“Darka e lamtumirës” zbret në Durrës

724
Komedia franceze “Darka e lamtumirës”, pas skenës së Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, po vijon turin në rrethe. Për tre net shfaqja me regji nga Kiço Londo ishte premierë në qytetin e Durrësit. Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, komedia “Darka e lamtumirës” e cilësuar fantastike nga kritika erdhi në skenë me aktorët Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj. Shfaqja do të vijojë edhe më datë 15 prill për publikun artdashës durrsak. Kjo shfaqje depërton në historinë e dyshes Pierre e Clotilde, të cilët përpara se të marrin pjesë në darkën e radhës që nuk e kanë me qejf të shkojnë, marrin një vendim: Të spastrojnë shoqëritë e konsumuara. Kështu, ata do të organizojnë një darkë lamtumire, që është një përzierje homazhi e lehtësimi për miqtë që do të dalin nga jeta e tyre. Viktima e parë do të jetë pikërisht miku i tyre prej vitesh, Antoine Royer. Por, midis Pierres që është burracak e i mefshtë dhe Clotildes së paparashikueshme e mikut të çuditshëm, gjërat do të dalin jashtë kontrollit dhe darka nuk do të shkojë siç ishte planifikuar prej tyre. Për të zbuluar më shumë mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe a do të ketë një lamtumirë të vërtetë në këtë darkë publiku do ketë mundësinë ta shijoj duke parë shfaqjen “Darka e lamtumirës” .
Sigal