Dejana Kallogjeroviç: Femrat në ditët e sotme janë në luftë për pushtet

1040
Sigal

INTERVISTA/ Flet prezantuesja e aktiviteteve rinore në Tiranë, Dejana  Kallogjeroviç: S’ka trokitur asnjë mashkull në zemrën time

Me origjinë nga Mali i Zi, por që ka dy breza në Tiranë. Është një vajzë simpatike, e qetë, inteligjente, që drejton me dhjetëra aktivitete rinore në Tiranë dhe më tej. Dhe pse gjimnaziste tek “Petro Nini Luarasi”, ajo gjithmonë  ka tentuar drejt artit dhe ja ka dalë me sukses.  Por  koncerti që e bëri të famshme ishte  koncerti I madh “Mbrëmje klasike”  që u zhvillua më 14 maj në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, ku pedagogët e këtij Universiteti shprehën konsideratat më të larta, për pagabueshmërinë, për  lirshmërinë, zërin e qartë. Këtë vit ajo do të konkurrojë në Universitetin e Arteve për aktrim.

Si ka lindur dëshira për prezantimin dhe pse?
Që e vogël ëndrra ime ka qenë të prek skenën dhe me kalimin e kohës qëllimi im janë majat e saj.

Si jeni ndjerë, kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?
Është një ndjenjë e paimagjinueshme. Një magji e vërtetë, nuk kam fjalë ta përshkruaj. Të ngjitesh në skenë është si të futesh në një botë tjetër, shumë larg realitetit. Për mua është si një parajsë e dytë. Tashmë unë kam 3 vjet që drejtoj aktivitete të ndryshme dhe ndihem më e sigurt.

Çfarë impakti keni marrë?
Ka qenë shumë i mirë. Të gjithë më kanë përkrahur shumë, madje dhe njerëz që nuk i njihja, ata më dhuruan një emocion të veçantë.

 Sa e vështirë është të bësh karrierë televizive?
Mund të them me plot gojën se mund të jetë një nga profesionet më të vështirë për të bërë karrierë. Publiku është mësuar me disa figura televizive dhe e ka të vështirë të mësohet me të rinjtë. Shpresoj që, publiku të ngelet i kënaqur si këtë herë edhe herët e tjera.

A jeni kufizuar nga jeta private në këtë profesion?
Sigurisht që ka edhe kufizime, në qoftë se ke një projekt në duar nuk mund t’i përkushtohesh njerëzve të dashur, njësoj si ditët e tjera të vitit. Duhet të përqendrohesh dhe të fokusohesh në punë në pjesën më të madhe të ditës, për të mos thënë gjithë ditën.

A ka moshë ky profesion?
Nuk besoj se ka moshë. Në qoftë se je ndër më të mirët në këtë fushë, publiku nuk lodhet kurrë me ty, sado që vitet kalojnë.

Cilët janë prezantueset me famë botërore, të cilët i keni idhuj?
Ellen Degeneres, prezantuese e “The Ellen Shou” është e mrekullueshme, shumë origjinale. Mendoj se, është prezantuesja më e mirë e momentit duke marrë parasysh që emisioni i saj është ndër më të ndjekurit në mbarë botën.

A ka ndonjë mashkull që ka rrëmbyer zemrën e Dejanës?
Akoma jo, besoj se ka kohë.

Një përkufizim për dashurinë?
Për mendimin tim ndjenjat nuk janë bërë për t’u pqrshkruar, ato thjesht ndihen.

Jeni supersticioze?
Besojmë ose jo, njerëz jemi dhe kemi nevojë të besojmë te diçka më e fuqishme se ne.

Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?
Më pëlqejnë shumë ëmbëlsirat dhe sidomos ato me çokollatë dhe luleshtrydhe. Nuk besoj se jam e vetmja. Më pëlqejnë akoma më shumë kur i përgatis vetë.

Cilat janë problemet pikante të femrës shqiptare sot?
Femrat në ditët e sotme janë në luftë për pushtet. Më parë ato shikonin si problem keqtrajtimin, apo abuzimin e tyre ndërsa tashmë femrat janë të zonjat e vetes. Shumë femra kërkojnë pavarësi ndryshe nga ç’ka qenë vite më parë.

Ç’mendim keni për bashkëjetesën?
Është një mënyrë e mirë për të njohur partnerin më mirë, gjithashtu, edhe veten para se të vendosësh për të ardhmen.

 Si është një ditë për ju?
Një ditë e zakonshme e imja fillon që në mëngjes duke shkuar në shkollë dhe pas shkolle, zakonisht dalë me shoqërinë për t’u relaksuar ndërsa mbasdite palestër, mësimet dhe ndonjë film.

Çfarë do të bëni mbas kësaj interviste?
Tani kam orarin për palestër dhe do bëhem gati për të ikur.