“Djali im Nikolo, erdhi në kohën e duhur”

628
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci

Pas tre vajzash, këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci u bë me djalë. Gëzimi i tij ishte i madh, por më shumë u gëzuan motrat, të cilat u bënë me nip që do të trashëgojë emrin e mirë të fisit të Ndocajve. Gjatë gjithë kësaj periudhe Frederiku ka qenë me aktivitete në të katër anët e botës, por njëkohësisht ai ka bërë tekste këngësh, poezi, ka kompozuar këngë ka zënë disa çmime si kompozitor. Pra, jeta e tij është shumë aktive dhe pse tashmë ka shumë preokupime në shtëpi. Ditët e fundit në shtëpi ai ka filluar të luajë dhe rolin e amvisës që nga gatimi deri tek hekurosja, punë, të cilat i bën plot dëshirë. Por në aktivitetet e tij me karakter kombëtar ai veçon atë me shoqatën “Çamëria”, dhe thekson se pas Kosovës edhe Çështja Çame do të zgjidhet. Për trashëgimtarin e vogël Nikolo, Riku thotë kur të ritet të bëhet çfarë dëshiron dhe çfarë do ketë prirje dhe asnjëherë nuk do ta detyrojë të bëhet me çdo kusht artist. Artist lind nuk bëhesh.

Së fundmi Frederiku u bë me djalë…

Është një gëzim i madh për mua dhe gjithë të afërmit. Pas tre vajzash, tashmë u bëra dhe me një djalë. Sot që po flasim fëmija im i bukur ka vetëm 9 ditë që ka dalë në jetë. Djalit ja vumë emrin Nikolo. Ky emër është bashkim i dy emrave të prindërve tanë pra germat e para të emrit të babait të Alisës, Nik (bashkëshortes) dhe germat e para të emrit të babait tim, Kol. Pra Nikolo.

Kam vënë re që emrat e fëmijëve të tu kanë këtë gërshetim germash, të baballarëve, nënave apo tuajin dhe të bashkëshortes.

E vërtetë. Dua që përjetësimi të vij natyrshëm.  Nuk kam dëshirë që të jetë emri i babës apo nënës me atë ide që ringjall emrin, por kështu më duket më bukur, më qartë dhe shumë domethënëse.

Si ndihet Frederiku tashmë?

Për mua fëmija mbetet fëmijë. Unë si ndaj kurrë fëmijët është vajzë apo është djalë. Nuk do ta besosh as ti as lexuesit, por as unë as bashkëshortja nuk e kemi ditur se çfarë është fëmija djalë apo vajzë deri në momentin e daljes në dritë. Nuk bën pjesë në karakterin tonë familjar për të paraparë fëmijën. Ajo është punë e zotit. Zoti ka ligjet e tij, që për 9 muaj apo shtatë të daljes në dritë, gëzimi të vij natyrshëm dhe jo i paraparë. Zoti ka sekretet e tij. Unë besoj në zot dhe falë tij kam pas shumë suksese. Pra, zoti di kur ta jep gëzimin..

Po n.q.s do lindte vajzë si do ndjeheshit?

E them me plot zemër që si vajzë si djalë për mua është njëlloj. Ajo është punë e zotit dhe ai di se ç’të jep. Jemi një familje, që kurrë si kemi ndarë apo diskutuar tema të tilla parapëlqesash.

Çfarë ka bërë Riku prej asaj kohe që kemi bërë intervistën e fundit?

Kam bërë shumë punë dhe shumë këngë. Për 8 Marsin kam kënduar këngën “Bel” ndërsa për “Këngët e Shekullit” duke krijuar grupin tonë “Gaspër Çuçia” grupi Big Ben me vegla muzikore frymore tunxhi (tip amerikan) me 18 pjesëtarë, ku kam kënduar afërsisht 35 këngë.  E emërtuam kështu sepse Gaspëri ishte i vetmi që  krijoi një grup të tillë muzikor në vitet 1970-‘72. Me këtë grup kemi dhënë një recital në Akademinë e Arteve. Kam bashkëpunuar me Zana Çelën me Akademinë e Yjeve,  ku kam kënduar këngën e Fredi Merkurit “Kush do të jetojë përgjithmonë”. Në Festivalin e fundit të 50-të, në RTSH kam bërë tekstin e një kënge “Jeta ime” të kompozuar  nga  L. Agolli. Kjo këngë paraqet tablonë e  jetës time në 50 vite. Kam kompozuar  një këngë për fëmijë në Festivalin e fundit të Këngës për Fëmijë që e ka kënduar Niki Mjeda (nipi i Ndre Mjedës), që fitoi çmim të dytë. E njëjta këngë  pas tre muajsh mori pjesë në një Festival Ndërkombëtar  që  u zhvillua në Prishtinë, ku morën pjesë 18 shtete nga vende të ndryshme të botës. Kënga ime e kënduar nga Niki mori vend të parë. E njëjta këngë pas 3 muajsh të tjerë mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Malin e Zi dhe fitoi prapë vend të parë, ku ishin 60 shtete konkurrues.  Njëkohësisht kam bërë interpretuar një  këngë për një të ri shqiptar që humbi jetën aksidentalisht mbasi mbaroi universitetin, të cilën ma kërkoi familja e tij dhe shumë këngë të tjera. Pra jeta ime gjatë kësaj kohe ka qenë shumë e ngjeshur.

Po poezinë e ka lënë pas dore Riku?

Aspak. Pas vëllimit të parë po punoj për vëllimin e dytë. Kam bërë shumë poezi me tematikë nga më të ndryshmet. I falem zotit që më ka dhënë kaq muzë  që kam pas kaq rezultate.

Jeni në një periudhë të vështirë në shtëpi. Pra, bashkëshortja lehonë dhe ju duhet të bëni dhe disa punë të saj. Gatuan Riku?

Është e vërtetë. Në këtë periudhë jam shumë i ngarkuar në familje. Përsa i përket gatimit unë kam gatuar qysh fëmijë, pasi kam qenë fëmija më i madh në shtëpi. Nëna ishte në punë dhe babai po ashtu vinin shumë vonë. Kështu që më dilte mua si detyrë që të gatuaja. Gatuaja për dy motrat e mia Ritën dhe Julin. Më vonë u rrit Rita dhe filloi ajo të gatuajë dhe ne shpesh gatuanim bashkë. Kështu ishte fëmijëria jonë pak e çuditshme, por shumë e vërtetë. Tani e kam të lehtë në gatim nuk them se jam perfekt, por di të gatuajë shumë shpejt për një familje të vogël. Vajza  3 vjeç, Alisa lehonë, djali 9 ditësh (tani që po flasim) pra kam tre “handicap” në shtëpi (qesh, bëj shaka me Alisën kështu, është shaka e tipit tim), kështu që i jam përvesh kuzhinës me përparëse. Vendos rrobat në lavatriçe, laj pjatat, gatuaj, ndonjëherë ndërroj pelenat (s’e beson kush), ja ky është Riku i këtyre ditëve.

Këto ditë ke qenë shumë i kufizuar në lëvizje dhe aktivitete?

Sigurisht. Dhe më ka ndihmuar fati, pasi këto ditë nuk kam pas as aktivitete. Kisha llogaritur 10- ditëshin e parë pas lindjes së Alisës të mos kisha aktivitete që t’i gjendesha pranë në lindje dhe pas lindjes.

Po në plazh s’do shkojë Riku këtë vit?

Unë shkoj çdo vit në plazh, por për mua dhe familjen time plazhi fillon në shtator, tetor, nëntor. Shkojmë në Florida, shkojmë në Spanjë dhe në vende të tjera. Se në botë plazhi në këta muaj fillon. Dielli i fortë është i keq. Unë në këto muaj preferoj pushime në vende malore.

Ndihet i realizuar Riku tashmë?

Për çdo vit plotësohem në realizimet e mia. Gjithmonë kam pas zotin në krah. Lindja e çunit është një gëzim i jashtëzakonshëm, por edhe sikur të lindja sërishmi vajzë po kaq i realizuar do të isha. Jam me fat në jetë në çdo drejtim.

Keni qenë në Amerikë me Shoqatën Çame, për një aktivitet aty me këtë komunitet. Cili është mendimi juaj për krahinën e Çamërisë?

Ishte një dëshirë  e madhe për të dhënë një ndihmë sado modeste për çështjen kombëtare. Unë sa herë kam pasur mundësi kam dhënë dhe do të japë kontributin tim për çështjen kombëtare.  Unë kam qenë një ndihmës i flaktë i çështjes kosovare dhe isha i bindur në fatin e Kosovës pasi ishte dora e shtetit me demokraci më të madhe në botë e SHBA-ve. Pavarësia e Kosovës ishte një rrugë pa kthim dhe mendoj dhe dëshiroj që dhe Çështja e Çamërisë kështu do të bëhet. Sot koha punon për Çamërinë. Vetë Greqia duhet t’i kërkojë të falur popullit martir të Çamërisë për genocidin 100-vjeçar.