“Dhoma e qelibartë”: A jemi pranë zbulimit të njërit prej sekreteve të shekullit të kaluar?

656
E famshmja “Dhoma e qelibartë” e Pallatit të Katerinës, vendndodhja e të cilës pas vjedhjes nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore është kthyer në një nga misteret më të mëdha të shekullit të XX, mund të jetë gjetur nga një ekip arkeologësh polakë.Sipas tyre, kjo kryevepër arkitekturore që disa e konsiderojnë mrekullinë e tetë të botës, gjendet në një tunel nëntokësor në afërsi të Kalasë Paslek, në veri të Polonisë.
Parashikohet që verën e ardhshme të fillojnë punimet arkeologjike për të zbuluar nëse arkeologët kanë të drejtë, shkruan Dita.
Vendndodhja e mundshme e paneleve të qelibarit që dekoronin sallën e famshme u zbulua falë një anomalie të regjistruar në vjeshtë të 2016-ës gjatë një hulumtimi arkeologjik në zonë me radarë dhe tomografi.
Mendohet se aty ndodhet një tunel sekret që lidh kështjellën dhe rrethimet e kishës së Shën Bartolomeut.
Sipas legjendës, ekziston një rrjet korridoresh dhe tunelesh nën kështjellën Paslek.
Hulumtuesit bazohen edhe në dëshmitë që pretendojnë se në vjeshtë të vitit 1944, kamionë të ngarkuar me kuti hynë në territorin e kështjellës në mes të natës. Autoritetet lokale kanë autorizuar punimet arkeologjike me shpresën e tërheqjes së turizmit.
Dhoma e Qelibartë, e projektuar nga mjeshtër gjermanë, iu dhurua perandorit rus Pjetri i Madh në vitin 1716.
Ajo u zhduk gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi u vodh nga trupat naziste që plaçkitën Pallatin e Katerinës, të vendosur në qytetin Pushkin, në rrethinat e Leningradit. Pista humbet në Königsberg, që u quajt Kaliningrad pas luftës. Që atëherë fati i Dhomës së qelibartë nuk dihet.
Në vitin 2003 u inaugurua një kopje e dhomës në Pallatin e Katerinës, e cila tani është një muze. Në ndërtimin e saj, që filloi në vitin 1979, janë përdorur 6 ton qelibar.
Dhoma e qelibartë e veshur me qelibar, pasqyra dhe mozaikë mermeri, është një thesaret më të mëdhenj të krijuar nga dora e njeriut dhe është subjekt i disa prej historive më intriguese për kërkimin e saj ndër vite. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të “gjahtarëve të thesareve”, paretet prej qelibari nuk janë parë më.
Sigal