Dhimitër Anagnosti mbush 80 vjeç, feston mes kolegësh

778
Dhimitër Anagnosti regjisori i njohur I kinematografisë shqiptare mbush sot 80 vjeç. Të afërm, artistë I kanë uruar atij ditëlindjen në një festë speciale dhe me një tortë që kujton një jetë të tërë me filmin.
Në krah të regjisorit është bashkëshortja e tij aktorja e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artiste e Merituar” Roza Anagnosti. Ai ka lindur në Vuno të rrethit të Vlorës më 23 janar 1936
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën , “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë realizoi i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Ai është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10 të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Sigal