktore ku shkruhen rreshta si ky i paragrafit të tretë të fq. 2 : ” -Të shmangen vlera tashmë të promovuara dhe të synohen krijime të panjohura, pak të njohura ose të sjella si trashëgimi e brezave në festivalet e zhvilluara shumë kohë përpara, për të ndjekur ecurinë e tyre. Në mënyrë të veçantë të gjurmohen vlerat etnofolklorike qytetare të shtresimeve më të hershme”, kur dihet nga çdo njeri i zakonshëm se shtresëzimet qytetare, ndaj atyre tradicionale, janë më të vona madje, jo më shumë se tre shekuj. Në një paragraf tjetër, shkruhet edhe një frazë që jo vetëm nuk plotëson as edhe një rresht të vetëm por na mëson se: “- Në festival pranohen lloje të ndryshme folklorike”. Për formacionet instrumentale popullore në këtë platformë i jepet bartësve një këshillë, “vërtetë me vlerë” se, u dashka që këto formacione “të kenë në përbërjen e tyre vegla popullore, të cilat kanë shoqëruar tradicionalisht vallet, këngët apo meloditë fshatare dhe qytetare”, kur dihet tashmë edhe nga një admirues i thjeshtë i këngës qytetare se këngët dhe vallet qytetare, asnjëherë, historikisht, nuk janë shoqëruar me instrumentet popullorë tradicionalë por vetëm me ato të importuar, etj. etj.. Në këtë platformë këto mbroçkulla i gjen pothuajse në çdo rresht të saj.
Para organizimit të FFKtë GJ-ës, punonjësit e Ministrisë së Kulturës, të sa po ardhur në karriget ministrore, mendoj se duhet të konsultoheshin paraprakisht me përmbajtjen e këtij termi shkencorë për të mësuar qëllimin themelorë të një festivali rajonal e kombëtar folklorik, para se këta të pranonin nga IAKSA pranë QSA një shkresë zyrtare prej tre faqesh, një “platformë” apo e ashtuquajtur “Kriteret Shkencore”, në përmbajtjen e së cilës nuk përmendet e argumentohet as edhe një kriter i vetëm shkencor etnomuzikorë rreth boshtit themelor të këtij eventi madhor. Ishte domosdoshmëri që këta aktorë të rishikonin paraprakisht e të konsultoheshin me ekspertët edhe për statutin e festivalit, një material i pa ndryshuar edhe ky i ardhur nga e kaluara.
Qëllimi themelor
Që të bëhet i qartë paraprakisht se cili është qëllimi themelor i një festivali rajonal apo kombëtar, së pari, i referohemi termit enciklopedik që ndodhet në FESH (“Fjalor Enciklopedik Shqiptar”) 1, ed. II-të, Tiranë, 2008, fq. 665) i cili përcakton edhe qëllimin kryesorë të një Festivali Folklorik. Termi fokusohet kryesisht në fushën e muzikës tradicionale duke dhënë që në fillim përmbajtjen themelore të këtij termi si: “……këngëtarët….”, pra, pjesëmarrjen e zërit të njeriut, i klasifikuar edhe si instrumenti më i përsosur dhe më i lashtë i species njerëzore ”…..valltarët, instrumentistët të moshave dhe profesioneve të ndryshme me krijime autentike”. Vetëm në fund të hartimit të këtij termi enciklopedikë theksohet se, këta bartës duhet të jenë: “…. dhe me veshje kombëtare sipas krahinave”. Mund të lexohej edhe në Wikipedia për qëllimin që mbart një festival folklorik. Pra, e ritheksojmë se, kostumet popullore, asnjëherë nuk kanë qenë e nuk mund të jenë qëllimi themelor i organizimit të festivaleve por muzika tradicionale, jo siç siç theksohet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës ku kostumeve popullore i u dha përparësia kryesore madje duke organizuar biseda e tavolina të posaçme për to edhe pse me kostumet nuk krye as edhe një masë konkrete. Atëherë, para se të analizojmë se si u konceptua e u organizua FFK i Gj-ës e shoh të arsyeshme paraprakisht të ndajmë me lexuesin disa informacione se si janë konceptuar festivalet rajonale nga profesionistët e mirëfilltë, madje edhe ai kombëtar, që kulmohej rrjedhimisht nga ato rajonalet e që finalizonte pikërisht rezultatet me pozitive të traditës në eventin më madhorë. 
Tradita dhe qëllimi i mirëfilltë i organizimeve të Festivaleve Folklorike Kombëtare në retrospektivë
Festivalet lokale, madje ato kombëtare e kanë zanafillën e tyre në vitet 1946-47 ku organizimi i tyre deri në vitin 1960, pikërisht atëherë kur u themelua Instituti i Folklorit, organizoheshin në mënyrë spontane, me ato mundësi financiare që kishte vendi mbas rrënimeve të pasluftës. Në vitin 1968 festivalet filluan të organizoheshin rregullisht njëherë në pesë vjet duke u mbështetur në festivalet rajonale që zhvilloheshin jo rrallë në të gjithë territorin e vendit. Me formimin e Instituteve shkencore, siç ishte ai i Folklorit i themeluar ne vitin 1960, Festivalet Folklorike u konsideruan me të drejtë si ngjarjet më të rëndësishme të trashëgimisë autentike muzikore të cilat me mijëra vjet kanë ruajtur identitetin kombëtar, veçoritë kulturore e psikologjike të shqiptarëve që banojnë në trojet aktuale si dhe jashtë saj. 
Rreth platformave ose kritereve shkencore si orientuese themelore të FF Rajonalë dhe Kombëtare
Duke qenë përsëri në retrospektivë rreth organizimeve të festivaleve folklorike lokale e kombëtare, theksojmë se, platformat e tyre, ose e thënë ndryshe, kriteret shkencore, u hartuan nga specialistët e mirëfilltë të fushave multidisiplinare në Institutin e Folklorit, më vonë në Institutin e Kulturës Popullore, në periudhën e vartësisë nga Akademia e Shkencave. Në këto platforma, përveç disiplinave të mirëfillta të muzikologjisë dhe etnoorganologjisë që realizoheshin nga specialistët e fushave përkatëse, u integruan edhe disiplina të tjera të kulturës popullore që realizoheshin nga ata, më të njohurit e fushave etnologjike si autoritete akademike, profesorë me një veprimtari të shquar, brenda dhe jashtë vendit e, në platformat komplekse u integruan, përveç kritereve etnomuzikore edhe elementë të tjerë koreografikë e etnografike si: kriteret themelore të vallëzimit popullorë, ritet, paraqitje (sfilata) të mirorganizuara e të klasifikuara të varianteve të veshjeve popullore. E theksojmë se këto organizime u mundësuan vetëm nga specialistët, ekspertë të mirëfilltë e botues integrale të kësaj fushe, autoritete akademike në funksion të boshtit themelor, në qendër të të cilave qëndronte gjithmonë trajtimi i problemeve në fushën e muzikës tradicionale. 
Sigal