Dalip Greca/ Shqiptari Gjon Mili, mjeshtri i madh i fotografise botërore

841
Sigal

31 Vjet nga shuarja e Gjon Milit, mjeshtrit të madh të fotografisë Botërore, veçanërisht asaj artistike. Shqiptari i shquar, erdhi në SHBA më 1923 dhe bashkëpunoi me Konicën

-31 Vjet nga shuarja e Gjon Milit, mjeshtrit të madh të fotografisë, vatranit të devotshëm për më shumë se një dekadë në radhët e federatës, për një mandat arkëtar  i Vatrës. Vetëm në fushatën e vitit 1928 ai dhuroi për Vatrën $2,500, me kursin e sotëm 119 mije dollar.

-Mjeshtri i fotografisë Botërore, veçanërisht asaj artistike, shqiptari i shquar Gjon Mili, erdhi në SHBA më 1923, i sponsorizuar nga daja i tij, Koço Çekani.

-Ra në kontakt me Faik Konicën dhe vatranët e tjerë sapo shkeli në Amerikë. Ishte arkëtar i përgjithshëm i Vatrës në vitin 1927.

      

New York, 14 Shkurt 2015. U mbushën 31 vite që kur ndërroi jetë mjeshtri i madh i fotografisë së përbotshme, veçanërisht asaj artistike,- i pari përdorues i flashit elektronik në fundvitet ‘30,(1937) shqiptari me famë botërore, Gjon Mili. Mjeshtri u shua pas një sëmundje të rëndë të mushkërive. Dha shpirt në Courtland Garden, në Stamford, Connecticut. Shërbimet mortore u kryen në Manhattan, qendra metropolitane e famshme në të gjithë botën, veçanërisht për galeritë dhe muzetë, ku Mili kishte shkëlqyer, duke punuar disa dekada për revistën e njohur”LIFE”, bashkëpunim që e kishte nisë që më 1937 dhe përfundoi në fund të jetës më 1984. Atë të premte shkurti të vitit 1984, në shtëpinë mortore Frank E. Campbell, në 81 Street dhe Madison Avenue, ne Manhaçan-NY, kishte fare pak shqiptarë. Vlen të përmendet mikja e tij, zonja e Vatrës, kryetarja degës së Nju Jork-ut dhe zëvendës/kryetare e Federatës Vatra, gazetarja dhe Shkrimtarja Nexhmije Zajmi, e cila ishte një nga shqiptaret e pakta që nuk i ishte ndarë deri në çastet e fundit të jetës. Po përse u ndodhën aq pak shqiptarë rreth arkivolit të mjeshtrit, ndërkohë që në dekadën e parë të ardhjes së tij në Amerikë, i riu Gjon Mili kishte shpenzuar shumë kohë për çështjen Kombëtare dhe që me aq krenari e kishte përdorur emrin e vet shqiptar GJON, madje derisa mbylli sytë?! Ka mundësi që ngarkesa, si faktor kryesor, dhe vdekja e Faik Konicës, mund të jenë arsye të besueshme të këtij divorci.

GJON MILI, VATRA & DIELLI
Gjon Mili, i inkuadruar në radhët e Vatrës, ishte një ambasador energjik i çështjes Shqiptare. Nga viti 1923 e deri në mesin e viteve ’30, atë e gjejmë nëpër shumë veprimtari të Vatrës, herë si vatran i thjeshtë, herë si arkëtar i përgjithshëm i Federatës Vatra, herë veprimtar i Kryqit të Kuq Shqiptar, herë kryetar apo sekretar i mbledhjeve të Vatrës të degës 42 në Pistburgh në PA, herë si reporter, herë shoqërues i artistëve të famshëm amerikanë miq të Shqipërisë, që jepnin koncerte nëpër shtete të Amerikës me repertor shqiptar etj. Gjon Milin e hasim edhe donator të Vatrës. Kështu p sh gjatë një fushate të Vatrës për vitin 1928 Gjon Milin e ka emrin në krye të listës së dhuruesve me 2500 dollarë. Ka shënuar rekord, askush nuk ka dhuruar sa ai. E konfirmon këtë fakt dokumenti që ndodhet në arkivin e Vatrës. Gjon Mili kishte kryer edhe detyrën e arkëtarit të Vatrës. E vërteton këtë fakt një urim që botoi Dielli në numrin e marsit 1930, përmes të cilit mësojmë se Mili ishte në Boston, pas një problemi shëndetësor,që e kaloi. Pas shtrimit në spital gjithçka shkoi mirë. Në fakt edhe në një numër të mëparshëm, atë të 7 Marsit, Dielli e njoftonte shtrimin në spital të Milit, ndërsa numri i 11 marsit 1930 i uronte shërim të plotë ish arkëtarit të Vatrës. Derisa publikohen këto lajme rreth tij, kuptohet se që në atë kohë ai ishte një personalitet që përbënte lajm. Saktësojmë se Gjon Mili nuk ka qenë kryetar as i ndonjë dege të Vatrës, as i qendrës, siç kanë përcjellë informacione të pasakta disa shkrime, apo intervista. Ai ka luajtur disa herë rolin e Chairman-it në kuvendet e degës nr. 42, por kjo nuk do të thotë se ai kryente funksionin e kryetarit,-Chairmani kishte mandat vetëm për Kuvendin. Rasti i Gjon Milit konfirmon edhe një herë faktin se Gazeta “Dielli” ka qenë një shkollë e vërtetë për t’i edukuar shqiptarët me frymën kombëtare, siç ka qenë dhe një mësues i duruar për t’u mësuar emigrantëve mësim e këndim në gjuhën shqipe. Një ndër shembujt që tregon se gazeta ishte shkollë për të mësuar shqipen e shkruar, është Gjon Mili. Dielli e prezanton Gjon Milin në numrin e vet të 25 majit 1928 në faqen e dytë. Prezantimi e merr shtysën nga një përrallë me titullin “Endërr” që ka përkthyer nga rumanishtja në gjuhën shqipe Mili. Me këtë rast redaksia bën këtë prezantim: ”Zoti Gjon Mili,ish arkëtar i Vatrës, i rritur në Rumani, kur erdhi në Amerikë, nja pesë vjet të shkuara, nuk e dinte mirë shqipen. Po të marrim atë gjë në sy, do të shohim nga përralla e përkthyer se përparimi që ka bërë me shqipen është me të vërtetë për të vënë re”, shkruante “Dielli”.Në fakt përkthimi i përrallës, që është botuar i plotë në faqet e Diellit, shquhet për një shqipe e pastër dhe të pangarkuar me fjalë të huaja. Përralla zë një kolonë e gjysmë në faqen e tretë të gazetës të numrit të publikuar me 25 majit (1928). Këtu është rasti të saktësojmë edhe disa pasaktësi që janë publikuar për në mediet e Shqipërisë dhe të Kosovës rreth pozicionit të Gjon Milit në Gazetën Dielli. Një artikullshkrues e paraqet si editor të Diellit, ç’ka nuk i qëndron së vërtetës. Realisht ai nuk e njihte aq mirë shqipen sa të drejtonte Diellin. Vetë Dielli shkruan se Mili po e përmirësonte shqipen përmes gazetës. Së dyti, në kohën kur e hasim emrin e Gjon Milit në shkrimet e Diellit dihet se editor ishin Aqile Tasi dhe më pas Refat Xh. Gurrazezi.

Është shkruar se Gjon Mili shkruante tregime, që i botonte në Dielli, dhe në “Studenti” i Torinos. Nuk ka asnjë tregim të botuar në Dielli me emrin e Gjon Milit. Është vetëm rasti i botimit të dy përrallave, njërën prej të cilave “Ëndërr” e mori dhe e botoi pa lejë të autorit dhe Diellit, revista e Torinos. Madje qëndrimi i Diellit ndaj këtij akti është i ashpër. Në numrin e 25 Marsit 1930, nën titullin ironik”Një tjetër sjellje e bukur”, Dielli shkruante:”Ca njerëz që i thonë vetes së tyre studentë botojnë një revistë shqip në Torino. Në një numër u ribotua një përrallë e bashkëpunëtorit tonë, inxhinier Gjon Mili. Kjo përrallë u mor nga Dielli nr 4075, Maj 1928, jo vetëm pa leje të autorit, por pa zënë aspak në gojë Diellin….”. Gjon Mili ndeshet në kronikat e “Diellit”, veçanërisht në koleksionet e viteve 1927, 1928, 1929, 1930, 31-35. Ai herë del reporter në mbledhje të degës 42 Vatrës në Pitsburgh, PA, herë Chairman, herë sekretar, e deri dhe pjesëtar i komisioneve kulturore ose fondmbledhëse, siç ishte rasti kur u shfaq një film dokumentar me pamje nga Shqipëria turistike, pamje te natyrës, që e kishte sjellë nga Shqipëria konsullit George N. Prifti, ndërkohë që të ardhurat shkuan për Kryqin e Kuq Shqiptar. Emrin e Gjon Milit e hasim edhe si përkthyes në faqet e Diellit. Sjellim si shembull përkthimin e tij”Shqipëria”-Prej Faik Konicës, Ministër i Shqipërisë në SHBA-Dielli, Tetor 1930. Në arkivin e Vatrës gjendet edhe një Letër e ish Kryetarit të Federatës VATRA për vitin 1961, Kristo Thanas, i cili i kujton mjeshtrit se dikur, të dy së bashku ishin pjesë të bordit të VATRËS, Ku Mili kryente detyrën e arkëtarit. Madje janë bashkë edhe në fotografinë e vitit 1927 me Faik Konicën.

MIQËSIA E GJON MILIT ME ARTISTEN AMERIKANE, MIKE E SHQIPËRISË

Në faqet e Diellit ndeshim disa shkrime, korrespondenca, kronika, letra, që nënshkruhen nga Gjon Mili dhe kanë lidhje me artisten amerikane, një këngëtare shumë e njohur për kohën, e cila vizitoi Shqipërinë dhe mblodhi folklor nga krahina te ndryshme të Shqipërisë, nga Përmeti deri në Shkodër. Artistja quhej Stella Marek Cushing me origjinë gjermane.  Artistja prezantohet nga Gjon Mili në gazetën e Vatrës në numrin e 16 majit 1930. Shkrimi mban titullin “Një mike e Shqipërisë” dhe ka për autor Gjon Milin. Autori i prezanton lexuesit me këtë artiste që kishte tërheqë vëmendjen e amerikanëve me koncertet e dhëna në të gjithë Amerikën. Shtypi kishte shkruar në mënyrë të veçantë për koncertet e saj me muzikë dhe valle nga populli çekosllovak.

Mili përcillte me gëzim lajmin se kjo artiste me famë do të shkonte në Shqipëri dhe për më shumë se një muaj do të mblidhte këngë dhe valle shqiptare dhe ato do t’i prezantonte në Amerikë. Mili shprehte bindjen se me “zotësinë si artiste dhe shpirtin e saj romantik, zonja Cushing do të fitonte zemrat e të gjithë shqiptarëve me të cilët do të takohej gjatë vizitës së saj.” Zonja Cushing u nis në ditët e fundit të qershorit dhe qëndroi në Shqipëri gjatë të gjithë muajit korrik 1930. Duket se Gjon Mili i ka mbajtur lidhjet me artisten edhe kur ajo ka qenë në Shqipëri, kryesisht me anë të letrave. Në numrin e 22 gushtit 1930, Dielli boton një letër të Milit drejtuar editorit Refat Xh. Gurrazezi. Letra botohet në faqen e tretë të gazetës dhe mbanë për titull”Zonja Cushing kthehet n’ Amerikë këto ditë”. Shkëpusim një fragment prej saj: “Nga një letër që mora prej zonjës Stella Marek Cushing, artistes së njohur amerikane nga Gjermania, po ju heq për botim ca radhë, ku flet mbi udhëtimin e saj në Shqipëri dhe përshtypjet që i ka bërë vendi ynë. Zonja Cushing më shkruan:”E ndjej veten shumë të lumtur që pata rastin që të vizitoj Shqipërinë këtë behar…Lartësia e Saj Princesha Senie më priti me një fisnikëri të rrallë, më përcolli me urime dhe më bëri shumë lehtësira. Kudo që dolla kisha shok me vete zotin Aqile Tasi(Ish kryetar i Vatrës dhe editor i Diellit,që la Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë, i dënuar nga diktatura komuniste)….Qëndrova një ditë në Kavajë, një në Durrës, pastaj mora automobilin për në Berat, Përmet, Vlorë dhe u ktheva në Krujë, në Mat-me kal, Shkodër dhe malet përreth…Kur ardha, zbrita nga Jugosllavia, në Korçë dhe që andej në Elbasan dhe Tiranë,- them se kam parë pjesën më të madhe të vendit tuaj.

– Lashë zemrën në Shqipëri,-me malet dhe popullin e saj….Muzikën e gjeta shumë tërheqëse. Kam mbledhë shtatë këngë dashurie, dy këngë trimërie, dy valle dhe ca të tjera… Sa bukur! Ishim të ftuar në dy dasma, por në ndonjë mbulesë ose të qarë,nuk vajtëm dot se nuk vdiq njeri në atë kohë. Megjithatë pashë mjaft sa të kem krijuar një ide të çuditshme për popullin dhe zakonet e shqiptarëve. Gjon Mili raportin e tij e mbyll: “Kështu flet artistja e shënuar Amerikane. Komentet janë të tepërta. Gëzohem si çdo shqiptar tjetër për përshtypjen e mirë që bëri zonja Cushing me popullin dhe krerët e vendit tonë.”- Juaji me falënderime -Gjon Mili- Blumfield, NJ. Veç të tjerash, ky raport na jep edhe një detaj, Gjon Mili në këtë kohë, jetonte në shtetin e Nju Xhersit, pra jo më në Pensilvani, as në Masachussets- Boston. Në të njëjtën faqe të Diellit, botohet edhe shënimi i Gjon Milit se artistja Amerikane kthehej në Amerikë ditën e parë të shtatorit dhe se pak më vonë ajo do të niste koncertet me këngë e valle shqiptare. Mili do ta përcillte nga afër turneun artistik të këngëtares amerikane. Ai i informon lexuesit e Diellit për koncertin e parë të zonjës Cushng në numrin e Diellit të  3 Shkurtit 1931. Madje ka shkrime për këtë artiste dhe koncertin e saj në Cosmopolitan Club të Mtaclair në NJ. Fillimisht botohet informacioni, dhe më pas një shkrim me titull: “Mbrëmje e Ballkanit”, të dy mbajnë emrin e autorit Gjon Mili. Në këtë koncert u prezantuan popujt e Ballkanit. Kryesisht: Turqia, Jugosllavia, Greqia dhe Shqipëria. Gjon Mili shkruan jo pa emocion:”Zonja Cushing, që përfaqësoi Shqipërinë, doli në skenë e veshur me një kostum të Tiranës dhe plot emocion përcolli mbresat nga vizita në Shqipëri.” Mili sjell në shkrim fjalët e artistes”Shqiptarët, që nga i pari dhe gjer te më i vobegti, lindin aristokratë, dhe sjellja e tyre fisnike ka tërhequr vëmendjen e të huajve.” Ajo, shkruan Mili, lëvdoi gratë shqiptare për nderin, fisnikërinë,sakrificat që bëjnë për burrat e tyre, veçanërisht për ata që janë në kurbet. Artistja amerikane u duartrokit me një valle të hijshme shqiptare, që solli kujtimet nga një dasmë në Leusë të Përmetit, ku artistja kishte qenë e pranishme. Më pas ajo tregoi plot emocion takimin me një plak malësor në Shkrel të Shkodrës, ku ai i fali me përzemërsi instrumentin e dashur për të, një Lahutë, të cilën zonja Caushing e kishte marrë me vete në skenë. Artistja këndoi në atë koncert katër këngë shqiptare, ku më shumë u pëlqyen “Se ç’këndon bilbili” dhe” Vasha lante, vasha qante”. Kjo e fundit, sqaron Mili, ka për tekst një vjershë të vogël popullore, shumë mallëngjyese, sa që zonja Caushing ia kishte bërë vetë muzikën.

Në fund të shkrimit, Gjon Mili, njofton se përveç tij, në atë koncert kishte dhe shqiptarë të tjerë, ku përmend zotërinjtë Haki Blloshmi dhe Ahmet Çelo. Mili do ta shoqëronte artisten amerikane edhe gjatë një koncerti bamirësie që organizonte Kryqi i Kuq. Edhe pse shkrimi është botuar në Diellin e 26 qershorit 1931, koncerti ishte organizuar me 31 maj. Në atë koncert bamirësie kishin ardhur nga Shqipëria zonja Violet Kennedy, gruaja e misionarit amerikan në Korçë. Kryetari i komisionit organizator, gazetari Nelo Drizari, prezantoi zonjën Kennedy, ndërsa Gjon Mili, prezantoi artisten amerikane zonjën Cushing. Ka dhe raste të tjera, ku Gjon Mili shkruan dhe promovon në faqet e Diellit amerikanë që promovojnë Shqipërinë. Ç’ka tregon se ai ishte shumë i lidhur me atdheun e vet, nga ku u largua vetëm 5 vjeç.

(Vijon nesër)

 NESËR DO TË LEXONI:

-Bashkëpunimi i mjeshtrit Gjon Mili me Faik Konicën dhe kontributi i tyre në të mirë të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

-Dramat familjare, përjetimet e fotografit dhe ndikimi i tyre në aktivitetin patriotik të Milit

-Rruga e vështirë e mjeshtrit drejt majave të artit dhe administrimi i suksesit.