Dhimitër Orgocka merr titullin e merituar “Mjeshtër i Madh”

557
Sigal

Gazeta Telegraf/

Aktori dhe regjisori mes lotësh
merr dekoratën e akorduar nga Presidenti i Republikës


Një emër tashmë tepër
i njohur i kinematografisë shqiptare dhe i artit skenik teatral. Vite të tërë
pune si aktor dhe si regjisor lanë gjurmë në historinë artistike. Dhimitri është
pjesë e një gjenerate të jashtëzakonshme artistësh të mëdhenj që me ngjyrat
bardhezi i falën plot ngjyra emocionesh publikut dhe spektatorit, i cili
mbresat i ruan dhe sot të freskëta. Dhe kjo punë e tij e palodhshme në dekada,
sot në pension, do të marrë vlerësimin e merituar nga dekorimi i presidentit të
Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani në një aktivitet tepër emocionues dhe
mbresëlënës në Pallatin e Kulturës më emrin e tij “Dhimitër Orgocka” Maliq,në
kujdesin e kryetarit të bashkisë z. Gëzim Topçiu dhe drejtorit të kulturës z. Festim
Tomorri. Dhe pikërisht ditë e premte 21.10.2016 në ambientet e shtëpisë së
kulturës,ku merrnin pjesë përfaqësuesit e presidencës, kryetari i bashkisë
Maliq, familjarë të artistit, miq dhe shokë të tij, aktorë të teatrit Andon
Zako Çajupi Korçë, poetë e shkrimtarë, intelektualë, media vizive mësues dhe
gjimnazistë. U zgjodh kjo shtëpi ku ai do dekorohej nga presidenti,pasi
kontributet e tij vazhdojnë edhe sot pa u lodhur në qytetin e Maliqit. Aktiviteti
filloi në orën 11.00 ku fillimisht do të ndiqej një dokumentar artistik
kushtuar veprimtarisë së gjerë të Dhimitrit në kinematografi dhe teatër. Dhe jo
pak role. Një punë e përkushtuar dhe e palodhur, me çmime edhe jashtë atdheut, ku
gjurmët ndihen kudo. Më pas do e marrë fjalën sekretari i përgjithshëm i
presidencës për t’i dhuruar titullin e akorduar nga z. Bujar Nishani, “MJESHTËR
I MADH” me motivacionin: “Për ndihmesën e jashtëzakonshme të dhënë në
artin shqiptar, si aktor dhe regjisor i suksesshëm i dhjetëra shfaqjeve të
realizuara në skenën teatrale dhe kinematografike shqiptare”
. Ndërkohë e gjithë salla shpërthen në duartrokitje ku të gjithë
ngrihen në këmbë duke respektuar titullin e merituar artistit të madh.
Emocionet me të vërtetë ishin të mëdha dhe kjo u vërejt e në lotët e Dhimitrit.
Më pas do të rridhnin si ujëvarë bjeshkësh urimet e shumta dhe buqetat me lule
që po fshihnin portretin e aktorin që me shaka tha -“ më mbuluat me lule dhe
vetëm koka po me duket jashtë’’. Tepër emocionuese ishte dhe fjala e vajzës së
tij, që gjithë kohës mbeti e përlotur. – “Falënderoj presidentin për nderimin e
madh kushtuar babait, falënderoj kryetarin e bashkisë Maliq,që e bëri tim atë
të ndihet më tepër qytetar Maliqi sesa Korçë, falënderoj të gjithë
pjesëmarrësit në këtë sallë të ndezur në duartrokitje dhe respekt. Ndihem
krenare dhe për ty baba që dite të na edukoje aq mirë,po aq krenare ndihet dhe
nëna që të ndjek nga lart në çdo hap që ti ecën”. Po ashtu fjalën e mori
kryetari i bashkisë z. Gëzim Topçiu, i cili vlerësoi punën e madhe dhe të
palodhur të Dhimitër Orgockës. Gjithashtu folën pjesëtarë nga teatri i Korçës,
nga këshilli bashkiak Maliq, nga këshilli i qarkut, nga shoqata Atdhetare-Kulturore
“Gora”, nga grupi i poetëve dhe shkrimtarëve gorarë, Por pati dhe urime nga
Amerika, Maqedonia, Bullgaria, Kina etj. Veç urimeve të shumta do të nderonin
në 80-vjetorin e aktorit dhe një grup këngëtarësh të mirënjohur si: Spiro
Rroko, Mateus Frroku, Lazarela, e të tjerë. Por qershia mbi tortë ishte grupi i
Kolonjës me melodinë e ndezur kolonjare nën ritmin e kabasë. Si ndizen dhe qirinjtë
e tortës, të gjithë trokasin gotat dhe urojnë në koktejin e organizuar nga
bashkia në respekt të kësaj dite plot rëndësi edhe vlera jo vetëm për Dhimitër
Orgockën, por dhe për vet qytetin e Maliqit. Sigurisht falënderimet i shkojnë
gjithë organizatorëve të këtij evenimenti, por dhe presidentit të Republikës z.
Bujar Nishani që vlerëson figura të shquara të artit skenik shqiptar. Të kësaj
elite aktorësh që mbeten pasuri kombëtare, me emocionet e pashteruar së
dhuruari art publikut shqiptar. I dashur Dhimitër ta gëzosh titullin e merituar
dhe 100 pranvera plot jetë! Qofsh jetëgjatë dhe gjithmonë i palodhur!

Besnik Bedollari