Denisa Laska: Martesën se kam menduar, dua mashkull ideal

736
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja Denisa Laska: Jam kundër idhujve, kundër kopjimeve, jam origjinale

Kënga është dashuria dhe ëndrra e saj e parë jetësore. Pa këngë se mendon dot veten dhe pse është studente dhe ka shumë impenjime. “Më fal ti zemër” është titulli i këngës, e cila ka ardhur me një videoklip interesant nga Denisa Laska. Po jo vetëm kaq, kënga shumë shpejt ka tërhequr vëmendjen e publikut duke arritur mbi 1 milion klikime, që ka vlerësuar më së shumti zërin e saj ashtu si dhe paraqitjen e performancës. Gjithashtu, kemi dhe këngën “O një ditë me shi” ku dhe kjo këngë është vlerësuar nga publiku… Për çdo ditë ajo shënon një kurbë ngjitje në profesionin e saj duke thyer shumë barriera.

 Të veçantat në përshkrimin e lukut tuaj dhe të zërit janë shumë interesante…

 Sot komentet nuk kanë të sosur. Çfarë dëgjon në mëngjes nuk e dëgjon në darkë. Komentet janë të shumta dhe më kanë vlerësuar. Kam dëgjuar shumë komplimente për mua dhe këngët e mija po zakonisht unë mundohem të jem vetvetja. Kjo është thelbësorja për mua.

 -Besoj kishit një vit të suksesshëm. Me çfarë je angazhuar gjatë gjithë këtij viti?

Besoj ashtu ka qenë. Për çdo vit shoh një kurbë ngjitje në punën time. Ky vit ka qenë shumë frytdhënës për mua mbasi kam qenë e impenjuar me koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është një periudhë e suksesshme dhe shpresoj të jetë kështu dhe në ditët në vazhdim sepse jam përqendruar plotësisht në muzikë. ..

 Koncerte të pafundme. Cilat janë shtetet që ke dhënë koncerte?

Kam qenë gjithmonë në lëvizje. Kam shkuar nga një kontinent në tjetrin. Pra, lëvizjet kanë qenë të shumta, por do të veçoj shtete të mëdhenj që kërkojnë këngëtarë të njohur, si Itali, Zvicër, Gjermani, Australi…

 Deri në Australi? Shumë larg, sa e gjatë është rruga dhe si ju pritën?

Vërtetë është rrugë e gjatë, por ja vlen të shkosh, aq më tepër kur ke ftesë speciale nga komuniteti i veçantë i shqiptarëve në këtë kontinent shtet. Ishte një rrugë që zgjati plot 72 orë, që lodhesh duke i numëruar orët dhe jo më të udhëtosh. Më bënë një pritje mahnitëse, të cilën nuk do ta harroj kurrë. Kur të presin në këtë mënyrë harrohet çdo gjë.

 Megjithëse, keni një repertor të gjerë edhe me muzikën e lehtë thuhet se këngën popullore e ke shumë për zemër?

Kënga popullore është një dashuri tjetër e imja që më jep kënaqësi të veçantë, pasi emigrantët janë po aq të dashuruar me to. Nga ana tjetër kjo lloj kënge më jep të ardhura të mira financiare pasi ajo pëlqehet kudo, në aktivitete, dasma, etj.. Mund të them se tek kënga popullore tek unë ndërthuret pasioni me profesionin. Këtë e ka vërtetuar koha.

Çdo këngëtar ka një shëmbëlltyrë në fillimet e veta. Cili ka qenë udhërrëfyesi yt, shembullin e së cilës e ke ndjekur në jetën artistike?

 Unë në fakt jam kundër idhujve, kundër kopjimeve, apo plagjiaturave. Kam simpati, por jo idhuj. Gjithmonë në jetë kam pas dëshirë që të jem vetvetja, që të jem, Denisa. Dua të kemi personalitetin tim, performancën time, origjinalitetin tim, gjithçka që ka të bëjë me formimin tim si artiste. Kjo nuk është mendjemadhësi, por është një realitet që ndiqet nga kushdo që të lerë një emër të mirë në jetë.

 Për të arritur deri këtu gjithmonë ka një këngë të parë, cila ka qenë kjo për Denisën?

 Eh, edhe sot e kujtoj. Ajo këngë më hapi dyert e suksesit, dyert e bukura të këngës, që janë po aq të vështira. Kjo këngë titullohet “O një ditë me shi”. Një këngë me një tekst të bukur, me tinguj harmonik, që mua edhe sot më emocionon. Çdo gjë e parë mbetet e bukur, shprehëse, domethënëse. Kështu do të mbetet tërë jetën tek unë kjo këngë.

 Publiku di shumë pak për Denisën, çfarë mund t’i bësh prezent atij nga jeta juaj?

 Kënga mbetet e para, por dua të bëj me dije se unë njëkohësisht studioj për Drejtësi Biznesi, në një universitet privat këtu në Tiranë. Ky profesion më pëlqen se më mban gjithmonë në lëvizje aq më tepër që mund të menaxhoj dhe më lehtë punën time. Është një profesion i kohës që pëlqehet shumë në Europë.

  Jeta private, a është e dashuruar Denisa?

Jeta private ndoshta nuk u intereson lexuesve. Unë ndihem mirë me veten dhe me thënë të drejtën jam e realizuar.

 Si e mendon Denisa mashkullin ideal?

 I sinqertë, i përkushtuar me mua dhe i thjeshtë. Besoj janë disa cilësi të domosdoshme për njeriun e zemrës.

 Kjo do të thotë se fustanin e nusërisë e ke fshehur në gardërobë, pasi kërkon një njeri ideal?

 (Qesh) As e kam menduar me thënë të drejtën. Ndoshta është shumë herët për mua. Martesa është përgjegjësia më e madhe në jetë. S’e kam shënuar në kalendar, pas 4 apo 5 a më shumë vjetësh. Por do vijë ajo ditë e bekuar.

 Cilat janë synimet në të ardhmen?

 Ëndrrat fillojnë që në vegjëli dhe ëndrra ime ka qenë muzika, kënga. Pra ëndrrën më të madhe të jetës e kam realizuar, megjithëse, jeta ecën dhe dalin dhe ëndrra të tjera. Jam dhe do të jem e dashuruar marrëzisht me dashurinë time të parë, me ëndrrën e parë, me këngën.

 Sot flitet për këngëtare me CD duke shmangur të kënduarit live. Po Denisa si këndon?

Këndoj live dhe vetëm live. Kam pesë vjet që këndoj në këtë mënyrë. Kush është këngëtar i vërtetë këndon vetëm live. Tashmë jam mësuar me këtë mënyrë të kënduari dhe mund të them se nuk ndihem e lodhur. Në dasma kur ftohesh dihet ftohesh për të kënduar live, pasi me CD s’ka pse merret këngëtare.

 Kush ju ka mbështetur më shumë në këtë rrugëtim kaq të bukur?

 Së pari familja ime dhe së dyti fansat e mi, simpatizantët e mi. Atyre u kam shumë borxh.

 Çdo këngëtar ka një kompozitor që punon në vijimësi. Kush është ky për Denisën?

Është kompozitori i talentuar Alfred Sula, që për mua është gjeni. Gjithmonë, e ka përshtatur këngën sipas zërit tim, tingullit tim, karakteristikave të mia. Këtë jo çdo njeri e bën.

 Çfarë do të shohim së shpejti në treg?

Do të jetë befasi. Le t’ja lëmë kohës, por ta dini do të befasoheni. Do jetë një këngë e veçantë si nga teksti, po ashtu dhe nga muzika. Këtë radhë po përpiqemi të nxjerrim një super këngë. Alfred Sula po punon me tërë fuqitë e shpirtit krijues.

 Intervistoi: Anila Kalleshi