Ditët vlonjate të poezisë në një eveniment në qytetin e Vlorës.

1321
Sigal

Në kuadër të festave të fundvitit Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, me mbështetjen e Bashkisë organizoi evenimentin “Ditët vlonjate të poezisë”. Aktiviteti u mbajt në ambientet e Hotel “New York” në Ujin e Ftohtë Vlorë në një ditë pranvere në mes të dimrit. Ishin të pranishëm poetë dhe shkrimtarë nga Vlora, Fieri, Mitrovica, Elbasani, Rrogozhina, Lushnja, Italia, Greqia etj. Ishte i pranishëm Nënkryetari i Bashkisë Vlorë zoti Arben Beqiraj dhe Artisti i Popullit Albert Verria. Nën moderimin e gazetares së talentuar Marjeta Mërkuri, aktivitetin e ka hapur kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, zoti Myrteza Mara, i cili ka falënderuar Bashkinë e Vlorës dhe posaçërisht Kryetarin e saj zotin Shpëtim Gjika për mbështetjen e pa kursyer për artin dhe letërsinë në qytetin e Vlorës. Më pas të pranishmit kanë mbajtur një minutë heshtje për poetët vlonjate që nuk jetojnë më si, Ferhat Çakërri, Anastas Bita, Fadil Zeqiri, Miliano Stefa, Petrit Qejvani dhe Jonida Osmani. Me këtë rast u dorëzuan edhe disa vlerësime që Kryetari i Bashkisë Vlorë, zoti Shpëtim Gjika kishte akorduar për disa personalitetet të njohura të fushës së letërsisë dhe gazetarisë në qytetin e Vlorës, që u nderuan me titullin “Mirënjohja e Qytetit të Vlorës”, të cilat i dorëzoi nënkryetari i Bashkisë zoti Arben Beqiraj. Bëhet fjalë për gazetarin, redaktorin dhe kryeredaktorin, publicistin, shkrimtarin dhe poetin e njohur zotin Duro Mustafai, i cili kishte udhëtuar nga Tirana për të qenë i pranishëm në këtë eveniment. Bëhet fjalë për publicistin, sportistin, artistin dhe ekonomistin e talentuar zotin Luan Çipi, i cili i ka të ndarë vitin në dy pjesë, ku dimrin e kalon në Tiranë dhe verën në Vlorë. Bëhet fjalë për shkrimtarin, publicistin, dramaturgun dhe skenaristin zotin Andrea Petromilo, i cili ka jetuar dhe punuar në këto 20 vitet e fundit në Athinë. Gjithashtu Ilir Mborja u vlerësua nga Klubi i shkrimtarëve “Petro Marko” me Çmimin “Mirënjohje e Klubit “PETRO MARKO”

Pas dorëzimit të vlerësimeve të këtyre personaliteteve të shquara të qytetit të Vlorës e më gjerë, Klubi i shkrimtarëve “Petro Marko” ka vazhduar aktivitetin ku pjesëmarrësit ndoqën me interes ligjëratat nga Myrteza Mara, Idajet Jahaj dhe Ilir Mborja. Mes kësaj atmosfere nisi edhe konkurrimi për interpretimin e poezisë më të bukur nga të pranishmit, nën vëzhgimin e një jurie prej tre anëtarësh me aktorin e njohur Ilirjan Ali, poetin dhe njëkohësisht kryetar i Klubit të shkrimtarëve shqiptar në botë “Drita” të Athinës zotit Nase Jani dhe gazetaren Marjeta Mërkuri. Për të pranishmit u shtrua një drekë, ku përmes saj u ndanë edhe çmimet për poezinë dhe interpretimin më të mirë. Çmimet u dhanë nga nënkryetari i Bashkisë Vlorë, zoti Arben Beqiraj i cili e ndoqi veprimtarinë nga afër.
Të vlerësuarit falënderuan me emocion organizatorët dhe Bashkinë e Vlorës, kryetarin e saj zotin Shpëtim Gjika për mbështetjen e pakursyer.
Çmimi i Karrierës iu dha poetëve Qerim Skënderaj dhe Thodhori Baba-Vlorë.
Çmim Special për Riza Haziri nga Mitrovica dhe Beatriçe Balliçi nga Elbasani.
Çmimi i Tretë në poezi për Zamira Agalliu-Vlorë dhe Eriselda Prifti-Fier.
Çmimi i Dytë në poezi për Idajet Jahaj dhe Laureta Petoshati-Vlorë
Çmimi i Parë për Anila Toto-Vlorë dhe Sabit Idrizi-Mitrovicë.

Çlirim Hoxha