Deklarimi i kryeministrit në 1 Maj për 38 mijë vende pune bosh dhe falsiteti në zyrat e punës

580
Përparim HALILI
Letra në “Telegraf”/Komedi zyrtare me 7 akte, me subjektin “Rilindës”: “Punë ka, por nuk ka profesionistë”
Quhet Dritan Dhalo, 32 vjeç, banues në Tiranë, prej 15 vitesh i papunë, prej 2 vitesh “vizitor” i çdo jave në Zyrën e Punës në Tiranë, në kërkim të një pune sipas profesionit të tij ekonomist i lartë dhe profesionist në 2 zanate, të cilët i ka mësuar duke punuar, pasi është certifikuar nga kurset profesionale të IOM, programet që ka hapur Ministria e Punës në Tiranë! Ai na ka dërguar dje, një mesazh që ia drejton kryeministrit me këtë tekst, në të cilin i bën me dije se çfarë përgjigjesh, jepen në zyrat e punës. Ja mesazhi i tij i plotë: 

“Ditën e djeshme, Kryeministri Edi Rama na bëri këtë urim: “Mirëmëngjesi dhe ju uroj 1 Maj të mbarë, ka 38 mijë vende pune bosh, nxitoni në zyrat e punës për punësim!” Duke dëgjuar këtë urim, nuk u gëzova, por u trishtova dhe vendosa që nëpërmjet gazetës “Telegraf”, t’i dërgoj këtë mesazh, për ta informuar se çfarë përgjigjesh prej prej “Ufo”-sh na japin punonjësit “evropianë” që keni caktuar në zyrat e punës. Ja përgjigja që kam unë, në të gjithë konktaktet e shumta e vërdallisëse me zyrën e punës në Tiranë. Përgjigjet që më kanë dhënë i kam regjistruar. Ato kanë një përmbajtje për “skeç” estrade, të cilat sa herë i dëgjoj, nis e qesh me vete, por qeshin edhe të gjithë ata që e dëgjojnë! Ja biseda konkrete zoti kryeministër, me punonjëset e Zyrës së Punës në Tiranë, po ta dërgoj si kartolinë me rastin e 1 Majit:

Akti i parë
– Përshëndetje, kërkojmë punë! 
– Po, menjëherë. Plotësoni formularin, sipas kërkesave. (Pasi e plotësuam, e dorëzuam. Punonjësja e lexoi dhe filloi të na merrte “në provim” e të na jepte këshilla për rëndësinë e punësimit dhe të mirat që burojnë prej punës. Nuk e lamë të përfundonte leksionin, por i thamë: 

– Punë, kur do fillojmë?
– Punë do filloni shumë shpejt, kur t’ju njoftojmë ne me telefon, por praktika jonë ka disa hapa komplementarë e testues reciprok komunikimi, me subjektin që ju mirëpret t’ju punësojë. Ju do të filloni punë, pasi ne të depërtojmë esencialisht në subkoshiencën e subjektit që ka vendin e lirë të punës që kërkoni ju. Mandej, marrim siguri për punësimin tuaj, pasi të jemi të suksesshëm në sjelljen tonë fleksible në raport me punëdhënësin e për rrjedhojë të definojmë dizajnin alkimik bindës me të, duke krijuar tek punëdhënësi parabindjen transparente e të qëndrueshme, për nevojën tuaj adekuate e mbijetike sociale për punësim. Faza e fundit konsiston në zhbërjen e ngrirjes së mosbesimit të punëdhënësit për punonjësit shqiptarë të mbetur jashtë kontaktit evropian të kulturës së punësimit, duke arritur që subjekti të manifestojë bonsensin e një punëdhënësi serioz e të gatshëm për punësimin tuaj. Këtu nisi faza kur ne do t’ju japim një përgjigje tepër racionale jashtë ireales, në përputhje me mundësinë e punësimit tuaj të qëndrueshëm. 

Akti i dytë
– Kam aplikuar për punë, më thatë që do filloni. Kur do të fillojmë?! 
– Punë do të filloni, por edhe ju si palë e interesuar që gjendeni në zgrip të tej-zgjatur e shpërfillës të nevojës për punësim, mund të interesoheni në këtë numër telefoni, të shërbimit të zyrës tonë.

Akti i tretë
– Kemi ardhur për përgjigjen, për fillimin punës 
– Prisni telefonatën tonë, po negociohet mbështetshmërisht e virtualisht me subjektin, ne ju sigurojmë se do ndiheni shumë komod në atë subjekt ku do punësoheni, mbasi nga testimet tona, rezulton se është serioz dhe vlerëson kulturalisht me mirënjohje pozitive ekstreme, por edhe me vlerësim financiar për kontributet profesionale që japin të punësuarit në subjektin e tij. 

Akti i katërt
– A është miratuar vendi i punës?
– Një përgjigje të mundshme, do ta merrni shumë shpejt, lidershipi i subjektit që ka vendin e punës që kërkoni ju, po kalkulon predispozivisht pozicionet e lira të punës, për të krijuar mjedisin e suksesshëm e komod të punës që do të kryeni ju. Suksese! 

Akti i pestë
– A është miratuar vendi i punës?
– Ju tashmë, gjendeni një hap larg punësimit të shumëpritur, sociologjisht rehabilitues në mirëqenien tuaj, ju konfirmojmë se formulari juaj po trajtohet me përparësi si rast emergjent për punësim. 

Akti i gjashtë
– A ka ndonjë përgjigje për kërkesën time, për vend pune?
– Kemi arritur me fleksibilitet prej partnerësh, depërtimin deri tek bindja prag-pranuese e drejtuesve të kompanisë punëdhënëse, të cilët na kanë ofruar prognoza adekuate për versione ekspresive brenda zhvillimit të konkurrencave zhvillimore që krijojnë korrente nxitëse, brenda komuniteteve të punëkërkuesve prioritarë, me profil të shëndetshëm për të partnerizuar me elokuencë përballë punëdhënësve. referuar sqarimit komplementar që ju përcollëm, gjenduni disponibël për të pritur telefonatën finalizuese të punësimit tuaj, prej kompanisë. 

Akti i shtatë
– Erdha përsëri, kur do të filloj punë?
– Rasti juaj quhet i ezauruar në kompleksitetin e vet pozitiv të sjelljes së shkallëzuar të zyrës tonë të punës dhe predispozitës mirëpritëse prej kompanisë për ju si punonjës i nevojshëm për shërbime në atë kompani, pasqyruar në procedurë të plotë e të afërt punësimi, duke ju rezervuar të drejtën e pakontestueshme, për të kontaktuar me kompaninë që ju mirëpret transparentisht dhe pa asnjë nuancë, përkundër fobisë tuaj si pjesëtar i një komuniteti vunerabël. Suksese!
Sigal