Dhimitër Gjoka/ Ekrani në mbrëmje

724
Sigal

Lind pyetja se ekrani duhet të imponoj shikuesit me programin e tij, apo teleshikuesit duhet të kërkojnë atë program që ata kanë në shijet e tyre, që pëlqejnë më shumë dhe që kanë dëshirën e të realizuarit? Duke qenë në qendër të vëmendjes të çdo diskutimi pikërisht kjo logjikë veprimi, hartuesit duhet të bazohen edhe në përvoja të shumë televizioneve ndërkombëtare. Kjo përvojë e alternuar edhe me atë se ç’ka dëshiron teleshikuesi ynë ka sjellë rezultat të prekshëm të dëshirueshëm për të”. Kështu e fillon pjesën e tretë të librit autori. Tematikat që ai përcjell në këtë pjesë janë nga më të harmonizuar për të qenë i qetë shpirtërisht, i motivuar, i dëshiruar për një natë të paqtë dhe për një mbrëmje familjare në kushte komode. Vetë autori në libër nuk u jep në këtë pjesë hapësirën që zotërojnë sot emisionet politike, si më të ndjekurat në vend. Ideja dhe mendimi i tij është krejt ndryshe dhe si regjisor dhe si gazetar. Personalisht vetë jam akoma më kundër debateve politike që stërzgjaten me orë të tëra saqë po kthejnë në “politikanë“ dhe fëmijët 10-vjeçarë. 

Media është një shembull i propagandimit të kulturës
Media është një shembull i propagandimit të kulturës, qytetarisë, mirësjelljes. Gazetaria, si çdo fushë tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme. Ndërkohë që realiteti është kryekëput ndryshe. Aktualisht tek ne disa analistë kanë formuar ciklet e tyre të mbyllura, ku nuk ka mendim të freskët, analizat kanë nisur të myken brenda standardeve të njohura pa njohur reformime dhe ata shfaqen në të gjitha fushat, në të gjitha televizionet duke dhënë mendime për të gjitha problemet, që nga lakrat, tek decentralizimi, që nga përrallat me mbret tek alergjia e stinës së pranverës, duke e shfaqur veten të kudondodhur dhe të shumëditur, sikur të jenë specialistë për gjithçka. Në përballjet televizive mes politikanëve, analistëve dhe njerëzve të thjeshtë që diskutojnë për problemet e tyre, janë njerëzit e thjeshtë ato që dalin liderët e vërtetë të analizës, politikës dhe gjendjes aktuale, dhe jo kjo klasë e huazuar tek “interesi” i ndërsjellët. Në këto debate befasohen jo vetëm dëgjuesit, por edhe vetë drejtuesit e tyre dhe po aq më shumë politikat e ftuar, për vetë gjuhën e ashpër, fyerjet, sharjet, alibitë, akuzat, saqë thua je në gjykatë apo në televizion. Ky libër është kundër këtyre shfaqjeve, pasi vetë shikuesit janë viktimat e politikave dhe analizave të tradhtuara, që në fakt duhet të shërbejnë për ta vënë para përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit politikën dhe jo popullin në adut për të parë sajesa që nuk i mban as një mendje fëminore..
Në mënyrë të veçantë gjuha
Në këtë libër pjesa që më ka pëlqyer më shumë mbetet fjala, artikulimi i saj, përcjellja në ekran e fjalës së bukur, përjashtimi i zhargoneve, të folurit me gjuhën standarde, jashtë krahinizmave dhe dialekteve. Kjo është detyra numër një e çdo folësi televiziv shprehet autori. Dhe me të drejtë…Por ndërsa lojërat e moshës bëjnë të vetat, përdorimi i fjalëve të huaja ka zaptuar shtresën e lartë të shoqërisë. Elita, fut këtu dhe politikanët, ose përdorin një gjuhë të pakuptueshme ku frazat dhe terminologjitë mbizotërojnë, ose bien kryekëput në hulli mendimesh, që i çojnë dhe të tjerët në qorrsokak. Duke sjellë një hendek të madh mes politikës së tyre të pakuptueshme dhe popullit të thjeshtë. Karakteristikë e Parlamentit shqiptar është përdorimi pa fund i frazeologjisë së rënduar me sofizma. Por ndodh një fenomen i çuditshëm. Kur sherret janë pikante dhe ndoshta nga më të vështirat, pra në momentet më delikate të karriges së tyre funksionare, me shumë dashuri politikanët i kthehen gjuhës së popullit duke i nxjerrë dhe me tepri nga bagazhi i tyre. Shumë herë këta të fundit në kulmin e kontradiktave të mendimit nuk kanë turp të shqiptojnë dhe fjalë të ndyra që janë kundër etikës së komunikimit. Por, fundi i fundit jemi shqiptarë dhe siç thotë Dritëroi, nuk ndjehemi rehat nëse nuk ulërijmë për të nxjerrë marazin tonë dhe nuk shqiptojmë ndonjë fjalë të ndyrë ose ngremë dorën. Vetëm një pjesë e madhe intelektualësh që e duan veten e tyre, që vlerësojnë më shumë se gjithçka atdheun ku kanë lindur, bëjnë maksimumin e tyre për të gjetur fjalë që kanë një tingull të bukur në shqip. Sigurisht që meritën e madhe e kanë përkthyesit e mëdhenj si Shvarc, Nonda, Varfi që nëpërmjet përkthimit të perlave të letërsisë kanë qëndisur gjuhën shqipe. Pa harruar këtu dhe shkrimtarët e mëdhenj që nga Naimi, Kadare, Dritëroi, Xoxe që rrëmojnë në thesarin e popullit për të gjetur kryevepra. Një fjalë shqip që populli e ka krijuar me shumë mençuri tingëllon vlerë dhe respekt për ta futur në gjuhën e mendimit dhe të shprehjes. Një mendimtar i madh ka thënë që, bota është një fshat i madh, ku të gjithë pak a shumë ngjajmë me njëri- tjetrin. Na ndan vetëm e shkuara, kultura që paraardhësit na kanë transmetuar dhe do i trashëgojmë në të ardhmen. Shumë gjëra do ndryshojnë në të ardhmen. Por një gjë është e sigurt: koha do filtrojë modat, por jo shqipen e kulluar. Ajo është pasaporta jonë, gjaku i jetës së shqiptarëve në shekuj… Për atë gjuhë duhet të luftojmë të gjithë. Gjuha është kultura më dinjitoze dhe më përcaktuese e një kombi.