Dje u hap panairi i librit “Tirana 2013”

581
Sigal

 Ministrja Kumbaro “libri të shihet si vlerë dhe jo si mall”

 Dje në Pallatin e Kongreseve, u hap panairi i librit “Tirana 2013” . Ky panair që po pritej me padurim, sikur nuk kishte atë madhështi që pritej. U vu re qysh në hapjen që drejtuesit, nuk zbatuan orarin e ceremonisë duke e shtyrë atë për disa minuta. Komentet e para për këtë panair të dijes kanë qenë nga më të ndryshmet, nga më befasueset. Sipas drejtuesve të Panairit për pesë ditë me radhë, pikërisht nga data 13 deri 17 nëntor, më shumë se 91 subjekte botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, do të prezantojnë për dashamirësit e librit  lexuesit botime nga më interesantet, por edhe takime, prezantime, përurime të ndryshme të librave nga të gjitha gjinitë e të shkruarit. Ndryshe nga vitet e tjera, problemi kryesor mbi të cilën u ideua ky Panair ishte ai i piraterisë dhe informalitetit në fushën e botimeve, problem që u bë moto e këtij Panairi.

 Mirela Kumbaro “libri të shihet si vlerë dhe jo si mall”

Ishte një ceremoni shumë modeste, ku dhe mediat nuk ishin aq të interesuara si vitet e mëparshme. Një ceremoni e thjeshtë, pa tribunë, pa prezencën e shumë personaliteteve të letrave. Dukej një ceremoni, për të qenë brenda formaliteteve por jo brenda idesë së madhe dhe kureshtjes që ngjall një event i tillë para publikut. Si duket drejtuesit e Panairit i kanë rënë lapsit të kursimeve. Në këtë ceremoni modeste morën pjesë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, Ambasadori i shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu, Ambasadorja e Francës Christine Moro etj, drejtues të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, shkrimtarë, etj. Fjalën përshëndetëse e mbajti Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Në fjalën e saj ajo theksoi theksoi se prej ditës së sotme (pra dje) objektiv i ministrisë që ajo drejton do të jetë “që libri të shihet si vlerë dhe jo si mall”.  Në fjalën e saj ajo veçoi se Ministria që ajo drejton do të jetë në vijimësi pranë krijuesve dhe lexuesve ku në plan të parë do të jetë lufta ndaj piraterisë së librit. Kjo luftë sipas saj duhet të jetë e vazhdueshme dhe e mirëorganizuar. Në fund ajo vuri në dukje se puna jonë “ duhet të ndalet tek të rinjtë, që ata ti kthejnë sytë nga libri dhe gjithmonë të jenë pranë leximit”.

Ambasadori amerikan Arvizu: Vjedhja e së drejtës së autorit jo vetëm problem shqiptar

Një ndër fjalimet më interesante në konferencën për shtyp, apo ceremoninë e hapjes së Panairit ishte ajo e ambasadorit amerikan Arvizu. Ai e ndali fjalën e tij kryesisht  tek e drejta e autorit. Sipas tij vjedhja e së drejtës së autorit përbën krim dhe duhet ndëshkuar.  Më tej në fjalën e tij në ceremoninë e “Panairit të Librit” theksoi se vjedhja e së drejtës së autorit, e pronësisë intelektuale nuk është problem vetëm për Shqipërinë. Probleme të tilla ka në shumë vende të botës. Ndaj sipas tij në këtë çështje duhet thelluar puna.  Dhunimi i pronësisë intelektuale është në fakt vjedhje, është krim, sepse i privon njerëzit nga ajo që është e drejta e tyre, nga e drejta e autorit”.  Vëmë re me shumë kujdes se është inkurajuese që kjo qeveri po organizohet dhe po angazhohet që të luftojë krimin në forma të ndryshme.” Midis shumë problemeve ai rroku dhe rëndësinë e përkthimit të veprave në gjuhë të tjera pasi mundësohet leximi në gjuhë të ndryshme. Sipas tij Ambasada Amerikane ka ndërtuar tre kënde dhe pikërisht në Tiranë, Vlorë dhe Kukës ku ofron libra dhe internet falas. Ai ftoi të gjithë vizitorët e Panairit  që të vizitojnë stendën e librave të nxjerrë nga Ambasada Amerikane, pasi aty do të gjejnë shumë gjëra të vlefshme, përfundon ai. .

Nesër më 14 nëntor mund të ndiqni:

-Disa promovime të Shtëpisë botuese Toena, si librat e rinj të autorëve Besnik Mustafaj, Fatos Kongoli, Durim Tace, Silvana Berki.

– Disa promovime të Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, Morava”, “Argeta”, “Eugen”

“Bota Shqiptare” vjen në këtë Panair me shtatë tituj të rinj dhe ën stendë do të ketë 250 tituj, ku bien në sy Viktor Hygo, Tolstoi, Dosdojevski, Flober, Çehov, Kamy, dhe ata bashkohor si Kadra, Musso, Sansal, Spaeks, Fulo,. Ndër veprat e reja përmendim “Zogjtë vdesin duke kënduar”, Bosët e rinj të mafies”, “Enigma e muhaxhedinit gjerman”, “Sekreti i Aedhës”, etj..

-Ambasada e Francës në Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, një aktivitet kushtuar Alber Camus-ë.

-Veçojmë një aktivitet të rëndësishëm që të zhvillohet në datën 15 nëntor ku do të mbahet konferenca me temë: “Pirateria dhe informaliteti po e vrasin librin në Shqipëri”.
-Në 16 nëntor Ministria e Kulturës, me vëmendjen e ministres Mirela Kumbaro, do të organizojë një tryezë shumëplanëshe për problemet e përkthimit.

Ditën e fundit
Ditën e fundit ashtu si dhe në Panairet e tjera do të ndahen çmime si: çmimi “Libri më i mirë”, “Përkthimi më i mirë”, “Libri më i mirë për fëmijë”, “Libri më i mirë studimor”, “Stenda më e mirë grafike”, një çmim ky i fundit që do të jepet nga gazetarët.

 Shtëpia botuese “TOENA”

Instituti i librit dhe i promocionit

Shtëpia botuese TOENA e themeluar në vitin 1993, ka në organikën e saj mbi 30 punonjës, si dhe një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh (mbi 100) nga të gjitha fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës.
Që nga dita e krijimit të saj ajo ka botuar rreth 2400 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore dhe universitare, libra informativë, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë të shumëllojshëm, manualë për specialistët dhe profesionistët, letërsi artistike nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si dhe albume e harta të ndryshme.
Në katalogun e botimeve “Toena” gjatë këtyre 20 vjetëve kanë hyrë emrat më të njohur të letrave shqipe, të traditës dhe bashkëkohorë: Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Luan Starova, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Teodor Laço, Visar Zhiti, Bashkim Shehu, Kim Mehmeti, Natasha Lako, Diana Çuli, Zija Çela, Bardhyl Londo etj., etj., janë vetëm disa prej tyre.

 Shtëpia botuese “MORAVA”

Shtëpia botuese “MORAVA” e ka nisur aktivitetin e saj në fushën e shtypshkrimeve që në vitin 1991. Pas shumë viteve përvojë, aktiviteti i saj u shtri edhe në fushën e botimeve të teksteve shkollore dhe librave artistikë. Botimet në fushën e letërsisë artistike i përkasin grupmoshave të ndryshme, duke iu ofruar një kohë të vyer në praninë e librit.