Dervish Biba: “Më kanë urryer dhe kërcënuar të gjithë kur luaja Prokurorin që dënoi Avni Rustemin”

1673
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktori dhe regjisori i Teatrit të Fierit,  për dramën “Dy krisma në Paris”

Me origjinë nga Dibra, por jetën artistike e ka kaluar në trupën profesioniste të Fierit. Dhe nuk ishte e lehtë të kaloje nga mësues dhe të studioje për aktrim në atë sistem, por ishte kurajoja, studimi, guximi që e bënë atë aktor. Ka mbi 100 role në jetën e tij artistike si aktor, por dhe 15 vepra të vënë në skenë si regjisor. Të gjitha këto nuk janë pak në jetën e një artisti. Por mbi të gjitha rolet, ai që i ka ngjitur më shumë, është roli i Prokurorit në dramën “Dy krisma në Paris”, ku ai ka gjetur belanë me spektatorët, të cilët e shikonin me urrejtje, madje dhe e kërcënonin!…

Si lindi dëshira për aktrim?

Unë kam mbaruar shkollën pedagogjike për mësues në Peshkopi dhe kam punuar  pesë vjet në arsim. Në shkollë kam pasur një mësues, Shefki Hafizi, ai më mori për herë të parë në një inskenim që bëri ai poezisë “Vëllavrasja”. Unë luaja vëllanë që vinte nga mërgimi dhe kur i afrohet shtëpisë, vëllai tjetër mendonte se po vinte hajduti dhe vret vëllai vëllanë. Ishte viti 1958. Kur dola mësues kisha shumë dëshirë të inskenoja gjëra të ndryshme me fëmijët, u kërkoja nxënësve që të bënin hartime në poezi. Kështu  dy tre fëmijë më bënin hartime të tilla dhe unë i dërgoja tek revistat Fatosi dhe Pionieri. Njëkohësisht bëja dhe grupe të ndryshme artistike.

Dhe si kaluat në Institut të Arteve për aktrim?

Kur kisha tre vjet si mësues, më thanë hajde në Estradën Profesioniste të luash ndonjë rol. Mora pjesë  në dy-tre role dhe në një rast recitova dhe një poezi të Dritëro Agollit “Baballarët. Një poemë shumë e bukur që u pëlqye dhe u duartrokit. Në këtë kohë takoj një shokun tim që ishte në Institutin e Arteve, i cili një ditë më thotë: Pse nuk vjen në shkollë për aktor? Pse më pranojnë, i thashë? Hajde tha se përgatitemi bashkë. Të them të drejtën e mora me shumë frikë. Ku të shkoja unë nga Dibra aty.  Vij në Tiranë me shokun tim dhe takojmë profesore Drita Agollin, e cila më priti mirë. Ajo më ndihmoi shumë në përgatitje.

Kush ishte në juri?

Ishin plot 15 vetë nga aktorët dhe regjisorët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Pandi Stillo, Drita Agolli, Prokop Mima…Konkurruam mbi 150 vetë dhe u pranuan apo fituan 12 vetë. Nuk kishte asnjë vajzë.

Cilët  ishin shokët e tu të Institutit, duke qenë se keni shkuar me vonesë në shkollë?

Timo Flloko, Niko Kanxheri, Birçe Hasko, Gëzim Kame, Minella Borova, Llazi Serbo, Petrika Riza, Mevlan Shanaj, Kristaq Mitroetj.

Pas mbarimit të Institutit, ku shkuat?

U emërova në Shtëpinë e Kulturës në Dibër, ku qëndrova tre vjet. Arrita shumë suksese si regjisor.

Çfarë pjesësh keni vënë në skenë në këtë kohë në Peshkopi?

“Filizat”, një dramë për fëmijë të Lenka Bungos. Ishte vepra ime skenike e parë, e cila pati shumë sukses, dhe pse unë isha shumë i ri. Mora shumë vlerësime dhe kjo pjesë u dha 20 herë rresht në Shtëpinë e Kulturës. Pastaj duke punuar në Shtëpinë e Kulturës kam vënë shumë pjesë me gjimnazin dhe me trupat amatore. Atëherë Peshkopia kishte trupë profesioniste vetëm estradën. Me kooperativën e Prëzhdanit kam marrë çmim të parë  në një takim zonal në Lezhë. Me trupën  e Zerqanit kam vënë në skenë një estradë dhe më Komunalen e qytetit mora çmim të parë në një takim në Burrel, të gjitha si regjisor.

Çfarë të veçante ka pasur puna jote si regjisor dhe aktor në Peshkopi?

Hapa për herë të parë teatrin e kukullave në Peshkopi ku bëra dhe një pjesë “Kufitarët e vegjël” të cilën e vura vetë në skenë. Brenda një viti vura dy pjesë kukullash në skenë. Njëkohësisht bëja regjisorin nëpër ndërmarrje sikundër luaja dhe në estradë. Mund të them që në këtë kohë luajta tre role shumë të mirë në drama. Një rol ku kam marrë dhe medaljen e parë në jetën time, është drama “Rrënjët” e Kujtim Spahivoglit, ku luajta rolin e një fashisti. Kjo vepër ishte me pesë personazhe.  Ishte viti 1972 dhe takimi i trupave teatrore u bë në Durrës. Ishim 13 trupa teatrore nga gjithë Shqipëria. Kishte shumë entuziazëm. Pikërisht në këtë kohë kërkova që të shkoj në Fier, mbasi kishte një trup profesioniste të re. Si trupë e re, unë u nisa në start me shumë aktorë të tjerë. Pra në shkurt 1973 shkova në trupën teatrore të  Fierit. Kjo trupë  ishte krijuar në 1971 dhe kishte vënë në skenë dy drama.

Cilat ishin ato drama?

Veçoj njërën. Ishte drama “Njollat e murrme”, e cila u anulua në shfaqjen e 12, pasi u kritikua nga ana ideologjike. Ishte një dramë e Leka Bungos. Ishte periudha e Festivalit të 11-të në RTSH. Në këtë kohë më ra në dorë drama “Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços. Vij takoj Teodroin  në Tiranë dhe i them se kam ndërmend të vë në skenë këtë vepër. Ra dakord menjëherë. E bëra prezent në këshillin teatror, ishin dakord. Pra në Fier vepra (puna) ime e parë ishte si regjisor në këtë dramë ku njëkohësisht luajta dhe vetë një rol. Shfaqja shkoi shumë mirë. Ishte regjia ime e parë në trupat profesioniste.

Sa vepra keni vënë në Fier si regjisor?

Mund të kem vënë rreth 15 vepra. Ndërsa si aktor kam luajtur rreth 100 role. Madje mund t’i kem kaluar. Ishte një kohë që vetëm punohej. Punë natë e ditë. Gjatë punës në këtë teatër kam marrë  disa çmime si tek “Gjëmimi atij dimri”, i Teodor Laços, në vitin 1976, me rolin e një ballisti, ku regjisor ishte Dhimitër Pecani. Ne morëm çmim të dytë pas Teatrit Kombëtar në Festivalin e teatrove. Në 1979 mora  çmimin e dytë me komedinë “Shoku Niqifor” të Pëllumb Kullës, ku isha bashkëregjisor me Pëllumb Kullën, ku morëm çmim të parë si bashkëregjisor. Çmimin tjetër e mora në vitin 1981 me Prokurorin në dramën “Dy krisma në Paris”.

Si aktor në rrethet  e miqve të tu diskutohet se roli më i bukur ka qenë pikërisht ai i Prokurorit në dramën “Dy krisma në Paris”?

Po. Edhe unë ashtu them. Është një pjesë e shkruar me mjeshtëri nga Pëllumb Kulla dhe Sheri Mita  dhe u vu në skenë nga Pëllumb Kulla. Ishte viti  1981 Roli ishte shumë i vështirë por shumë i bukur. Ky rol ishte pak kontradiktor si pozicion. Pra unë si Prokuror do mbroja Esat Pashën, kështu që masa, spektatori do më shihte me urrejtje. Në Shqipërinë e asaj kohe Avni Rsutemi shikohej si idhull. Kur kemi shkuar si trupë në  Gjirokastër, në Libohovë në vendlindjen e Avni Rustemit apo në Vlorë në shihnin me urrejtje, sikur ngjarja të ishte reale. Vepra kishte një veprim të madhe në psikikën e spektatorit. Gjyqi që i bëhej  Avni Rsutemit dukej shumë i vërtetë dhe mua më urrenin deri në ekstrem. P.sh në Libohovë pas shfaqjes, regjisori Roland Roshi më thotë se mos dil me grupin e aktorëve pas shfaqjes se ata ruajnë emocionet e  dramës dhe mos ndodh ndonjë incident. Rri larg  ca minuta që njerëzit të heqin emocionet dhe të mendojnë se ishe në skenë jo në jetën reale. Kur dola Fatos Sela  në rolin e Avniut e kishin rrethuar djemtë e Libohovës. Unë u afrova mes tyre kur shoh që të gjithë morën një qëndrim tjetër me fytyra të zymta. Unë i hodha dorën në qafë Fatosit duke i thënë ne jemi shokë aty ishim në rol. Në rol, në rol, por je shumë i poshtër më tha njëri nga djemtë. E njëjta gjë më ndodhi dhe në Vlorë me një burrë  i cili më mori në një lokal dhe ç’nuk më tha. Ato ditë isha me pushime, në kamp kur ai s’më lëshonte ku dhe duke më qerasur me konjak më thoshte “ti je maskara, i poshtër, i ndyrë, si guxove ti në mes të Vlorës të dënosh Avni Rustemin”. U lehtësova se thashë çfarë kisha bërë.

Ke peng ndonjë rol?

Po. Kam peng që nuk kam luajtur rolin e Arturo Ui. Se di pse e kam dashuruar gjithmonë në heshtje këtë rol. Kur shikoja se si e luante Kadri Roshi, ma shtonte më shumë dëshirën për ta luajtur.

Po roli që të ka lënë kënaqësi të veçantë?

Eshët një rol në një dramë greke. Kisha një rol kryesor. Bëhet fjalë në vitin  2003. Regjisor ishte Dhimitër Orgocka. Në finale kur përshëndesja spektatorin ata nuk më linin të ikja. Këtë pritje e kam parë kur kam luajtur rolin e Bacës në pjesën “Plumba dhe shkronja” në një recitim për Idriz Seferin. Ngjarjet e veprës zhvillohen në vitet kur po përgatitej Shpallja e Pavarësisë. Këto dy rola janë rolet ku kam marrë më shumë duartrokitje.

Miqtë e tu të skenës në Fier?

Të gjithë i kam miq, si aktorët e Estradës ashtu edhe ata të teatrit. Duhet kohë t’i parashtroj. Luftar Pajën, Hajrie Rondon, Arqile Lipen, Pëllumb Kullën, Roland Roshin, Fatos Selën, Zhuljeta Kullën e shumë të tjerë që u kërkoj ndjesë që s’u përmenda emrin.