Dalan Buxheli: Masakra naziste mbi Kuçin, gjatë Operacionit Ushtarak të Dimrit 1943­1944

1367
Kuçi, fshat në krahinën e Kurveleshit të Poshtëm, pjesë e Bashkisë së Himarës shtrihet në rrjedhën e sipërme të lumit të Shushicës, në shpatin e malit të Shkabës dhe qarkohet nga maja malesh të larta deri 1.500 m. Kuçi gati i tëri u lidh me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vetëm në këtë luftë ka 88 dëshmorë dhe 4 heronj të popullit. Kuçi që në vitin 1942 ishte i pari fshat në Evropë, i çliruar nga hordhitë fashiste. Mbi 600 kuçjotë­partizanë luftuan deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, madje dhe Kosovë e Bosnjë­Hercegovinë. Për të shpartalluar këtë zonë të rëndësishme të lëvizjes çlirimtare, nga 19 dhjetor 1943 deri 14 shkurt 1944 nazistet gjermanë dhe bandat e ballit kombëtar nisën operacionin ushtarak të dimrit 1943­1944 me synimin përfundimtar shkatërrimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe bazat mbështetëse të saj. Ky operacion, popullin e Kuçit e gjeti në kondita shumë të vështira ekonomike. Lidhjet me qytetin nga mund të siguronte ushqime, i kishte të prera krejtësisht. Asnjë fshatar nuk mund të qarkullonte, ndryshe vihej përpara arrestimeve e torturave. Edhe kushtet atmosferike të dimrit, në të cilat zhvillohej operacioni ishin në përgjithësi në dobi të armikut. Nazistët dhe ballistët qenë të veshur e të mbathur, si jo më mirë për të tilla kushte. Shumica e partizanëve dhe e popullit s`kishin rroba dhe këpucë dimri. Partizanët dhe populli do të detyroheshin të qëndronin ditë e net të tëra jashtë nëpër male, në shi e në borë duke luftuar me armiq të egër, duke lëvizur nëpër vende të thyera, nëpër pyje e shkrepa, pa ushqime ose me këmbë e duar të ngrira nga të ftohtit dhe të uritur. 

Qëllimi i nazistëve gjermanë dhe ballistëve ishte t`u jepnin një goditje të befasishme forcave partizane të kësaj zone dhe bazave të tyre. Ata mendonin se me këtë operacion do të mund të arrinin shpartallimin e plotë të tyre. Armiku e kishte organizuar goditjen me forca të shumta nga katër pika të ndryshme: Gusmar­Kuç, Mesaplik­Kuç, Himarë­Kuç dhe Borsh­Kuç. Më gjithë rezistencën heroike të brigadës V­të dhe forcave të batalionit partizan, Ismail Haki, që komandohej nga Sefedin Meçaj, arritën të futen në Kuç bashkë me bandat balliste të drejtuara nga krimineli Idris Jazo, duke hapur parrulla se gjoja, forcat e brigadës I­re, të brigadës V­të dhe të brigadës VI­të janë shpartalluar. Një situatë e tillë ndikoi negativisht në disa persona, të cilët kërkuan të bënin një takim dhe të diskutonin me Idris Jazon, por komunistet e organizatës së Kuçit, që ishin në lëvizje nëpër zona të ndryshme arritën evitimin e këtij takimi. Rol të veçantë për demaskimin e parrullave armiqësore të Idris Jazos luajti prezenca e Mitat Gjoligut (dëshmor i atdheut), që kishte ardhur për zbulimin dhe njohjen e situatës në Kuç. Ai menjëherë dërgoi korrierët për te njoftuar Haki Toskën e Jaho Gjoligun, drejtues të brigadës VI­të, të cilët erdhën në Kuç. Ardhja e tyre ndryshoi menjëherë situatën, ngriti lartë moralin e popullit dhe bëri të demaskoheshin përfundimisht parrullat e përhapura nga armiku. Ky operacion, i zhvilluar në etapa të ndryshme dhe të afërta me njëra-tjetrën, krijoi situata të vështira për forcat partizane dhe gjithë popullin. Banoret e Kuçit kishin braktisur banesat e tyre dhe ishin vendosur nëpër pyje, shpella e male, në mes të dëborës e ngricave të dimrit të ashpër. 

Disa familje u kthyen në banesat e tyre, duke kujtuar se operacioni kishte mbaruar, kjo bëri që të kapen në befasi nga armiku, duke pushkatuar 27 prej familjarëve të kapur. Midis të pushkatuarve pati dhe gra e fëmijë. Masakra nazisto­balliste vazhdoi me masakrimin e grave si Afo Fejzaj, e cila u kap në momentin e kthimit nga pylli ku ishte fshehur me 4 fëmijët e saj të vegjël dhe u vra në mënyrë barbare. Rrëqethës është fakti kur u gjet e vrarë, fëmija 6 muajsh ndodhej në prehrin e saj, duke thithur gjirin e nenës së vdekur, Nure Mane Xhaferaj e kapur në pyllin midis Kuçit dhe Kudhësit e pushkatuan në praninë e 5 fëmijëve të vegjël, Aleme Bedo Bishaj, e cila u kap duke çuar ushqime partizanëve, ajo u përpoq të mos binte e gjallë në duart e bishave naziste, por e kapën dhe e masakruan duke e goditur me bajoneta, si dhe Belere Korrockën. Bandat balliste të xhindosura për disfatën dhe humbjet që pësuan para qëndresës se papërkulur të Kuçit, po vepronin, duke vrarë shqiptari-shqiptarin, kurse nazistet fërkonin duart për shërbimin që u bënin bashkëpunëtorët e tyre duke i shpërblyer me para e grada. Duke terrorizuar gratë synonin shpartallimin e bazës mbështetëse të prapavijës partizane të përbërë nga gratë dhe vajzat kuçiote. Duke vlerësuar këtë mbështetje veterani, Barjam Zahaj në ditarin e tij shkruan: Në ditët e para të janarit 1944 në ishim vendosur në pyjet e Kuçit, duke lëvizur në borë e shi që binte pa pushim, i afrohemi një shpellë ku ishte strehuar një grua me 5 fëmije të vegjël. Kishte venë në zjarr një kusi bakri dhe gatuante elb për të ushqyer fëmijët. Ajo sa na pa na u hodh në qafë me përzemërsi dhe na ftoi pranë zjarrit. 

Na tha se do të jepte pak elb të zier,se gjë tjetër nuk kishte. Ne duke parë gjendjen e mjeruar të fëmijëve, që rrinin rreth zjarrit e refuzuam elbin, megjithëse ishin shumë të uritur, por ajo nguli këmbë dhe gjithë elbin na e ndau neve partizanëve, duke thëne se ka mbetur edhe një grusht për t’ua zierë fëmijëve. Këtë bujari nuk mund ta harroj kurrë. Ky operacion i kushtoi rëndë popullit të Kuçit, jo vetëm në humbje të jetës njerëzore, por edhe në shkatërrimin e krejt ekonomisë së tij. Vetëm gjatë këtij operacioni,disa mijëra krerë bagëtish të imta e të trasha,u grabiten nga armiku dhe qindra të tjera ngordhën nga dimri i egër e mungesa e bazës ushqimore, u dogjën edhe ato strehë provizore, që ishin ngritur në luftë e sipër,pas 6 operacioneve të mëparshme. Për mbështetjen e Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pjesëmarrjen e gjerë në të, Kuçi është dekoruar me medaljen e kujtimit, të trimërisë, të çlirimit dhe me Urdhrin e Flamurit. Në vitin 1999 u shpall Fshati Martir i Luftës së II­të Botërore. Vetë historia i ka bërë kuçiotët të jenë krenarë. Se luftën e kanë bërë për paqe e për liri dhe jo për të sunduar të tjerët. Por dhe në kohë paqeje, kuçiotet iu përveshen punës e jetës, arsimit e kulturës, zhvillimit shoqëror. Këtu u bë e mundur hapja e shkollës së parë shqipe në qendër të Kuçit, që me 1916. Pas çlirimit, në këtë fshat të madh u hapën 5 shkolla fillore, në lagjet e Kuçit. Në vitin 1947 u çel shkolla 7­vjecare dhe në vitin 1971 shkolla e mesme. Ka specialistë në të gjitha fushat e jetës. Ka një numër të madh krijuesish, në art e në kulturë.
Sigal