Diana Çuli: Në regjimin komunist klimë krijuese kishte, por letërsinë e mundonte ideologjia dhe censura

1026
Sigal

PERSONAZH/ Flet për “Telegraf”, shkrimtarja dhe përkthyesja Diana Çuli: Ja pse dhe si e përktheva nobelistin Patrick Modiano

Shkak i kësaj interviste u bë marrja e çmimit “Nobel” e shkrimtarit Patrick Modiano për të gjithë karrierën e tij letrare me motivacion: Për artin e memories, në të cilin Modiano evokon fatet më të pakapshëm njerëzorë dhe jetën e botën e pazbuluar të periudhës së Pushtimit nazist… Dhe shkrimtarja dhe përkthyesja Çuli është përkthyesja e  romanit “Në kafenenë e rinisë së humbur”, i Patrick Modiano nën siglën e Shtëpisë Botuese Toena. Sipas saj romani “Në kafenenë e rinisë së humbur”, i Patrick Modiano “është i vetmi i përkthyer në Shqipëri, ku subjekti i tij është i thjeshtë, por pasi e mbaron librin, kupton se ke të bësh me një vepër tepër të veçantë. Një histori dashurie, në dukje, e përjetuar në kafenetë e viteve ’60 të Parisit të asaj kohe – ndonëse libri është botuar më 2007 –histori dhimbjeje, përhumbjeje, vuajtjeje dhe mungese shprese. Por, libri të shtyn të mendohesh rreth tij për një kohë të gjatë…”. Modiano ishte bir hebreu italian që u vendos në Francë dhe e vuajti shumë antisemitizmin, kolaboracionizmin e të atit me Gestapon dhe iu rikthye kësaj teme gjithë jetën e tij. “Më duket sikur shkruaj gjithnjë të njëjtin roman”, shprehet ai. Në këtë bisedë Çuli flet dhe për letërsinë e realizmit socialist, rolin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve në atë periudhë si dhe pozicionin e gruas shqiptare në letërsi. Çuli thekson se: Ka emra të fortë të grave shqiptare, mes tyre do të veçoja Mira Meksin që tashmë ka përmbushur një karrierë mjaft dinjitoze e me cilësi të lartë letrare. Një zë shumë origjinal dhe interesant, i ardhur vitet e fundit është Vera Bekteshi me dy librat e saj të botuar. Do të përmendja dhe disa autore që shkruajnë jashtë Shqipërie si Ornela Vorpsi, Elvira Dones, Anilda Ibrahimi, që kanë patur sukses.

 –Kur jeni njohur me krijimtarinë e Patrick Modiano-s dhe cili është libri i parë i tij që keni lexuar?

Shumë herët, ndoshta nga vitet ‘80, kur më ra në dorë një roman i tij “Rues des Boutiques Obscures”, titullin e të cilit mund ta ndryshojmë si në përkthimin anglisht – Persona të humbur, personazhi kryesor i të cilit ishte një dedektiv që kishte humbur kujtesën dhe përpiqej të rikrijonte copëra të jetës së tij. Që atëherë më bëri shumë përshtypje ky shkrimtar dhe më mbeti në mendje. Më vonë, kur me letërsinë e huaj mund të isha shumë më tepër në kontakt i lexova shumicën e veprave të Modianos.

-“Në kafenenë e rinisë së humbur”, ishte zgjedhja juaj apo një kërkesë e “Toena”? Cili është me pak fjalë për lexuesin subjekti i këtij romani?

Ishte një propozim i shtëpisë botuese TOENA, që mua më tërhoqi pa masë, sepse e çmoja shumë autorin dhe përkthimin e bëra me dëshirë. Modiano nuk e mori “Nobel”-in për këtë libër, por për të gjithë karrierën e tij letrare. Peter Englund, Sekretari i Përhershëm i Akademisë Suedeze që jep këtë çmim, e arsyetoi kështu vendimin e tyre: Për artin e memories, në të cilin Modiano evokon fatet më të pakapshëm njerëzorë dhe jetën e botën e pazbuluar të periudhës së pushtimit nazist…

Përsa i përket romanit të botuar në shqip, që është dhe i vetmi i përkthyer, subjekt i tij është i thjeshtë, por pasi e mbaron librin, kupton se ke të bësh me një vepër tepër të veçantë. Një histori dashurie, në dukje, e përjetuar në kafenetë e viteve ‘60 të Parisit të asaj kohe – ndonëse libri është botuar më 2007 –histori dhimbjeje, përhumbjeje, vuajtjeje dhe mungese shprese. Por, libri të shtyn të mendohesh rreth tij për një kohë të gjatë…

Ky roman çfarë përbën në krijimtarinë e Patrick Modiano?

Është një nga romanet e tij më të mirë, së bashku me Place de l’Etoile, Dora Bruder, Voyage des Noces, etj.. Modiano ka shkruar rreth 30 romane, skenarë për filma, drama… Ai është quajtur së fundmi si Marsel Prusti i kohëve moderne, sepse i rikthehet gjithnjë së shkuarës, por në mënyrën e tij origjinale. Ai nuk ngërthehet te kjo e shkuar dhe as mbetet peng i saj, por e prek përsëri atë, për të kërkuar identitetin. Modiano ishte bir hebreu italian që u vendos në Francë dhe e vuajti shumë antisemitizmin, kolaboracionizmin e të atit me Gestapon dhe iu rikthye kësaj teme gjithë jetën e tij. “Më duket sikur shkruaj gjithnjë të njëjtin roman”, shprehet ai.

– Sa kohë zgjati ky përkthim dhe ku ishin vështirësitë e tij?

Besoj rreth një vit, sepse ka kohë tanimë… Jam mësuar disi me autorët francezë, sepse prej tyre kam përkthyer shumë vepra: të Sartrit, të Simone de Beauvoir, të Mark Levit, të Andre Gide-t, e të tjerë. Por, Modiano kishte vështirësinë e tij të çuditshme: të dukej sikur ishte shumë i thjeshtë, e ndërkohë, sa më shumë e zbërtheja frazën e tij, aq më shumë kuptoja se me gjuhën, me fjalët, kisha të bëja me një majë ajsbergu dhe se duhet të hyja në thellësi të mendimit të tij të ndërlikuar për të kuptuar se çfarë donte të thoshte.

-Krijimtaria juaj është shumplanëshe, pasi keni lëvruar përgjithësisht prozën e gjatë, dramat por dhe skenarësh filmash. Ku është ndjerë më mirë Diana?

Tek romani, padyshim. Edhe gjinitë e tjera kanë tërheqjen e tyre, por secili autor ka një gjini ku ndjehet në elementin e tij. Mua më duket sikur lëvroj më mirë romanin…

-Si do ta cilësonit letërsinë e realizmit socialist? A ka nxjerrë vlera ajo letërsi, e cila sot po tentohet të mohohet plotësisht?

Në atë periudhë u shkruan vepra mjaft me vlerë, si vepra të Kadaresë, Agollit, Arapit, e shumë të tjerëve që tashmë kanë hyrë në fondin e artë të letërsisë shqipe. Mohimi i së tërës nuk është asnjëherë objektiv, por me kohë gjërat thjeshtohen, veprat e mira mbeten, të dobëtat nuk kujtohen më.

-Cili ka qenë roli i Lidhjes së Shkrimtarëve te krijuesit e atij regjimi, a ka qenë një institucion nxitës për krijuesit e rinj dhe mbrojtës i krijuesve përpara detyrshmërisë ideologjike të veprave?

Si çdo institucion i asaj kohe edhe Lidhja padyshim që duhet të ndiqte rregullat e caktuara. Klimë krijuese kishte, por letërsinë e mundonte ideologjia dhe censura.

-Kur e keni ndjerë veten më keq në atë regjim si krijuese?

Unë i kam fillimet e botimeve të mija pas mesit të viteve ‘80, pra kur kishte një atmosferë pak më liberale dhe munda të shkruaj skenarin e filmit “Hije që mbeten pas” apo romanin “Dreri i Trotuareve” që nuk ishin dhe aq respektues të kanoneve të realizmit socialist. Kjo ndodhi dhe me gjithë krijuesit e asaj periudhe. Pastaj erdhi shpejt ndryshimi dhe unë botova lirisht shumicën e veprave të mija pas viteve ‘90.

– Një dhunti e juaj përkthimi. Njiheni ndër përkthyeset më të mira të 20 viteve të fundit. Si nisi rrugëtimin përkthimi tek ju. Kush ishte nxitës dhe cila ishte vepra e parë që keni përkthyer? Si e kujtoni përkthimin e dhe botimin e veprës së parë?

Mendoj se përkthimi bën pjesë tek puna e shkrimtarit. Kur nuk shkruaj një veprën time, kam dëshirë të “komunikoj” me një shkrimtar të mirë dhe asgjë nuk ka më shumë efekt pozitiv në krijimtari se sa kjo marrëdhënie. Është shkollimi im letrari vazhdueshëm. Përkthimi përmban shumë dashuri brenda: dashurinë për fjalën, për letërsinë, për autorin, për gjuhën shqipe, të cilën e lëmon, e pasuron e zhdërvjelltëson…Mbaj mend se një nga përkthimet e para ka qenë “Sinfonia pastorale” e Andre Gide-t, një libër i vogël, i mrekullueshëm… Por, edhe kur isha studente në fakultet të letërsisë, përktheja për veten time dhe për shoqet e mija libra të autorëve të ndryshëm, pa i botuar, se botimi i tyre asokohe ishte i pamundur. Dashuria ime dhe për gjuhët e huaja, që i mësoja paprerë ma përforconte këtë lidhje. Tani e kam shndërruar në një tjetër profesion timin.

Mendoni se sot femrat shqiptare po bëhen një zë i fortë në fushën e krijimtarisë?

Do të thoshja më saktë “gratë shqiptare”, si maniake gjuhe që jam. Ka emra të fortë, mes tyre do të veçoja Mira Meksin që tashmë ka përmbushur një karrierë mjaft dinjitoze e me cilësi të lartë letrare. Një zë shumë origjinal dhe interesant, i ardhur vitet e fundit është Vera Bekteshi me dy librat e saj të botuar. Do të përmendja dhe disa autore që shkruajnë jashtë Shqipërie si: Ornela Vorpsi, Elvira Dones, Anilda Ibrahimi, që kanë patur sukses. Por, letërsia nuk është prodhim industrial dhe nuk mund të matet me numra. Mund të kalojnë dhe shumë vite e të presim të dale një talent i ri. Mund të kalojnë dhe 50 vjet pa një shkrimtar ose një shkrimtare të mirë. Sepse letërsia ka ligjet e saj të pangjashme me ato të shoqërisë. Letërsia është si “sita”, ku shkundet rëra për të gjetur pak kokrriza ari.

Jetëshkrimi

Diana Culi u lindi më 13 prill të vitit 1951 në Tiranë, është shkrimtare, publiciste dhe politikane shqiptare. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Veprimtaria profesionale

Profesioni : Shkrimtare, gazetare, eksperte në fushën sociale.

Gjatë viteve 1973 – 1990 ka ushtruar detyrën si gazetare në gazetat “Drita” dhe Revista “Les lettres albanaises”.

Gjatë viteve 1990 – 2000 ka ushtruar detyrën Presidente e Forumit të Pavarur të Gruas.

Gjatë viteve 1993 – 1998 ka ushtruar detyrën Presidente e Forumit të OJQ-ve Shqiptare.

Gjatë viteve 2004 – 2005 ka qenë përfaqësuese e Shqipërisë në Komisionin e Kulturës në KE.

Gjatë viteve 1995 – 2005 ka qenë anëtare e Bordit Interballkanik të Grave; anëtare e Këshillit Mesdhetar të Grave.

Veprimtaria politike

Karriera politike ka qenë e lidhur indirekt me hartimin e ligjeve të ndryshme, oponenca etj. Deputete e PSD.

Publikime

Ka botuar 7 romane, 2 vëllime me tregime, drama, skenarë filmi, artikuj, studime letrare brenda dhe jashtë vendit.

1. Dreri i trotuareve

2. Dhe nata u nda ne mes.

3. Engjëj të armatosur

********************************************************

Box me vete

Botimet “Toena”

Romanin “Në kafenenë e rinisë së humbur”, është i përkthyer nga shkrimtarja Diana Çuli

Autori Patrick Modiano, merr çmimin “Nobel”nga Akademia Suedeze.

Autori Patrick Modiano, i cili para disa ditësh mori çmimin “Nobel” nga Akademia Suedeze, do ta gjeni në shqip të botuar nga TOENA. Romanin “Në kafenenë e rinisë së humbur”, të përkthyer nga shkrimtarja Diana Çuli, do ta gjeni në të gjitha libraritë “Toena” si dhe në libraritë e tjera të mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në kafenenë e rinisë së humbur”, i Patrick Modiano

Patrick Modiano u lind në Boulogne-Billancourt të Francës në vitin 1945. Është autor i shumë romaneve, librave për fëmijë dhe skenarëve. Botohet rregullisht që prej vitit  1968 nga një prej shtëpive më të mëdha botuese franceze, “Gallimard”.  Gjatë karrierës së tij të gjatë ka marrë veç të tjerave dy nga çmimet më të mëdha letrare që jepen për letërsinë franceze: “Grand prix du roman de l’Académie Française, 1972”, “Prix Goncourt, 1978”. Thuajse të gjitha veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në gjuhët më të mëdha të botës, si gjermanisht, anglisht, spanjisht, suedisht etj.. I vetmi libër që do të gjeni në shqip nga ky autor është botuar nga “Toena” në vitin 2010 dhe mban titullin “Në kafenenë e rinisë së humbur”, përkthyer nga shkrimtarja Diana Çuli.

Pjesë  nga libri

Edhe sot e kësaj dite, natën, më duket sikur dëgjoj një zë që më thërret në mbiemër, në rrugë. Një zë i ngjirur. Ai zvarritet paksa në rrokje, por unë e njoh menjëherë: zëri i Lukit. Kthehem, por nuk ka asnjë njeri. Jo vetëm natën, por edhe në ato pasdreke të zbrazëta të verës, ku nuk e di më plotësisht se në ç’vit ndodhesh. Gjithçka, fillon të ecë si më parë. Të njëjtat ditë, të njëjtat minuta, të njëjtat vende, të njëjtat ngjarje. Rikthimi i Përjetshëm.

Të dhënat teknike:

 Autori: Patrick Modiano

Titulli: Në kafenenë e rinisë së humbur

Lloji: Roman

Përktheu nga frëngjishtja: Diana Çuli

Shtëpia Botuese: Toena

ISBN: 978-99943-1-610-6

Formati: 13 x 20 cm

Faqe: 116

Çmimi: 700 lekë

Albert Z. ZHOLI