Dario REXHOLLARI: Kritika letrare në Shqipëri është absurde

896
Romani i tij ‘Loja e Fituar’ është lakuar shumë nga kritika. Mund të thuhet se për moshën që ka, 18-vjeç, autori ka sjellë një krijimtari të veçantë për moshën por edhe në letërsinë shqiptare. Për problematikën e romanit ai thekson se “Ndonëse në pamje të parë duket sikur diskutohen vetëm problemet sociale të një adoleshenti çapaçul, ajo çka përben thelbin e vërtete të problemit, fshihet në prapaskenë. Në brendësi të çdo ndodhie; rebelimi, sherri, moskokëçarje, dashurie të nxituar, pjekurie, aspirate, e dëshire për të ecur para; problemi i vërtetë nuk gjendet në atë çka shihet, por në atë çka nuk shihet”.
Pse ‘Loja e Fituar’?
‘Loja e Fituar’ pasi është një përsiatje ndaj çdo gjëje të ndodhur, por kundra vullnetit, e cila finalizohet me fitimin. Nëse noton në thellësi, kupton sesi personazhit kryesor, çdo gjë i rrjedh në krah të kundërt me atë çka ai dëshiron. Çdo përpjekje për të qëndruar ne vendin e zënë, çdo përpjekje për të mos u përshtatur, për të qëndruar larg nga ndotja, apo për të triumfuar ajo që është e drejtë, dështon, duke shkaktuar humbje të njëpasnjëshme në psikologjinë e personazhit, të cilat, në mënyrë paradoksale, e ndihmojnë për të fituar lojën e tij. Një tjetër aspekt është përballja me gjyshin, një ateist i vetërealizuar i cili kundërshton çdo gjë jashtë racionales. Deinart, ndonëse nuk ka dijen e mjaftueshme, vendos të fuqizojë besimin dhe të pranojë në ekzistencën e një force mbinjerëzore. Njëtrajtësisht, edhe përballja me lojërat e shahut, të cilat humben të gjitha nga djaloshi, finalizohen në përfundim me fitore, pasi në debatin e krijuar mes tyre, gjenerali e pranon vetë se ekziston një forcë e tillë, e cila nuk mund të kërkohet askund tjetër veçse në vetvete.
Problematika e romanit tuaj?
Ndonëse në pamje të parë duket sikur diskutohen vetëm problemet sociale të një adoleshenti çapaçul, ajo çka përben thelbin e vërtete të problemit, fshihet në prapaskenë. Në brendësi të çdo ndodhie; rebelimi, sherri, moskokëçarje, dashurie të nxituar, pjekurie, aspirate, e dëshire për të ecur para; problemi i vërtetë nuk gjendet në atë çka shihet, por në atë çka nuk shihet. Të shohësh të padukshmen, do të thotë se e njeh mirë të dukshmen, pasi e dukshmja mundëson të padukshmen. Unë nuk mund të ndalem e të shtjelloj çdo eksperiencë, duhet lexuar romani për këtë, ama mund të them se këto eksperienca, ndihmuan në çeljen e siparit të njohjes së vetvetes. Problematika e vërtetë e romanit, është edhe një ndër pyetjet më madhore filozofike, të cilën e gjen në shumë përgjigje, dhe në asnjë të vërtetë, pasi nuk ka një të tillë. Duke zgjeruar atë çka është, me fundin e romanit, i jepet përgjigje edhe kësaj dileme, e cila shfaqet sipas botëkuptimit tim.
Çfarë vlerësimi ke për krijuesit shqiptarë?
Nga të gjithë ‘zotat’ që unë njoh, shqiptarët janë ata më të paktit që jam në dijeni. Kuptohet, në këtë kategori futen ata të klasifikuar si bashkëkohorë, pasi botohet shumë dhe duke folur si një lexues, nuk di se çfarë të lexosh, pasi nuk bëhet dallimi midis të pastrës dhe të pistës.
Si e sheh ti mungesën e kritikës në Shqipëri?
Absurde. Është si një trup pa tru, apo një tru pa trup. Ndjej një neveri të thellë, pasi nga kjo, rrjedhin mjaft të tjera, të cilat, kuptohet, janë personazhe antagonistë të njerëzimit. Është si një siluetë e ‘kanonizuar’ nga vetë frymorët, në të keqe të tyre. Për aq kohë sa nuk do të ndryshojë, Shqipëria nuk do të ketë letërsi të mirëfillte.
Po për mungesën e përkthimeve dhe njohjet e pakta jashtë?
E, natyrisht, përgjigja e kësaj pyetjeje përmendet në ato të mëparshme. Nuk mund të pretendosh për zotërimin e të huajit, pa mbërthyer të njohurin, evlatin. Mungesa e kritikës, është ajo çka shkakton pjesën më të madhe të kësaj pasoje. E përsëris: Nuk mund të pretendosh për zotërimin e të huajit, pa mbërthyer të njohurin.
Si mendoni duhet të ekzistojë apo jo lidhja e shkrimtarëve?
Mendoj se bashkimi është frytdhënës, por nga ana tjetër, më avitet në mendje silogjizma: A mund të bëhet filozofi me barkun bosh?
Sigal