Dita e parë e Edicionit të Pestë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës

63

U hap dje në Durrës Edicioni i 5-të i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit. Filmi që  ngriti siparin e festivalit mbrëmjen e 26 gushtit në amfiteatrin e Durrësit ishte “Les Bien -Aimes” i Christophe Honore. Një program me tre filma të tjerë do të përcjellë kulturën kinematografike franceze edhe në ditët e tjera të këtij edicioni. Konkurrimi zyrtar konsiston në vlerësimin e 8 filmave të metrazhit të gjatë, në seksionin “Vizioneve bashkëkohore”, të përzgjedhur në mes produksioneve më të reja europiane, si dhe 6 filmave në seksionin “Botë ballkanike”, prodhimet më të reja të vendeve të rajonit. Juria ndërkombëtare e “Vizioneve bashkëkohore” do të japë çmimin më të rëndësishëm të festivalit, “Gladiatorin e Artë”, për filmin më të mirë, bashkë me çmimet e tjera për regjisorin, aktorin dhe aktoren më të mirë. Juria internacionale në edicionin e 5-të të Festivalit të Filmit Durrës përbëhet nga aktori Mirush Kabashi- president i jurisë, regjisorja dhe drejtoresha e Teatrit të Kosovës Burbuqe Berisha dhe regjisorja italiane Laura Bispuri. Ky edicion do të sjellë edhe seksionin e dokumentarit ndërkombëtar, i përqendruar në problemet politike dhe sociale dhe të filmit të shkurtër. Në bashkëpunim me Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Universitetin e Arteve dhe Akademitë e Kosovës dhe Maqedonisë, Festivali do të organizojë sërish seksionin konkurrues për “Filmin e shkurtër të studentëve shqiptarë”. Edicioni i pestë i Festivalit do të vazhdojë deri më 30 gusht dhe do të zhvillohet në amfiteatrin antik, teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe në Qendrën Kulturore të Rinisë.