Denis Behari: “Jam i dashuruar dhe i lumtur në dashuri!”

286

Intervista/Flet këngëtari, Denis Behari: “Kënga është jeta ime!”

I pëlqyer dhe i kërkuar, me një elegancë të spikatur profesionale, Denis Behari është një ndër këngëtaret më përfaqësues të muzikës popullore, që ka ditur me mjeshtëri të konkurrojë fort në tregun muzikor. Një këngëtar i sigurt, plot fantazi, që shpërndan mirësi kudo që shkon. Energjik, korrekt, ku punën e ka të shenjtë, pasi nëpërmjet tij përhap zërin melodioz në të katër anët e globit, ku ka emigrantë shqiptarë. Kur flitet për këngën Denisi flet me pasion, flet me një ndjenjë të veçantë, pasi të tillë e ka të ngjizur në gjak respektin për të.

  -Si ka nisur lidhja jote me muzikën popullore?

Unë këngën e kam pasur pasion që i vogël, prandaj edhe u futa në shkollën e kantos që të jem profesioniste në këtë fushë. Muzikën popullore e kam kënduar që herët dhe mendoj se aty fle shumë mirë zëri im. Jam munduar gjithmonë ta ruaj të pastër këngën popullore të Shqipërisë së Mesme.

 -Cili është sekreti yt i suksesit?

Mendoj se, janë zëri im dhe këngët që unë zgjedh për të kënduar. Këto janë armët e mia. Duke parë gjithmonë përpara, duke punuar shumë. Nuk besoj se ka ndonjë sekret tjetër.

 -Mban mend, cili ishte momenti që të dha famë?

 Fama ka ardhur gradualisht. Nuk mund ta them saktësisht se cili ka qenë momenti që kam marrë famën më të madhe. Nuk e kam kërkuar famën si qëllim në vetvete, por jam përpjekur gjithmonë të kërkoj sa më shumë tek vetja. Punë, sakrificë, lodhje, pasion….Dhe fama vjen vetë.

  -Çfarë ke parasysh kur zgjedh këngët për një album të ri?

 Në fillim bashkë me kompozitorin zgjedhim materialet që do të fusim në album. Kuptohet, duhet që të gjithë komponentët e këngës të përshtaten me njëri- tjetrin. Nganjëherë marrim tekstin para dhe i krijojmë muzikën ose dhe e kundërta, por që i shohim me shumë kujdes materialet që duhet të përfshihen në album. Jam përpjekur që të plotësoj gjithmonë shijet e publikut duke sjellë edhe risi të reja për ta.

  -Si të pret publiku?

Me të vërtetë që na pret jashtëzakonisht shumë mirë. Sidomos publiku jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë. Ata kanë mall të dëgjojnë këngët tona popullore. Unë kam udhëtuar shpesh nëpër Evropë dhe e shikoj reagimin e tyre gjatë koncerteve që japim jashtë vendit.

  -Sa i përket jetës private, ç’mund të na thoni për lexuesit tanë?

Jam i dashuruar dhe i lumtur …

 Si arrin të udhëtosh kaq shumë pa u lodhur?

Jam mësuar dhe tani nuk më bëjnë përshtypje më udhëtimet. Lodhjen më shumë e ndien kur udhëton për një koncert, dy apo tre ditë, por kur rrimë më gjatë, edhe nuk e ndiejmë lodhjen.

Gjithmonë këndon “live”?

 Unë personalisht kënaqësi ndiej vetëm kur këndoj live, por ka dhe koncerte që nuk këndojmë live. Në gëzimet familjare, apo festa të ndryshme gjithmonë këndoj live dhe aty ndjehem vërtet mjaft mirë si këngëtar.

  -A ka xhelozi profesionale si kudo, apo më e fortë në muzikë?

Unë nuk kam pasur dhe nuk kam xhelozi profesionale. Unë jam Denisi dhe kam adhuruesit e mi, ashtu si çdo këngëtar tjetër. Konkurrenca është e fortë, por po punove arrin të shijosh dhe frytet e punës.

-Shquheni si një djalë aktiv dhe që krijoni atmosferë në koncerte, dasma dhe kudo që shkelni. Por… a ka pasur raste që jeni ndjerë i lodhur dhe që i keni thënë vetes: “Mjaft, nuk mundem më”?

Sigurisht që ka pasur raste, që jam ndjerë i lodhur dhe kam dashur të pushoj, por nuk mundem t’i them vetes STOP, sepse detyra ime që nuk mund të mbarojë kurrë është të bëj muzikë. Nuk jetoj dot pa të.

-Jeni i ftuar shumë edhe në gëzime familjare . Çfarë ndieni kur këndoni në dasma?

Në dasma është një emocion i veçantë. Jam përzgjedhur për të qenë në ditën më të rëndësishme të një çifti. Të gjithë të kushtojnë vëmendje. Momenti më i bukur është kur unë këndoj dhe çifti vallëzon.

 -Flitet për bastardim dhe huazim të këngës popullore. A është dakord Denisi me këtë?

Aspak. Jam kundër bastardimeve. Pëlqej çdo gjë që është shqiptare.

-Këngëtarët e preferuar?

Eli Fara & Maya.

-Çfarë mendon për këngëtarët që bëjnë karrierë jashtë?

Mendoj që është diçka pozitive, sigurisht, kur ekzistojnë mundësitë, çdo këngëtar do e dëshironte.

 -Me koncertet si qëndrojnë punët, sa të pagueshme janë?

 Koncertet janë një mundësi e mirë për të qenë në kontakt me fansat nëpërmjet muzikës dhe çdo këngëtar merr shpërblimin që i takon për punën që bën. Personalisht jam i kënaqur!

-N.q.s nuk do të ishte bërë këngëtar çfarë do të ishte bërë Denisi?

Dëshira ime ishte të bëhesha aktor. Gjithmonë këtë e diskutoja dhe mes shokëve dhe pjesëtarëve të familjes. Kur isha fëmijë imitoja aktorët e mëdhenj që shikoja në filma. Nuk lija film pa parë. Shikoja me vëmendje çdo lëvizje të aktorëve.