Digjet Shqipëria, shteti nuk përballon dot situatën

561
Ministria e Mbrojtjes angazhon Forcat e Armatosura, por gjendja cilësohet e paprecedentë nga jugu në veri. Zjarret të qëllimshëm, indiferencë nga qytetarët
Shqipëria është pushtuar nga flakët dhe sipërfaqe të tëra pyjesh rrezikojnë të shkrumbohen. Megjithatë angazhimin e Forcave të Armatosura, situata gjatë ditës së djeshme ka qenë e rëndë nga jugu në veri. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e konsideroi situatën e zjarreve të paprecedentë, nga veriu në jug të vendit. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kodheli shprehet se më të tmerrshëm e bën fakti që zjarret janë të qëllimshëm. “Megjithatë, FA janë të pranishme kudo, që nga Llogoraja, Palasa, Dukati, Dajti e deri në Velipojë. Forcat e Armatosura të Shqipërisë në krye të detyrës”, shkruan Kodheli.

Temperaturat e larta dhe thatësira kanë favorizuar përhapjen e vatrave të zjarrit në gjithë territorin e vendit, ndërsa forcat e ushtrisë janë angazhuar me mjete nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve.

Kodër Krasta
Kodër Krasta në Elbasan ka vazhduar të digjet, të paktën deri në mesnatë. Me gjithë punën e bërë gjatë ditës, nuk është arritur që të lokalizohen dhe fiken flakët. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan disa zjarrfikëse të Elbasanit dhe qyteteve fqinjë, por terreni i thyer nuk ka lejuar që ata të arrijnë të shuajnë zjarrin. Gjatë mbrëmjes së djeshme dukej se fronti i flakëve kishte përfshirë një sipërfaqe të gjerë dhe po shkrumbonte shkurre dhe pisha. Parku më i madh, e njëkohësisht mushkëria e Elbasanit, rrezikon të shkretohet, ndërsa habit indiferenca e qytetarëve, kur Krasta ndodhet vetëm disa qindra metra larg qytetit të Elbasanit.

Llogaraja
Zjarri që ka përfshirë prej tre ditësh një sipërfaqe pyjore në afërsi të parkut kombëtar të Llogarasë ka vijuar të jetë aktiv gjatë ditës së djeshme, me gjithë ndërhyrjet nga toka dhe nga ajri. Dhjetëra hektarë pyje dhe shkurre në zonën e Dukatit janë përfshirë nga flakët, ndërsa rrezikohet Parku i Llogorasë. I gjithë reparti zjarrfikës, efektivë të FA-së dhe dy helikopterë të ushtrisë kanë vijuar punën për shuarjen e vatrave të zjarrit. Zjarri u arrit të vihej nën kontroll rreth orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës, por më pas ka nisur sërish të përhapet. Temperaturat e larta të shoqëruara me erëra, kanë bërë të mundur përhapjen e shpejt të flakëve. Pranë vendit të ngjarjes ndodhej edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili ndoqi nga afër situatën. Ai u shpreh në një prononcim televiziv se situata është në kontroll dhe banesat nuk rrezikohen nga zjarri. “Situata është në kontroll, po punohet me mbështetjen e FA-së dhe zjarrfikësve, janë 100 trupa në terren, po vijnë edhe 100 të tjerë. Nuk duket që të ketë rrezik për shpërndarje të zjarrit në parkun e Llogarasë. Është djegur një sipërfaqe e madhe e pyllit, por flakët po dominohen, po punohet ditë e natë, dy helikopterë janë duke u përpjekur për të shuar zjarrin dhe them që nga nesër të ketë dislokim më të fortë të trupave dhe një punë më impenjative. Banesat dhe qytetarët nuk rrezikohen. Po hetohet, pasi dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme”, deklaroi ai.

Has dhe Mallakastër
Flakët e zjarrit kanë përfshirë një hapësirë të gjerë në Pogaj të Hasit. Mjetet zjarrfikëse nuk mund të hynë në zonë për shkak të terrenit të thyer. Vatra e zjarrit në ka nisur në pjesën e përtej kufirit në Kosovë, duke u përhapur në fshatin Pogaj. Ndërkohë, zjarri ka përfshirë edhe kodrat e fshatit Metoh në Mallakastër. Flakët e zjarrit kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Prefekti i Qarkut, Vasil Bregu, tha se zjarrfikëset e kanë të vështirë të ndërhyjnë për shkak të terrenit malor. Megjithatë, forcat e zjarrfikëses si dhe banorët e fshatrave po angazhohen për shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore dhe se zjarri po shkon drejt shuarjes. Fshati Metoh ndodhet në kufi me fshatrat e Beratit.
Parashikimi sipas “Meteoalb”
Temperaturat vijojnë të larta të enjten dhe të premten, ndërsa një rënie të lehtë pritet ta sjellë fundjava. Rënia e temperaturave vijon graduale gjatë javës tjetër deri në fundjavë (dt. 12 – 13 gusht) kur pritet rikthim në normalitetin termik mujor, ku temperaturat nuk do të shënojnë mbi 35 gradë C, vlera që mbeten dominante gjatë 10-ditëshit të dytë të gushtit 2017.
Sigal