Dedin SULI/ Panajot Kanaçi në rrugëtimin e titujve

710
Sigal

Panajot Kanaçit i jepet titulli “Qytetar Nderi i Delvinës”

*Studiues, koreograf

 Është kënaqësi e njëherësh krenari të mblidhemi në këtë tubim me një synim të vetëm: Birit të krahinës së Delvinës, Panajot Kanaçit, do t’i dhurohet titulli “Qytetar Nderi i Delvinës”, të kësaj Delvine piktoreske, të kësaj Delvine që nga gjiri i saj ka nxjerrë artiste me emër, si Enver Birko, Artist i Merituar apo Agron Aliaj, artisti që thuri legjendë Vetë Panajoti u rrit në mjedisin e valles popullore e nga kjo gurrë e pashtershme delvinjote u mëkua që në fëmijërinë e hershme. Dashuria e pakufishme për artin e së bukurës ngjizi në shpirtin, në zemrën, në mendjen e Panajotit, i cili në jetë u shqua për fisnikërinë e tij, për njohjen nga afër të artit të mrekullueshëm botëror përmes gjuhëve që huaja që zotëroi, përmes skenave artistike që ai i ndoqi nga afër. Gjithë këtë art të mbrujtur në shpirtin e tij Panajoti e solli në kryeqytetin e vendit, në grupin e artistëve të vegjël, që kishin një emër tepër domethënës, Baleti i Vogël. Këta artiste Panajoti i mblodhi rreth vetes e, nga viti në vit, u mësoi të fshehtat e artit të bukur të baletit, duke nisur në skenën e Filarmonisë Shqiptare, në skenën e së cilës Panajoti shpalosi baletet e para përmes koreografisë së tij mjeshtërore. Bashkë me trupën e baletit ra në sy edhe vetë koreografi Kanaçi si solist i parë në disa pjesë të interpretuara si në baletet “Shatërvani i Bahçisarait” dhe “Esmeralda”. Studimet në Moskë e bënë Panajotin një mjeshtër që në skenë të vinte ato balete nga repertori i huaj, por tashmë sipas shijes së tij artistike e me plot finesë. Të tilla ishin koreografi a nga opera “Karmen”, “Françeska da Rimini”. Por mjeshtri në ardhmëri kishte diçka që në shpirt e gërryente vazhdimisht: dëshira e tij ishte të vinte në skenën shqiptare një balet me tematikë nga tradita shqiptare, nga epopeja shqiptare. Dhe erdhi ajo ditë e lume, kur publiku shqiptar mbeti i mahnitur teksa pa në skenë një shfaqje baleti krejtësisht kombëtar. “Halili dhe Hajrija” ishte një mrekulli shqiptare me firmën e artistëve të mirëfilltë shqiptarë si kompozitorin Tish Daija, dirigjentin me plot finesë Mustafa Krantja dramaturgun e palodhur Kolë Jakova dhe libretistin e baletmaestrin  Panajot Kanaçi. Baleti i parë kombëtar, perla e parë që edhe sot, mbas gjysmë shekulli, ruan origjinalitetin e frymës shqiptare. Panajot Kanaçi, ky mjeshtër i skenës koreografike, jo pak i ka dhënë Teatrit të Operës dhe Baletit shfaqje më frymë shqiptare. Të tilla janë “Familja e peshkatarit”, “Shota dhe Azem Galica”, “Delina”, për të kaluar si koreograf në grupin e valleve të Ansamblit të Këngëve të Valleve Popullore. Ishte Panajoti, ky mjeshtër i valles popullore me frymë tejet kombëtare, që vuri në skenë vallen e magjishme “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, valle që e përcjell Ansamblin tonë të Valleve e Këngëve Popullore në çdo skenë të botës e që hap apo mbyll çdo shfaqje të dhënë para publikut të huaj, të cilët nën ritmin e kësaj valleje nuk mund të rrinë pa shoqëruar edhe ata këtë valle tok me valltarët e skenës shqiptare.

E kush mund ta harrojë shkëlqimin e këtij ansambli rrugëve të Dizhonit, ku valltarët tanë hodhën kilometra të tëra më këmbë nëpër rrugët e këtij qyteti francez nën ritmin e valles e sidomos të magjisë së ndërthurur nga mjeshtri Kanaçi “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Ishte kjo valle e mjaft të tjera gjatë rrugëtimit në Dizhon, që i dhuroi trupës sonë Gjerdanin e Artë. E kjo skenë e paharrueshme, shoqëruar nga vallet e shumta firmosur nga koreografi i talentuar Panajot Kanaçi ishin mburrja dhe krenaria e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore. Krijimtaria e koreografit madhor Panajot Kanaçi ka rrugëtuar në skenat e vendit tonë e në skenat e mbarë botës. Mjafton të themi se baleti “Halili dhe Hajria” është mirëpritur nga spektatorët e  Kosovës, më pas nga spektatorët e shumtë grekë, francezë dhe italianë. Edhe vallet popullore, që mbajnë firmën e feniksit Panajot Kanaçi, mbetën të pëlqyeshme e të adhurueshme nga spektatorët e Parisit, Helsinkit, Kajros Çikagos, Nju Jorkut, Torontos e gjithkush ndjeu nga afër gjuhën koreografike të të shquarit Panajot Kanaçi, për të cilin, mbas titujve si “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, titullin “Profesor, jemi mbledhur sot në vendlindjen e tij për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi i Delvinës”.