Dashuria për Sarandën dhe profesionin, bashkudhëtaret e mia në jetë

820
Agron MEMA
Intervistë me “mjeshtrin e madh”, doktor i shkencave mjekësore, Dhimitër Xhaferri
Në kohën kur braktiset periferia nga mjekët dhe kemi këto kushte në këtë territor të Shqipërisë, vendosëm të bëjmë një bisedë me Mjeshtrin e Madh, Dr. e shkencave mjekësore, Dhimitër Xhaferri që ka mbi një gjysmë shekulli që punon në periferi, të cilës i ka kushtuar edhe një libër të veçantë, “Kirurgu i periferisë”. Është një intervistë që sjell jo vetëm përvojën, por edhe një pjesë të historikut të shëndetësisë së Sarandës. Një jetë, një biografi, një mesazh, se sa e bukur është periferia për një mjek, por dhe sa e vështirë e sa madhështore, kur në portretin e një mjeku gdhendet historia e një qyteti. Kur e respekton qytetin dhe qyteti ta kthen mirënjohjen. Rrëfim plot profesionalizëm dhe romantizëm i mjekut që kur bashkon romantizmin me humanizmin, japin shembullin e një portreti shpirtëror të një mjeku të vërtetë. Për mjekun, qendra dhe periferia janë njëlloj, mjafton të duash njeriun dhe t’i përkushtohesh mbrojtjes së jetës së tij. Dhimitër Xheferri është denbabaden sarandit dhe njëkohësisht po i tillë, kirurg i Sarandës. Ka mjekuar rreth 10000 të sëmurë kirurgjikalë dhe, siç thotë vetë Dhimitri, siç e flasin në konfidencë qytetarët e Sarandës: “Unë i njoh qytetarët e Sarandës, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, sepse u kam parë plaçkat e barkut në mënyrë të përsëritur gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale”. Dhimitri ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe është specializuar në kirrurgjinë e Përgjithshme, në klinikën Nr.3 të spitalit Nr. 2 të Tiranës, nën drejtimin e profesor Petro Canit, Prof. Besim Elezit etj. Ka kryer studime pasuniversitare në spitalin “Hypokratio” të Athinës, në spitalin antikanceroz “Theajenio” të Selanikut dhe në spitalin”San Carlo Boremeo” të Milanos në Itali. Në qytetin e Sarandës ai ndjehet i lumtur dhe i shprehin mirënjohjen për shërbimet vetë sakrifikuese të tij dhe familjes së tij, duke i thënë fjalë mirënjohëse, bile edhe kur të moshuarit i ngrihen në këmbë për ta përshëndetur, kur i shtrëngojnë dorën duke e falënderuar. Ishim një ditë bashkë tek furra e bukës për të blerë bukë të ardhur me brumë dhe e zonja e dyqanit iu drejtua me fjalët: “Doktor Miço! Më keni shpëtuar vëllanë, Darin, nga vdekja. E operuat në kokë, kishte mbledhur gjak në tru pas një traume dhe çastet për të ishin të numëruara!” 

“Jam krenar, -thotë doktor Miçua,-së pari, se u kam shërbyer bashkëqytetarëve të mi për rreth gjysmë shekulli dhe duhet të kisha më shumë dell shkrimtari për të pasqyruar shumë vlera sociale e shkencore kirurgjikale në rrethin tonë të Sarandës” Megjithëse këtë merak e nxori duke botuar librin “Kirurgu i periferisë” dhe një sërë kumtesash, botimesh shkencore dhe ese letrare. Ai nuk përdori kirurgjinë për të ekspozuar emrin e tij, por përdori përpjekjet e tij të devotshme e vetë sakrifikuese për të treguar kontributin e kirurgjisë për shpëtimin dhe mirëqenien e njerëzve. Kjo u duk qysh në çastet e para kur vendosa t’i marr intervistën. I shkova në spitalin civil “Petro Nako” të Sarandës dhe, sa i thashë mendimin tim, më surprizoi me përgjigjen e tij: “Ti e di që unë jam i urgjencave, të cilat kanë prioritet para intervistave dhe çdo gjëje tjetër për mua, kështu që nuk emocionohem nga kërkesa jote, por që intervista të marrë përgjigje të plota për gamën e temës që interesohesh e mos të jetë një shkrim bosh për të mbushur gazetat e për t’u ngrënë kohën e çmuar lexuesve, do vish në një interval kohe kur s’do të jem i kërkuar në punën time . edhe pse në çdo moment për mua kanë proiritet thirrjet e pacientëve të mi, për t’u dhënë shërbimin, për t’i shpëtuar nga vdekja. Për punën si mjek dhe për arritjet e mia si Doktor i Shkencave Mjekësore e si kirurg, për të cilën ju shpreh falënderimet e mia paraprakishtme qenë se shprehe interesin për të shkruar”. Kështu prita kur ai e ndjeu veten të lirë dhe e filluam bisedën nga e para… 

Ju keni qëndruar përreth gjysmë shekulli në Sarandë, duke i shërbyer me stoicizëm e sakrifica qytetarëve, çfarë mund të na thoni për Sarandën? 
Në Sarandë jam rritur, bile mund të them se jam bashkërritur me Sarandën. Kam punuar dhe u kam shërbyer bashkëqytetarëve të mi përreth gjysmë shekulli në fushën e kirurgjisë së përgjithshme. E dua Sarandën dhe sarandjotët! Nuk jam larguar asnjë moment nga ajo dhe qytetarët e saj. E dua, sepse është e bukur, është një perlë, një margaritar, ka qytetarë të ndershëm, punëtorë, të mençur dhe me humor. Këto cilësi më nxisin t’u shërbej edhe me më shumë devotshmëri dhe të ndjehem krenar që jam sarandjot. Respektoj kolegët e mi dhe bashkëqytetarët e mi në fusha të ndryshme shoqërore. Shumë prej tyre më kanë dhënë forcë dhe guxim, më kanë përkrahur në iniciativat e mia profesionale dhe shoqërore. Shfaq dashurinë time intensive dhe të sinqertë për ta. Jam krenar edhe për rrugët e bukura të Sarandës ku kam ecur përditë, për bulevardin joshës buzë detit, me bukovilet, me limonët e portokallet, me lule blirin aromatik që të nxit për frymëmarrje sa më të thellë e të kënaqësh shpirtin me aromën e tij, me detin e gjirin e bukur e, sidomos për zhurmën muzikale e çlodhëse të valëve të tij, për njerëzit e mirë e që i gëzojnë festat edhe ato fetare, së bashku me një simbiozë për një zili të zgjuar, të ditur,të ndershëm,të thjeshtë, të dashur me njëri-tjetrin, me një unitet që spikat kudo, në të mira e të këqija, si qytetarë konsekuentë, korrektë e besnikë. Njihen dhe janë qytetarë sarandjotë që të gjithë, si ata që kanë vite në Sarandë edhe ata të ardhur rishtas. Kjo njohje dhe pranim reciprok e bën Sarandën edhe më të bukur.

Pse zgjodhët specialitetin e kirurgut?
Stimulimin për kirurgjinë fillimisht ma nxitën dy faktorë të rëndësishëm. Së pari, gjatë periudhës studentore, sidomos në vitin e katërt dhe të pestë,, dy shokët e mi, Lluka Heqimi dhe Profit Canaj, krahas ndjekjes së mësimeve, patën mundësinë të asistonin në disa ndërhyrje kirurgjikale në klinikën e tretë të spitalit numër 2 dhe flisnin me kënaqësi si kirurgë të ardhshëm që do të bëheshin…Jehona e tyre për këtë aktivitet ishte për ne studentët e tjerë, jo vetëm sfiduese, por edhe zgjuese e predispozitave tona personale, për të pasur sukses në profesionin tonë, si mjek të ardhshëm. Ndërkohë ata përmendeshin qoftë edhe si dëshmitarë të pranishëm edhe nga pedagogët tanë kirurgë. Shembulli i tyre nxiti ndjenjat e mia profesionale drejt kirurgjisë. Por, një predispozitë, nëse nuk kultivohet, ngelet si një farë pa ngrohtësi dhe ujë. Së dyti, vendimin e mora në vitin e katërt të fakultetit, gjatë praktikave mësimore në spitalin e Korçës. I stimuluar dhe i angazhuar përfundimisht për kirurgjinë, gjithë praktikën mësimore e zhvillova në repartin e kirurgjisë me kryekirurgun, Dr. Sotir Polena dhe ndihmësin e tij të talentuar, Dr. Leonidha Ikonomi, të cilin në konfidencë, qytetarët e Korçës e thërrisnin”doktor Lonka”. Profesor Sotiri dhe Dr. Lonka, duke parë interesimin e angazhimit tim për kirurgjinë, më afruan shumë e më respektuan duke më lejuar shumë herë të asistoja në ndërhyrjet kirurgjikale që ata kryenin. Gjatë rasteve urgjente që paraqiteshin pasditeve dhe natën, Dr. Lonka më angazhoi si operues, jo vetëm si asistues dhe ndihmës, por edhe si ekzekutues në gjithë spektrin e rastit, që nga vendosja e diagnozës e deri tek ndërhyrja me bisturi. Kështu u bëmë shok të afërt. Dr. Lonka më lejoi operacionin tim të parë Apendektomi dhe në bashkë ekzekutimet që vijuan, u eliminuan ndjenjat e para të pasigurisë dhe hezitimit që e kalon çdo fillestar, duke e ndjerë dorën dhe veten të sigurt. Kështu kirurgjia u bë e dashura ime dhe vulosi vendimin për t’u specializuar në kirurgji. 
Sigal