Debati për ndalimin e filmave shqiptarë të periudhës së socializmit një marrëzi e kohës, censurë ndaj lirisë së ideve

496
Deklaratë e Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar

Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim përpjekjet e mbrapshta që janë hedhur në opinion për ndalimin e prodhimit kinematografik të periudhës së realizmit socialist, duke përgatitur për këtë qëllim edhe një projektligj të posaçëm nga institucioni famëkeq i Tufës. Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ e konsideron këtë veprim një akt të rëndë kriminal ndaj artit e kulturës shqiptare, të ndërmarrë nga qarqe të errëta reaksionare, armiqësore e antishqiptare për të goditur e mohuar tërësisht një periudhë gjysmëshekullore të Shqipërisë, historinë e lavdishme të LANÇ të popullit shqiptar dhe transformimet e thella përparimtare që u ndërmorën dhe realizuan gjatë 45-së vjetëve, në të gjitha fushat si në fushën politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, ushtarake, të cilave kinematografia shqiptare, me të drejtë i ka pasqyruar dhe u ka bërë jehonë. Arti dhe kinematografia si pjesë e tij, duke pasqyruar realitetin objektiv të kohës kur janë krijuar u kanë bërë jehonë LANÇ, sakrificave të popullit në këtë luftë, heroizmit partizan, edukimit të njerëzve me moralin e ri, dashurisë për Atdheun, për punën, për dijen e shkollën, për emancipimin e popullit, femrës shqiptare, për shëndetësinë falas dhe arritjet në të gjitha fushat. Këto synime e arritje të kinematografisë shqiptare, e ngritur nga hiçi, u vret sytë dhe u turbullon mendjen e ndërgjegjen pinjollëve të reaksionit ballist e zogist e reaksionit kolaboracionist. Në ato filma pasqyrohet edhe tradhtia e baballarëve të tyre ndaj popullit e Atdheut, prandaj janë këto arsyeja që sot ata nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të përpiqen t’i ndalojnë, këta gjoja përkrahës të fjalës së lirë por në të vërtetë janë persekutorë të saj. Kryesia e komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, dënon me vendosmëri e neveri përpjekjet me synime të mbrapshta, thellësisht nga pozita antishqiptare të ndërmarra kohët e fundit për ndalimin e shfaqjen për publikun shqiptar të filmave të kohës së socializmit aq të dashur për njerëzit e thjeshtë e për mbarë popullin. U bën thirrje frymëzuesve të kësaj tentative absurde: “Larg duart nga kinematografia shqiptare socialiste”, kërkon nga Parlamenti e parlamentarët të hedhin poshtë çdo përpjekje që është ndërmarrë nga forca ogurzeza për likuidimin e kinematografisë dhe të filmit shqiptar. Filmat artistikë dhe dokumentarë shqiptarë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, janë pasuri kombëtare dhe nuk duhet lënë në dorën dhe mëshirën e antishqiptarëve. Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar përshëndet dhe mbështet me tërë forcat, të gjithë ata intelektualë, shkrimtarë, kineastë e çdo shqiptar, që u janë kundërvënë forcave të errëta për të mbrojtur filmin shqiptar dhe vlerat e pamohueshme të tij, për të mbrojtur punën dhe sakrificat, mundin mendjet dhe aftësitë e pamohueshme të kineastëve të talentuar të asaj periudhe. Në këtë përballje ata do të kenë mbështetjen e pakursyer të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, të organizatave dhe të të gjithë veteranëve të Shqipërisë.
Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar
Sigal