Dëshira Subashi:“Humanizmi dhe solidariteti ndriçojnë shpirtin e njeriut”

142

Dëshira Subashi, do të mbahet mend gjatë për shpirtin e saj luftarak,  në KQZ, kur ishte nënkryetare, e sidomos në momentet me kritike, që kaloi vendi, kur nga një vendim i KQZ-je u lidh ecuria e një katërvjeçari të vendit. Dhe Dëshira  Subashi, për këmbënguljen dhe shpirtin (zjarrin) e debatit dhe të polemikës, u njehsua në një simbol të opozitës, për më tepër edhe për thellësinë e argumentit profesional, në dallim me brutalitetin dhe arrogancën e ushtrimit të forcës nga të urdhëruarit. Ndërsa tani, Dëshira Subashi, nga simbol i opozitës, është tërësisht në heshtje, thua se kontributi i saj ishte një flakë kashte, që u shua me …ujin e parë. Në këtë rrëfim shpirtëror, të Dëshira Subashit për “Telegraf’-in e së Dielës”, do të njihemi edhe me botën e saj shpirtërore dhe morale, të një protagonisti që dha një shembull, sesi njeriu duhet të luftojë në emër të së mirës të përgjithshme, dhe jo aq, në shërbim të një qëllimi  të vetëm, egoist, personal.

 Zonja Subashi, këto kohë që jeni tërhequr në jetën private, cila është e mira që ju mbush ditët tuaja?

– Prej nëntë muajsh unë kam mbaruar mandatin e punës si anëtare e KQZ-së dhe nga ajo kohë nuk kam angazhime pune. Ju thoni se jam tërhequr në jetën private. Në të vërtetë unë nuk jam tërhequr vetë në jetën private. Unë në këtë periudhë të gjatë, vazhdimisht kam mbetur në pritje për çdo ditë, për çdo muaj e rimarr detyrën e gjyqtarit, por, që padrejtësisht, strukturat përkatëse nuk e kanë bërë. Është e drejtë që ma ka garantuar ligji. Në pritje të detyrës, kam bërë jetën time private. Jam gjithnjë aktive në detyrimet dhe dëshirat e mia. Një përkushtim të veçantë detyrimeve familjare. E bukura, e mira që më kënaq  në këtë periudhë është se kam kohën e mjaftueshme të shkruaj.

– Po çfarë ju mungojnë?

Më mungojnë detyrimet zyrtare të  përditshme. Në të vërtetë këto detyrime nuk janë të përjetshme. Vjen një ditë që ato mbarojnë. Mua më mungojnë nga fakti se ende nuk jam në këtë moment. Në pritje të detyrës së re të gjyqtarit, patjetër që ky impenjim më mungon.

Cilave  gjëra dhe vlera, ju, në këtë kohë, i keni ridhënë një dimension më real dhe përse ka ndodhur?

Unë në të gjithë jetën time kam qenë idealiste e drejtësisë dhe ndershmërisë në punë. Në të vërtetë prej kohësh jam e bindur se këto vlera nuk kanë prodhuar të pritshmen time. Kam qenë e thuajse e bindur se parimet kanë vlera të mëdha shoqërore edhe kur ato nuk vijnë në kohën që ndodhin. Përkushtimi me idealizëm në punë, fatkeqësisht nuk vlerësohet në shpërblim. Ky fakt më ka bërë të mendohem për vlerat që merr realizmi në raport me idealizmin. E gjykuar në kohë, kësaj vlere idealiste i kam dhënë vlerën realiste të kohës, edhe pse mbart, në vetvete, më pak vlera për shoqërinë.

– Nëse do të kishte një peshore matëse të vlerave morale për njeriun, në cilën kah do të anohej peshorja,  po të “matnim” këto vlera morale që kanë përfituar njerëzit në këto vitet e tranzicionit?

Peshorja është pajisja e përcaktimit të vërtetë të vlerave. Tranzicioni në vendin tim në 23 vite ka prodhuar padyshim vlera pozitive, por, pse jo, edhe negative. Është krejt e natyrshme, por gati është edhe e  pamundur që në një interviste t’i thuash vlerat morale të një njeriu, a të një shoqërie. Ajo vlerë njerëzore që kam perceptuar në këto vite, përgjithësisht, është rendja me “vrap” ndaj interesit të ngushtë vetjak e njerëzve të pushtetit me çdo kosto morale. Pjesë e shtetit kam qenë edhe unë në këto vite tranzicioni. Besoj në vetvete se kahu i peshores sime ka qenë kahu tjetër i saj. Kurrë nuk kam rendur pa moral! Në këto vite të tranzicionit është perceptuar se mund të përfitohet edhe pa moral, duhet të jetë një vlerë në kalim, por unë kam motivin e jetës  dhe kam luftuar që  peshorja duhet të anojë nga sjellja me moral. Sjellje me moral që do të thotë zbatimi me përgjegjshmëri i normave juridike dhe morale të shoqërisë dhe ndëshkim të atyre që prishin këtë peshore.

–  Është një paradoks. Që të gjithë kërkojnë nga të tjerët, duke i fajësuar njëkohësisht, ato gjëra që ende nuk i kemi arritur si shoqëri, pa u bërë merak nëse nuk i gjejnë të vetvetja.

I vërtetë ndoshta konstatimi që bëni me pyetjen tuaj. Në shumë aspekte njeriu është i prirur ta kërkojë tek tjetri një gjë që nuk shkon mirë, një gjë që nuk realizohet në pritshmërinë e individit. Shpesh, por jo absolut, pa parë raportin edhe me detyrimet e veta. Ndaj jemi shoqëri në tranzicion. Do të merrte shumë vlera në të vërtetë shoqëria, nëse llogaria e kërkesave të drejtohej nga vetja edhe për gjera të vogla që ke në dorë të bësh. Tek personat publikë, apo zyrtarë, është krejt e kuptueshme që kjo normë merr një vlerë të madhe në shoqëri. I gjithë veprimi, apo mosveprimi është në raport me kulturën e zbatueshmërisë së ligjeve, të normave apo të rregullave që organizojnë shoqërinë. Nuk mbetet për ta thënë unë, sepse është thënë nga shumë të tjerë. Një pjesë e shoqërisë sonë ndaj pjesës tjetër, është thënë madje edhe nga ndërkombëtarët, që na vëzhgojnë e vlerësojnë, se na mungon kultura e zbatueshmërisë së ligjit. Gishtin e drejtojmë atëherë kur prekemi nga dikush, në të drejtat tona . Mirë bëjmë edhe ne këtë rast, por zëri duhet ngritur fort jo vetëm në interesin vetjak, por edhe kur dikujt tjetër i shkelen të drejtat, edhe kur dikush nuk ndëshkohet nga mosrespektimi i rregullt i ligjit, apo rregullit. Është pyetje e bukur dhe me shumë vlerë, që ju njerëzit e medias, ndoshta më shumë, duhet ta thoni, ta kërkoni, ta ngulisni në mendjen e lexuesit, ashtu siç bëni për shumë tema të tjera.

–  A përpiqemi që të bëhemi më të mirë në vetvete, pastaj, të pretendojmë që të bëjmë më të mirë edhe shoqërinë?

Personalisht, mendoj se e kam bërë jo në një kohë, jo në një vend, por në të gjithë jetën time, në çdo raport. E kam bërë edhe pse në ndonjë rast kam marrë kosto private të pamerituara. Tranzicion. Edhe tani, që prej nëntë muaj qëndroj në jetën private duke pritur, është padyshim kosto e asaj  që më pyesni. Në një detyrë të vështirë në KQZ, tejet të vështirë, kam bërë më të mirën e detyrës, duke menduar se i bëj mirë vendit tim e gjithë shoqërisë. Nuk besoj se ndodh përgjithësisht. E dukshme, e ndjeshme bëhet tek personat e pushtetshëm, tek politikanët.

Zonja Subashi, cilët faktorë ndikuan që zgjedhjet e 23 Qershorit u zhvilluan brenda një normaliteti të pranueshëm, e dallueshme nga çdo herë tjetër në këto 22 vjet demokraci?

Është e vërtetë se zgjedhjet e 23 Qershorit përfunduan brenda një normaliteti, dallueshëm nga zgjedhjet e mëparshme. Zgjedhjet e mëparshme në ditën e zgjedhjeve përgjithësisht kanë qenë thuaj si në 23 Qershor. Dallimi i madh ishte faza e numërimit të votave dhe rezultatit zgjedhor. Normalitetin, mendoj, se solli diferenca e votave midis kampeve politike. Ky ishte faktori që ndikoi drejtpërsëdrejti në këtë situatë post zgjedhore. U desh populli të zgjidhë një sëmundje politike në 20 vite, në çështjen e zgjedhjeve dhe ndoshta me një rëndësi historike për fundin e tranzicionit. Tashmë jemi para dy raunde zgjedhjesh, në vitin 2005 dhe në vitin 2013, që arrihet një rotacion politik, pa kontest. Besoj ishte zgjidhje e dhënë nga verdikti i popullit, i dëshiruar nga pritshmëria e faktorit ndërkombëtar, ku mendohet të aderojë Shqipëria.

– Cilat duhet të jenë reflektimet që duhet të nxjerrim nga mësimi që na dha procesi i zgjedhjeve  të 23 Qershorit, qoftë nga mënyra sesi u zhvilluan, qoftë edhe nga çfarë dha si rezultat?

Procesi i zgjedhjeve të 23 Qershorit, në gjykimin tim, dha dy panorama që vlejnë për një reflektim në të ardhmen. Një administratë zgjedhore garante e paanshme, e besueshme ndaj opozitës. Stop dhunës e arrogancës së administrimit të vullnetit të popullit.

Këto zgjedhje, mos vallë dëshmuan që edhe KQZ-ja të jetë apolitike, por edhe gjithë administrata zgjedhore, për t’i dhënë procesit zgjedhor besueshmërinë, lirinë dhe ndershmërinë?

Këto zgjedhje treguan se administrata zgjedhore funksionon edhe kështu siç është, pra me përfaqësim politik, nëse politika dhe politikanët reformohen dhe tregojnë vullnet për të zbatuar ligjin. Ishin komisionet zgjedhore të qendrave të votimit,  komisionet e zonave zgjedhore dhe numëruesit qe kryen korrekt me ligjin detyrat e tyre dhe gjithçka dha përfundimin e dëshiruar. KQZ-ja, me keqardhje, në gjykimin tim, mbeti prapa pritshmirëve, mbeti nën ndikimin politik, për të patur një proces zgjedhor me konsensus, siç e kërkojnë normat e miratuara në ligj, por edhe normat ndërkombëtare, Kodi i Praktikave të Mira Zgjedhore të miratuar nga Komisioni i Venecias. Ndaj, mbetet për t’u trajtuar në reformën e pritshme, si një angazhim i pambyllur në rekomandimet e ODIHR-it nga zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2011.

Atëherë, kjo provon se vetë partitë politike investojnë shumë mbi konfliktualitetin e procesit zgjedhor, për të përfituar ato, në dëm të kundërshtarit, në dëm të standardeve. Është kështu?

Po. Partitë politike kanë zgjedhur një model të administrimit zgjedhor, me përfitime politike, që padyshim mbajnë në vetvete konfliktualitet, për shkak të interesave partiake.

– Po vetë politika çfarë mësime duhet të nxjerrë?

Pas vitit 1992, besoj se është viti 2013 që politika të ketë marrë një mesazh të mirë nga zgjedhja e popullit. Populli  tregoi se voton një herë në katër vite, për t’i shërbyer atij dhe jo për ta lodhur atë, jo dhunës së pushtetit. Verdikti i sovranit foli shumë për politikanët. Të shpresojmë që qeverisja të kthejë lapsin e spontimit të premtimeve.

– Ju do të bazonit arritjen e qëllimit që përcaktoni, me çdo çmim?

– Në kuptimin pozitiv, besoj se unë kam punuarfortpërdetyrën publike në arritjen e qëllimit, me një çmim jo të vogël vetjak. Në kuptimin negativ, asnjëherë nuk kam patur objektiv apo qëllim edhe pse në jetë kam ndeshur se ka të tillë që për një qëllim të caktuar paguajnë një çmim të lartë të personalitet kryesisht.

– Po, përse ndodh kjo në politikë?

Ndodh në një politikë të pazhvilluar, në një politikë ndoshta primitive, në politikat pse jo edhe diktatoriale. Natyrisht, në demokraci nuk duhet të ndodhë, por sa të kemi një demokraci të vërtetë, do të kemi të pranishëm të tilla qëllime që do të kërkohet të arrihen me çdo çmim, duke shpërfillë kostot shoqërore.

– A ka  shpjegimin  kjo tek  ndërgjegjja shoqërore e shoqërisë tonë, e cila ende është larg emancipimit e kulturës demokratike?

Kam përshtypjen se shoqëria ka ndërgjegjen me një kulturë më të emancipuar e demokratike. Askurrë nuk dëshiroj një veprim që nuk i shkon për shtat demokracisë. Ajo që ndoshta duhet të ndryshojë në kulturën demokratike është reagimi ndaj negatives. Reagimin shoqëror në mënyrë të organizuar e kemi jo si të një shoqërie të emancipuar. “Vepro tani” slogani që kryediplomati amerikan në Tiranë kërkoi nga shoqëria civile në Shqipëri. Shpresoj që këtë mesazh ta kemi moto të jetës, që atje ku cenohet e drejta jote, e drejta ime, e drejta atij është cenuar edhe e drejta jonë…

– Nëse do t’ju pyesja se a është në rrugë të mbarë shoqëria jonë, sot, kur pretendojmë se ecim në bulevardin e Demokracisë, ju ç’do të thoshit?

Shoqëria ecën më shpejt se politikanët në kërkesat e tyre drejt demokracisë së vendit. Këtë më së miri e tregoi kjo fushatë zgjedhore, e tregoi ky rezultat zgjedhor. Askush të mos mendojë se unë e lidh këtë me fitoren e PS-së. Unë këtë e lidh me mesazhin që përcolli vota e popullit.

– E ka fajin koha që jetojmë që ne, njerëzit tregohemi më pak humanë e solidarë ndaj bashkëkohësit tanë?

Një pyetje e bukur për mua. E ndjej në të vërtetë solidaritetin njerëzor, shoqëror që ekziston. Ndoshta egoizmi, pasiguria në jetë të mbyll në vetvete, të bën më pak solidar. Por kjo nuk duhet të jetë e përgjithshmja. Çdo njeri duhet të ketë motiv të jetës dhe të udhëhiqet nga humanizmi e solidariteti, që ndriçojnë shpirtin për t’u bërë më parë njeri i mirë për vetveten, e paskëtaj, të bëjnë më të mirë edhe shoqërinë ku jetojnë.

– Përse ia vlen që të jemi optimistë?

Optimizmi është jeta. Në të vërtetë le themi se kemi patur tranzicion të gjatë, të vështirë. Kaloi koha për ta mbyllur dhe për të qenë optimistë për të jetuar si gjithë të tjerët. Kemi të gjitha resurset natyrore dhe njerëzore për të qenë optimistë. Vlen një angazhim i politikave administruese për t’i gëzuar resurset.

– Çfarë duhet të çmojmë te njerëzit?

Gjithçka për të merituar çmimin e jetës, për të qenë njeri i mirë, i ndershëm dhe i respektuar. Njerëzit janë ata që bëjnë jetën dhe në emër të kësaj jete, gjithsecili  duhet të  investojë për cilësinë e tyre morale, shpirtërore, kulturore dhe pastaj, pse jo, edhe mirëqenien materiale.

“Familja, është jeta ime më e mirë”

 – Çfarë është për ju Familja?

Çdo kujt që i bëhet kjo pyetje, do të kishte vetëm një përgjigje. Familja është gjëja më e shtrenjtë në jetë. Është jeta ime më e mirë, për të cilën mund edhe të sakrifikoj nga vetja.

– Po të jepnit një vlerësim për Familjen Shqiptare, sot, ju me ç’nota do ta përshkruanit?

Familja shqiptare është me ulje ngritjet e veta, madje të mëdha. Mund të bëj pa ndroje të gjitha llojet e vlerësimeve për familjet shqiptare. Kemi familje të arrira në pritshmëritë e një familje, familje mesatare nga organizimi dhe funksionimi, por edhe shumë familje problematike për shumë arsye. Në familje ndikon dukshëm ekonomia, ndikon kultura , ndikon tradita, ndikon zhvillimi e shumë faktorë të tjerë. Ndaj, as që mund me një të rënë të lapsit, të përshkruaj nota për familjen.

Cilat janë shkaqet shoqërore, politike që kanë tronditur themelet e Familjes tonë sot?  Është morali? Është motivi i përvetësimit me çdo çmim i pasurisë materiale?

Nuk mendoj se motivi material është i vetmi. Është një nga arsyet pa diskutim të rëndësishme që trondit jetën dhe harmoninë familjare. E thashë, janë një sërë arsyesh të zhvillimit shoqëror, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën familjare.

 – Faleminderit!