Dorëshkrimet e rralla të Dritëro Agollit

807
Themelimi i PS-së, zbulohen dorëshkrimet e rralla të Dritëro Agollit
Familja e shkrimtarit dhe politikanit të ndjerë publikon pjesë nga fjalimi i fortë që tronditi delegatët e Kongresit të 10-të të PPSH-së dhe kërcënimet nga salla
Qershori i vitit 1991 i dha fund 50 viteve jetë të Partisë së Punës së Shqipërisë, më parë Partia Komuniste. Ajo do të ndryshonte emrin në Partia Socialiste, vetëm 6 muaj pasi në Shqipëri ishte shpallur pluralizmi dhe vetëm 3 muaj pas zgjedhjeve të para me pjesëmarrjen e opozitës. Më 10 qershor të vitit 1991, Partia e Punës mbajti Kongresin e saj të 10-të në Pallatin e Kongreseve dhe dy ditë më pas, të njëjtët delegatë do t’i jepnin jetë Partisë Socialiste të drejtuar nga Fatos Nano. Pikërisht 12 qershori festohet si dita e krijimit të PSSH-së.

Megjithatë Kongresi i 10-të i PPSH-së mbahet mend për fjalimin e fortë të shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli. Shkrimtari i ndjerë, i cili kishte qenë edhe vetë një prej funksionarëve të lartë të regjimit komunist, mbajti një fjalim kritik, duke thënë se mungesa e reformimit të partisë shihet tek varfëria e vendit. Pikërisht në përvjetorin e këtij Kongresi, familja e Dritëro Agollit ka publikuar në rrjetet sociale disa dorëshkrime të rralla të fjalimit të ish-kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve. Së bashku me fjalimin, Elona Agolli, vajza e shkrimtarit, ka publikuar edhe dorëshkrime të letrave kërcënuese apo qortuese, që iu drejtuan babait të saj në atë Kongres. “Ja një copëz letre me mesazhe e deklarime jo vetëm të guximshme, të shprehura nga Dritëroi në qershorin e vitit 1991; Ja edhe disa reagime për fjalët e vërteta thekshëm kumbuese artikuluar nga im atë”, shkruan Elona Agolli. 

Kritikat e Dritëroit ndaj sistemit komunist dhe vetë Partisë së Punës nuk u pritën mirë nga pjesëmarrësit, të cilët në kor e kundërshtuan duke thirrur: “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”. “Ju ma vërtetuat mendimin tim, të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet nëse ju bëni kështu. Vërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar janë pasqyrë e një partie që është e shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt”, u shpreh Agolli. Pas disa minutave brohoritje me këtë thirrje, Agolli iu kthye të pranishmëve: “Ç’ishte gjithë ky pazar njëherë. Ju jeni si në vitin 1948 të gjithë”.
Si e kujtonte Agolli: “PS nuk ka themelues, ka vetëm ndryshim emri”

Në një intervistë për shtypin e përditshëm, Dritëro Agolli e ka rrëfyer momentin e Kongresit të 10-të të Partisë së Punës dhe lindjen e Partisë Socialiste, me kryetar Fatos Nanon. Vetë Ramiz Alia ishte larguar nga drejtimi i saj për shkak të zgjedhjes në prill 1991 si President i Republikës.

Si kaloi PPSH nga Parti Komuniste në parti pluraliste?
“…U bënë zgjedhjet e marsit ‘91, zgjedhjet ku u bë president Ramiz Alia. Emri i partisë ishte PPSH dhe ajo fitoi në këto zgjedhje. Atëherë Parlamenti ishte i përbërë nga 250 deputetë dhe vetëm 70 deputetë mori PD. Të tjerët i mori PPSH. Partitë e tjera nuk arritën dot të merrnin asnjë deputet. Ato partitë e vogla ekzistonin, por ende nuk kishin mbërritur të bënin aleanca me partitë e mëdha dhe s’mundën të fitojnë asgjë nga këto zgjedhje. Se kuptohet, që partitë e vogla gjithnjë përfitojnë nga partitë e mëdha. Partitë e vogla s’fitojnë dot vetëm, pa aleancë me partitë e mëdha. Pra duhej bërë ky kongres në pranverë. U vendos të caktoheshin komisionet për përgatitjen e Kongresit. Ishin disa komisione. Një komision nga ekonomia, një ideologjia, një nga kultura e arsimi etj. Këto komisione drejtoheshin nga Ramiz Alia dhe nisën punën për përgatitjen e kongresit. Ata përgatitën raportin për kongresin dhe u paraqit varianti i parë. Ai variant u hodh poshtë, jo në kuptimin e votave, por u paraqit në sekretariatin e Komitetit Qendror, dhe pati vërejtje. Pati vërejtje, sepse bëhej fjalë për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj figurës kryesore të PPSH dhe të kaluarës së kësaj partie. Cilat do të ishin kritikat, qoftë ndaj Enver Hoxhës, qoftë ndaj KQ të PPSH-së? A do të kishte kritika për luftën e klasave, e cila ishte një ndër gabimet e mëdha të PPSH-së? Ishte një luftë klase e fortë, e tërbuar, e pashpjegueshme. Bashkë me luftën e klasave, çfarë vërejtje i duhej bërë Sekretarit të Parë të PPSH, që ishte Enver Hoxha. Dhe këtu kishim probleme, se mirë për luftën e klasave mund të bëheshin kritika dhe mbyllej lehtë si debat, por kush ishte ai që e ideoi këtë luftë klasash dhe çfarë roli kishte Enveri atje. Pra këtu ishin polemikat. Sa të meta do t’i vëmë Enver Hoxhës. Kur ne kritikojmë një njeri edhe në kushtet aktuale, marrim shembull një analizë në PD, në Këshillin Kombëtar të saj, çfarë kritike mund t’i bëjnë ata Sali Berishës? Do t’i thonë se është pak gjaknxehtë, shpejtohet etj. si kjo? Por këto nuk janë kritika të forta, sepse edhe mua mund të më thuash dhe s’më mbetet hatri që filani është i ngadaltë, i merr zvarrë punët etj. Ndonjëherë inatoset, por mua nga kjo nuk më vjen ndonjë zor i madh. Po të më thonë se ky ka bërë gjëra të këqija me qëllim, se është kriminel, se ka vrarë këta njerëz, bërë këtë apo atë, atëherë një individ tërbohet dhe reagon keq. Pra, në këtë kontekst, bëhej fjalë për figurën kryesore dhe vërejtjet ndaj tij. Në raportin e parë që u paraqit, vërejtja ndaj Enverit ishte se ai duhej të mendohej më shumë, të bënte një punë më kolegjiale, që të mos ndodhnin këto gjëra. Në raport nuk flitej për kritikë serioze ndaj kësaj figure. Pra, nuk kishte thelb të çështjes. Prandaj raporti nuk u pranua dhe filloi të punohej varianti i dytë. U krijuan tri-katër grupe të tjera për të punuar bashkërisht dhe për të vendosur për raportin, i cili përsëri i paraqitej sekretariatit të Komitetit Qendror. U hartua varianti i dytë dhe përsëri kishte vërejtje dhe nuk u ra dakord. Pastaj u bë varianti i tretë. Varianti i tretë, paraqitej si një kritikë më e fortë për Enverin, por përsëri e sipërfaqshme dhe jo thelbësore. Nuk bëhej fjalë për kritikën reale, se cilat ishin arsyet që ky sistem arriti deri në këtë pikë. Ishte një sistem që kishte shkatërruar gjithçka. S’kishte pronë private, s’kishte liri fjale, s’kishte ekonomi, s’kishte asgjë. Pse u ashpërsua kaq shumë lufta e klasave? Sepse po të ishte lënë e lirë popullsia, të thoshte atë që mendonte dhe të zbutej lufta e klasave, atëherë kishte rrezik që të rrëzohej udhëheqja, sepse kritikat do të ishin më të hapura dhe për pasojë, nuk do të drejtonte dot një njeri. Të gjitha këto që thashë nuk ishin në raport, as në të fundit. Tashti, ka plot nga ata që thonë se unë punova për këtë raport dhe për atë raport. Hiç fare. Me raportet e para që do të bëheshin kritika e më the e të thashë, edhe ai që u mbajt në kongres, nuk ishte ndonjë gjë e madhe, ishte raporti që mbajti Xhelil Gjoni. Pra, ata që dalin dhe thonë sot se kam punuar për këtë raport dhe kam bërë këtë kritikë, thonë gjepura. Nuk është e vërtetë”.

Si u bë?
“Një ditë para se të bëhej kongresi apo dy-tre ditë, u ngrit në KQ, edhe nga presioni i jashtëm, edhe nga presioni i disa anëtarëve të KQ, që duheshin përjashtuar të gjithë anëtarët e Byrosë, që të mos vinin në kongres. Një natë para se të bëhej kongresi ata u përjashtuan. Në kongres nuk kishte asnjë anëtar të Byrosë Politike. Aty ishte veç Ramiz Alia, i cili ishte President në atë kohë dhe rrinte në lozhë bashkë me personalitetet e tjera të vendit. Të tjerët, që nuk ishin anëtarë të Byrosë, si Nexhmije Hoxha e të tjerë, që ishin anëtarë të KQ dhe jo anëtar Byroje. Në seancat e para, por edhe para kongresit, ishte menduar që të bëheshin diskutime, që do të mbetej emri i kësaj partie, që ishte në Parlament dhe që kishte shumicën. Do të mbetej PPSH, apo do të ndryshonte. Disa thanë që ky është emër shumë i bukur dhe s’ka pse të ndryshohet. Të tjerët thoshin se duhej ndërruar, se e ka namin jo dhe aq të mirë. Në vendet e tjera të Lindjes, partitë e kësaj natyre ndërruan emrat, si në Bullgari, Hungari, Rumani etj. Më fanatikët ishim ne dhe Bullgaria, Rumania etj., ndërsa vendet e tjera, si Hungaria, Polonia etj. ishin në një sistem më të butë socialist se ne. Pra, u ngrit debati për ndryshimin e emrit, dhe filluan të diskutoheshin disa emra. Disa propozuan një emër, Parti Progresiste, Partia e Re, disa propozime të tjera etj. Por para kongresit nuk u arrit në asnjë vendim. Aty nga fundi i kongresit u vendos që t’i lihej emri Partia Socialiste. Një ditë apo dy ditë para kongresit u vendos për këtë çështje.

Me sa mbaj mend, një grup nga ata që nuk kishin shumë përgjegjësi, nuk drejtonin asgjë në kongres, si p.sh. Servet Pëllumbi, propozuan që t’ia vendosin emrin pikërisht PS. Pra, në këtë grupim u vendos për emrin, por pasi ishte diskutuar gjerësisht me të gjithë, përfshirë këtu edhe Ramiz Alinë. Edhe pse Ramizi ishte President, ai kishte ende influencë të fortë në parti, deri në atë pikë, sa pa fjalën e tij s’mund të bëhej asgjë. Po atje u zgjodh edhe Komiteti Drejtues i PS-së. U mblodh Komiteti Drejtues i PS-së dhe do të zgjidhej Kryesia e partisë dhe kryetari i saj. Kjo ishte praktika e atëherë, pra zgjidhej Komiteti Drejtues, më pas Kryesia dhe kryetari. Pra nuk ishte kongresi drejtpërdrejt që zgjidhte kryetarin, ishin forumet që dilnin nga kongresi ato që e zgjidhnin kryetarin. Më vonë u praktikua zgjedhja e kryetarit direkt nga kongresi”.

Si u zgjodh kryetari i PS dhe kush e propozoi atë?
“Kryetar i PS u zgjodh Fatos Nano. Ai hezitoi në fillim. Por pati propozime të ndryshme. Dikush propozoi Gramoz Ruçin, duke ditur se ai ishte organizator i mirë dhe është edhe sot organizator i mirë për partinë, por problemi qe se ai kishte qenë ministër i Brendshëm dhe nuk mund të zgjidhej kryetar i PS-së. Unë propozova Servet Pëllumbin. Edhe ai nuk donte. U diskutua rreth zgjedhjes së Nanos dhe ai pasi kundërshtoi me pretekstin se ishte Kryeministër dhe kishte ngarkesa të tjera, e pranoi postin e kryetarit të PS-së. Por tha: “unë pranoj kryetar, po të kem si zëvendëskryetar Servet Pëllumbin dhe Spiro Deden. Spiro kishte qenë anëtar i KQ të PPSH-së dhe kur e mori ferra uratën u zgjodh në Byronë Politike. Dede u zgjodh nënkryetar i PS-së, por qëndroi pak muaj, sepse u largua fare nga PS. Iku nga Kryesia e të gjitha forumet drejtuese, sepse nuk donte të ishte më në drejtim”.

A e vlerësoni ju 12 qershorin si themelim të PS-së?
“Për sa i përket kësaj çështjes së ndryshimit, dua të them se disa thonë që unë jam themelues i PS. Në fakt, Partia Socialiste nuk ka themelues, sepse ka vetëm ndryshim emri. Sa për themelimin dhe ndryshimet thelbësore, ato i bëri koha. I bëri koha, sepse me ndryshimin në vitin 1991 e në vazhdim, dalëngadalë, PS po ndryshonte dhe po largonte pak nga pak mbeturinat e PPSH-së. E largoi ideologjinë e PPSH-së dhe psikologjia e PPSH-së erdhi duke u shuar. Është gabim të thuash themelues, sepse nuk ka themelues. Kishte në PD, PSD e PR. Ajo që nuk është thënë për PS-në, është ideja që të shpërndahej PPSH dhe prej saj të formoheshin disa parti të majta. Por shumica ishte që të kalonim në krijimin e një partie me emrin socialdemokrate. 

Mirëpo, po të ndodhte që të shpërndahej PPSH, atëherë do të mund të krijoheshin disa parti të vogla brenda saj dhe PS-ja nuk do të ishte kurrë faktor, pasi elektorati i PPSH-së do të shpërndahej në disa parti, të cilat do të kishin fatin e partive të sotshme të vogla, si PSD, PR e të tjera. Ishte një grup në PPSH që e bëri këtë propozim dhe më pas ata kaluan në PSD. Mirëpo shumë shpejt ata e panë që nuk kishte terren të përshtatshëm për të pasur karrierë të mirë politike, pasi nuk u zgjodhën si drejtues dhe u kthyen përsëri në PS. Edhe mua, kur fola në kongres, kur kritikova Enverin, ata më thanë që më mirë të mos kisha folur, sepse ata kishin mendimin se duke realizuar atë ide, do të bëheshin gjërat më mirë dhe në kohë”.

Kur ju përfunduat fjalën, thuhet se për disa minuta keni qëndruar vetëm dhe askush nuk ju përkrahu, në shenjë distancimi se ju kritikuat figurën e Enver Hoxhës. Si është e vërteta?
“Salla u revoltua shumë nga fjalët që thashë, sepse ata nuk e prisnin që unë të kritikoja Enverin. Ata kundërshtuan me britma e ulërima, më dërguan pusullka, që më shanin dhe më kërcënonin me jetë. Dikush më thoshte se unë kisha qenë i përkëdhelur i sistemit dhe se unë kisha pasur shumë poste në parti, se unë kisha pasur edhe një grua ruse etj. Salla ulërinte me të madhe “Enver Hoxha, Enver Hoxha!”. Disa u ngritën dhe ikën të inatosur, kryesisht anëtarë të KQ. Kur mbarova fjalën unë nuk shkova në karrigen që kisha lënë bosh në sallë, por vendosa të qëndroj pranë gazetarëve, afër tribunës ku ishte presidiumi. Gazetarët po qëndronin në anë të sallës dhe unë u kërkova të më lironin një copë vend të rrija atje. Ju thashë, “se po të vete atje, ata do më rrahin dhe them të rri më mirë këtu me ju, se jam më i sigurt”.
Sigal