Dr. Laurant Bica/ Mbi gjysmë shekulli mjek e pedagog…

713
Sigal

(Një nga duajenët e mjekësisë shqiptare,Profesor Emeritus Doktor Hektor Çoçoli)

E shohim pothuajse përditë, e kemi midis nesh, ashtu pa rënë në sy,me atë thjeshtësinë që e portretizon. Po sa e njohim? Më saktë dua të them se e njohim dhe s’e njohim. Na kalon para syve tanë pa e vënë re,pa e ditur mire se me kë kemi të bëjmë. Sigurisht, kornizat e një shkrimi nuk e nxënë dot jetën e një njeriu që i ka kaluar tashmë shtatë dekadat dhe që ka mbi pesë prej tyre të mbushura me punë në shërbim të njerëzve , të shoqërisë. Themi se e njohim por pak e dimë se ç’përfaqëson ky personalitet i mjekësisë, arsimit dhe shkencës shqiptare; zoti Hektor Çoçoli?

  1. Prejardhja dhe shkollimi

            Rrënjët e fisit të Prof. Dr. Hektor Çoçolit në Gjirokastër të dokumentuara kapin mbi dy shekuj e gjysmë përpara. I pari  i tyre Isufi u mor me tregti dhe i takon vitit 1750. I biri i tij Selfua i lindur më 1790 u bë latifondist i madh tokash. Pastaj në 6-7 breza, deri sa vijmë tek vetë zoti Hektor në fisin e vet në Gjirokastër gjejmë dhe juristë, gjykatës të dëgjuar, siç ishte tradita e vetë qytetit, edhe mjekë e mësues të zotë. Ndërsa tani në kohën tonë dy vëllezërit e Hektorit, Idajeti, më i madhi, u bë profesor i fizikës dhe dha mësim në vite në Universitetin Bujqësor, Bashkimi inxhinier elektrik, ndërsa e motra , Bukuria dhe i shoqi  Eshref  Pumo morën drejtimin e gjeologjisë. Ky i fundit  ka qenë Dekan i Fakultetit të Gjeologjisë dhe një nga personalitetet më në zë në mbarë Shqipërinë. Djali i motrës, Besniku,u bë shef i lëndës së statistikës matematikore në Universitetin e Anzherit në veri të Francës; një mbesë është profesoreshë kimie në Universitetin e Otavës në Kanada dhe një mbesë tjetër, profesoreshë për shkencat inxhinierike në Universitetin e Nju Xhersit në Amerikë.

            Profesor Hektori u lind në Gjirokastër më 20.6.1939. Ende pa i mbushur një apo dy vjet, i ati, Nesheti, me familjen u  zhvendos në Tiranë. Aty ai përfundoi shkollën fillore dhe shtatëvjeçare. Në vitin 1955 mbaroi studimet në Politeknikumin Mjekësor dhe po atë vit hyri në Universitetin e Tiranës, të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1960,duke u diplomuar si mjek i përgjithshëm. Ai kreu më pas në vite të ndryshme kurse specializimi për Ftiziopneumologji brenda dhe jashtë vendit si në Francë,Turqi e gjetkë dhe sot është ndër mjekët më të njohur në këtë specialitet të mjekësisë. Ndonëse jeta e ndau nga Gjirokastra, ai kurrë nuk e harroi qytetin e lindjes. Në vitet ‘50, kur kreu Fakultetin e Mjekësisë, ai pati një shans të madh sepse në shumicë pedagogët ishin specialistë të huaj (rusë) nga më të mirët. Hektori duke qenë një student tepër i zellshëm e sistematik, doli me rezultate të shkëlqyera dhe u bë një mjeshtër i zanatit të vet…

                        2. Mjeku  i   përkushtuar

            a. Në malësitë e Tropojës

            Kur njeriu ende pa kryer shkollën e lartë, apo kur është në vazhdim të saj, sigurisht thur edhe një sërë ëndrrash për të ardhmen e tij. Duke qenë tiranas,ai mendonte se do të emërohej në kryeqytet. Nuk e pati të lehtë, kur i doli emërimi për në veriun ekstrem të Shqipërisë, për në Tropojë,por dhe nuk u dëshpërua. Nuk i kishte as 21 vjeç, kur bashkëmoshatarët e tij mbaronin universitetin 23 vjeç. Hektori kish hyrë 6 vjeç në shkollë, plus të mesmen mjekësore e kishte bërë me një vit më pak se më vonë u bë 4 vjet. Megjithatë, djaloshi i ri, besnik i Urdhrit të Mjekut (Betimit të Hipokratit) nuk u thye. Gjatë viteve 1960-1965 punoi si mjek ftizio-pneumolog në qytetin “Bajram Curri” të rrethit të Tropojës, ku u dallua për përkushtimin me profesionalitet në ndihmë të mbrojtjes të shëndetit të banorëve të asaj treve të largët,jo vetëm në specialitetin e tij, por edhe si mjek i përgjithshëm. Meqenëse, në “Bajram Curri” ai gjeti vetëm një mjek, nevoja e bëri të shërbente edhe si patolog, gjinekolog, pediatër. Në qendrën shëndetësore të atyshme ai gjeti një personel mjekësor të përgatitur dhe të përkushtuar për punën.

            Fillimi është i vështirë për këdo. Aq më tepër të vije ngaTirana dhe pasi të kishe mbaruar një specializim njëvjeçar me Doktor Shefqet Ndroqin. Njohja me malësorin tropojan Ali Mula, që kur shkeli aty, me humorin e tij të veçantë disi ja lehtësoi dhe detyrën e mjekut. “Doktor Hektori,-i thoshte Aliu, kur po e përcillte herën e parë tek autobusi për Tiranë, pas ardhjes në Tropojë,-mos  u mërzit  do të kthehesh shpejt!”(E kish fjalën për Tropojën!?)Doktori i ri s’kishte bërë as dy javë aty. Dhe si “për t’i dhënë kurajo” i thoshte jo pa humor: “Të vështirë do ta kesh vetëm 4-5 vitet e parë, pastaj s’është më problem!?!”…

            Ditët, muajt dhe vitet në vazhdim e bënë doktor Hektorin njeriun më të dashur të asaj treve. Me vrullin djaloshar, pasionin për profesionin dhe dëshirën për të ndihmuar këta njerëz të dashur, por të varfër, nuk la fshat e shtëpi pa hyrë, në dimër e behar, ditën apo natën edhe 12 orë pa pushim. Në një rast, duke udhëtuar natën në dëborë, rrëshqiti nja tre metra poshtë. I hodhën litarin nga lart se qe errësirë. Porosia nga sipër jo pa humor: “Mos e vër litarin tek koka, por tek sqetullat!”.Tropoja për ‘të, qe një shkollë jete e vërtetë, të cilën ai e kapërceu me sukses. Nuk e harron ai atë përkujdesje dhe dashuri që tregonin për të si të ishte i shenjtë. Por dhe ai bëhej copë për njerëzit.

            Në kushtet e vështira ekonomike shoqërore të asaj periudhe si dhe të terrenit të thyer malor, ai u gjendej për ndihmë mjekësore të gjithë banorëve të rrethit Tropojës gjatë gjithë vitit, kohë pa kohë, prandaj ata i janë mirënjohës për këtë përkushtim dhe gatishmëri. Në një rast të rëndë lindjeje të vështirë Dr.Hektori, duke mos patur rrugë tjetër, shpëtoi nënën ndërsa fëmija lindi i vdekur. Megjithatë, i shoqi dhe i ati i gruas i mbetën për jetë mirënjohës atij, në kushtet e atij dimri të egër me mbi dy metra dëborë në “Bajram Curri”. Me punën e tij ai e bëri Dispanserinë e Tropojës, përgjegjës i së cilës ishte, një nga më të mirat në vendin tonë, duke u përballur me tuberkulozin, sëmundje  shumë e përhapur dhe kërcënuese për jetën e banorëve. Kjo gjë u realizua me anën e depistimeve masive dhe vizitave në çdo shtëpi të të sëmurëve me tuberkuloz. Duke zbuluar dhe bllokuar të gjitha vatrat e infeksionit  dha një ndihmesë të vyer në pakësimin e rasteve të reja me këtë sëmundje.

            Pas largimit nga Tropoja ai nuk e harroi kurrë atë dhe mbeti “tropojan” gjithë jetën,duke ju gjendur tropojanëve edhe në Tiranë. Por as Tropoja s’e harroi asnjëherë atë. Në vitin 2009 ai u shpall “Qytetar Nderi” i Tropojës. Kishin kaluar plot 45 vjet. Ishte një nga ato vlerësime që i ngjalli emocione të fuqishme e i rizgjoi kujtimet e viteve 1960-1966…sepse:  “Një jetë e jetuar për të tjerët, është një jetë që ia vlen të jetohet”, vlerëson në kohë shkencëtari me shpirt artisti, Ajnshtajn.