Dalipi – Parllakut: Jeni memoria historike e kombit

609
Nga Halil RAMA
Këshilli i Qarkut Tiranë, “Mirënjohje”, gjeneral Rrahman Parllakut në 98-vjetorin e ditëlindjes 
“Mirënjohje e Qarkut Tiranë” për gjeneral-lejtnant (në pension) Rrahman Parllakun, në 98-vjetorin e ditëlindjes së tij. Titulli iu dha dje nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, njëherësh dhe kryetar i Këshillit bashkiak , në një ceremoni festive që OBVL organizoi në një nga sallat komode të Hotel “Monarc”, në kryeqytet. Qindra pjesëmarrësit në këtë veprimtari, veteran të OBVL-së, personalitete të artit, kulturës e shkencës, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Heroit të Popullit dhe Nderit të Kombit, Rrahman Parllaku, fillimisht ndoqën me interes të veçantë dokumentarin “Një legjendë në kufirin e dy kohëve”, prodhim dinjitoz i Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Më hollësisht për profilin e z. Parllaku foli Prof. Dr. Nevila Nika. Veç të tjerash ajo solli në vëmendje të të pranishmëve momente kulmore të takimeve me gjeneralin legjendar, sidomos gjatë veprimtarive mbi rolin e Kryezinjve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e rastit, Znj. Nika vlerësoi gjeneral Parllakun si një figurë shumëdimensionale që i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe terrorit komunist, por dhe si publicistin e veprimtarin e palodhur shoqëror që me dy librat e tij “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre” dhe “Kosova e lirë, ëndrra e jetës time”, me intervistat e pjesëmarrjen aktive në debatet televizive jep shembullin më të mirë të intelektualit vizionar e kurajoz. Gjatë këtij takimi festiv, kreu i Qarkut Tiranë, u fokusua tek vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si dhe në domosdoshmërinë e ruajtjes e transmetimit të këtyre vlerave tek brezi i ri. Zoti Dalipi i shprehu 98- vjeçarit Parllaku mirënjohjen për përkushtimin e tij, që si një enciklopedi e gjallë sjell në vëmendjen e opinionit publik të vërtetat historike të LANÇ, duke reaguar ashpër ndaj spekulantëve që përpiqen t’ia zbehin vlerat kësaj lufte të lavdishme. Vetë motivacioni i Titullit të Mirënjohjes: “Rrahman Parllaku – Një prej figurave qendrore dhe emblematike, që drejtoi Njësitë më të mëdha të LANÇ dhe Ushtrisë Shqiptare, gjenerali që luftoi fashizmin dhe sfidoi diktaturën, që si një enciklopedi e gjallë, në moshën 98-vjeçare mbron të vërtetat e historisë sonë kombëtare” është sintezë e jetës dhe veprës së heroit legjendar. Titulli “Mirënjohje e Qarkut Tiranë” për z. Rrahman Parllaku vjen pikërisht kur u mbushen 98 vjet nga dita kur në Novosej të Kukësit do të lindte një fëmijë që do të bënte dallim nga të tjerët për zgjuarsinë dhe guximin e tij. Ai ishte Rrahman Latif Parllaku, i cili lindi, u rrit dhe mbeti patriot. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit, “lufta e bërrylave’, qëndrimi në qeli, Lufta e Kosovës më 1999, krijimtaria publicistike e aktiviteti intensiv në mbështetje të proceseve demokratike e të shtetit ligjor, e forcuan karakterin e tij. Nëntëdhjetë e tetë vjet është një kuotë shumë e lartë. Gjeneral Rrahman Parllaku ka meritën se e ka rritur këtë kuotë të lartë, megjithëse i është dashur të përballojë shumë furtuna gjatë jetës, dhe ç’është më kryesorja, e ka arritur jo i drobitur, por në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore, një formë që do ta kishin zili edhe të rinjtë. Etapat e jetës së gjeneral Parllakut lidhen me zhvillime të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare, të Ushtrisë dhe vendit. Vetë fakti që z. Parllaku e filloi luftën si komandant i njësiteve guerile në Vlorë dhe e përfundoi si komandant divizioni në Kosovë, është shumë domethënës. Ai kontribuoi në Luftën Antifashiste dhe pas çlirimit. Në saj të punës dhe përpjekjeve arriti të bëhet një nga drejtuesit e lartë të ushtrisë sonë. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Parllaku u ndesh me skenarët e projugosllavëve për bashkimin e shtetit dhe të ushtrisë shqiptare me Jugosllavinë dhe luftoi për shkatërrimin e tyre. Kjo do t’i sillte një kosto që do të reflektohej më vonë në karrierën dhe në jetën e tij… Parllaku do të ndeshej edhe me ushtarakët dhe udhëheqësit sovjetikë që pas mbledhjes së 81 partive komuniste dhe punëtore të Evropës dhe daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës u përpoqën t’ia rrëmbenin Shqipërisë nëndetëset nga Baza e Pashalimanit… Më së fundi ky gjeneral i famshëm i ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe i Ushtrisë shqiptare do të shërbente si kokë turku në luftën për pushtet të Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve të tij politikë në ushtri dhe në qeveri e në parti. Atë e dënojnë me 25 vjet burg si pjesë e të ashtuquajturit grupi puçist në ushtri, së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon… Provoi trajtimin e keq në burgun e Burrelit, si shumë ushtarakë të asaj kohe, nuk u ligështua dhe pasi doli nga burgu, nuk u pranua me aministinë e ish parlamentit të pare pluralist, por bëri disa séanca gjyqësore, deri sa fitoi pafajësinë. Me fillimin e proceseve demokratike u përfshi për të dhënë ndihmesën e tij nëpërmjet organizatës së veteranëve në interes të atdheut. Pas daljes nga burgu , pas 17 vjetësh, në vitin 1991, pas ardhjes së demokracisë në Shqipërisë, Parllaku vihet në krye të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitin 1999 Parllakun do ta gjejmë në Kosovë, ndonëse në moshë të thyer për të dhënë kontributin e tij në luftën për Kosovën e lirë dhe demokratike… Duke nderuar Gjeneral Parllakun Këshilli I Qarkut Tiranë nderon të gjithë brezin që bëri luftën antifashiste dhe dërgon një mesazh të rëndësishëm dhe të qartë, mesazhin se shteti demokratik vlerëson luftën e drejtë të rinisë dhe të popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë gjatë Luftës së II Botërore, luftë që shprehte një kontribut shumë të madh në raport me popullsinë në aleancën antifashiste, që e renditi vendin tonë në krahun e fitimtarëve. Sot ne kemi përpara një hero të gjallë, një komandant divizioni të kësaj lufte, komandantin e Divizionit të V Sulmues që luftoi edhe për çlirimin e Kosovës dhe të viseve shqiptare në Ish Jugosllavi. Sot kemi përpara një gjeneral që u ndesh me gjeneralët e Traktatit të Varshavës për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Bazës Detare të Pashalimanit. Sot kemi përpara një gjeneral, që ndonëse në moshë të thyer shkoi në Kosovë në mbështetje të UÇK dhe të veprimeve të NATO-s në Kosovë. Sot ne kemi përpara njeriun kurajoz që në momente të rëndësishme ka mbrojtur me mençuri e trimëri çështjen tonë kombëtare. Ja pra ky është Gjeneral Rrahman Parllaku, kryetari i Organizatës së Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar. Ai sot është 98 vjeç, por kujtimet i ka si 98 ditë më parë. Ai i gëzohet gjithashtu familjes solide që gëzon respektin e të gjithëve. Në këtë 98-vjetor të ditëlindjes së tij, Këshilli i qarkut Tiranë e nderoi me Titullin “Mirënjohje” dhe këtë titull ai e vlerëson si ndër të më të çmuarit. Ai e meriton këtë Mirënjohje. Gjeneral Rrahmani ia doli mbi të gjitha furtunat e jetës, doli fitimtar nga lufta antifashiste, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe sot është gjenerali më i vjetër, por me mendje të re që mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në NATO dhe që mbështet fuqimisht proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sigurisht për një njeri që është memoria historike e kombit, lavdia e tij, nderi dhe krenaria e kombit, mund të shkruhet shumë, mund të bëhen filma e dokumentarë pa mbarim. Jeta dhe vepra e tij nuk janë thjesht një biografi tërheqëse, që për një biograf a shkrimtar do të qe një grishje për fantazinë. Është më shumë se kaq. Është një dëshmi për kohën që kemi lënë pas, për një kohë tepër të gjatë, si dhe jeta e Heroi të Popullit e Nderit të Kombit, që nga dje erdhi midis nesh me barrën e 98 viteve të tij, që si rrallëkush, i mbart me freskinë fizike, me mprehtësinë e gjykimit, me fjalën që nuk bie përdhe, me gjallërinë dhe energjinë e një burri shteti. Qofsh edhe për shumë vite të tjera siç të njohim e të shohim sot, gjeneral Rrahman Parllaku!
Sigal