Dajana Shabani, Deda: Sakrifica ime më e madhe, lashë Romën për Televizionin

1770
Atë e shikojmë çdo ditë në mëngjes në “Ditë e re” në Ora News. Dajana Shabani, është moderatorja e këndshme, që na sjell buzëqeshje, pozitivitet dhe shumë dashuri përmes ekranit. Në një intervistë për gazetën “Telegraf” Dajana na rrëfen për mëngjeset e saj ‘të frikshme’ siç i quan ato Dajana, por gjithashtu flet dhe për emisioni “Dita e re”, për të cilin ajo thotë se ndjehet shumë komode dhe se ka gjetur veten aty. Dajna flet për mardhënien me vajzën si dhe sakrificën më të madhe që ajo ka bërë për karrierën. Dajana thotë se sakrifica edhe më e madhe është se martesën e ka kaluar disi në plan të dytë pasi bashkorti jeton në Romë dhe ajo nuk shkëputet dot nga ekrani.

Si janë mëngjeset e Dajanës? 
Mëngjeset e mia nga e hëna në të premte janë ‘të frikshme’, duke qenë se dhe nuk fle shumë, pasi ushqej vajzën me gji. Zgjohem në 6 të mëngjesit, por situata ndryshon vetëm në fund të javës kur marr dhe pak kohë për veten.

Ka shumë emisione mëngjesi, pse shqiptarët duhet të ndjekin “Ditë e re”? 
Nëse shqiptarët do të duan të gjejnë aty; pak këngë cilësore, pak informacion interesant, pak relaks dhe heqje stresi, si dhe shaka, kuriozitete për të ftuarit dhe gjithçka tjetër mund të ndjekin “Ditë e re”. 

A e ka gjetur Dajana veten te “Dita e re” apo ndoshta presim ndonjë projekt tjetër?
Unë, ç’është e vërteta jam shumë krenare për veten dhe uroj të mos më merret për mendjemadhësi, por çdo projekt që më është dhënë unë kam arritur që të krijoj audiencen për shumë pak kohë. Fakti që unë e krijoj këtë është gjë shumë e mirë për mua, sepse më bën që ta marrë punën shumë me qejf dhe me dëshirë. ‘Dita e re’ ka ardhur shumë bukur dhe shumë spontane, sepse unë argëtohem vetë, kështu që nuk besoj se për moment do ta ndërroj, megjithatë unë jam Dajana e mbrëmjeve edhe sigurisht ky zgjimi do më pëlqente te evidentohet. 

Cila është rubrika më e bukur në “Dita e re”?
Unë kam pasur shumë qejf rubrikën e bamirësisë që për momentin është hequr dhe ne jemi gati për një ‘Ditë të re’ me platformë të re dhe me një reklamë të re, por ajo ka qenë një prej rubrikave që mua më pëlqente më shumë nga të gjitha, sigurisht dhe prania e të ftuarve, sjellja me të – është një pjesë tjetër nuk do dija ta ndaja, por bamirësia them ka qenë më e bukura! 

Më the që ke një vajzë, sa orë kalon me të? 
Me vajzën, të gjithë nuk e besojnë ,por unë kaloj shumë orë me të, unë fle me të dhe pasditet kryesisht i kam të fokusuara te vajza, duke filluar që nga ora 4 e pasdites unë jam e dedikuar plotësishtë me te, non stop.

Cila është përralla që i tregon vajzës para se të flejë? 
Përralla që ajo ka ‘fiksim’ është përralla se si është martuar mami dhe babi i saj. Unë duke ia rrëfyer improvizoj dhe e fus edhe vajzën brenda përrallës. kuptohet është një tregim i sajuar prej meje, si jam njohur me babin unë e Marlena!

Vajza është e lidhur më shumë me babin apo Dajanën?
Çështë e vërteta jam shumë xheloze për këtë që po tregoj, po përveç gjirit që më lidh dhe që duket se e ka të nevojshme ajo është shumë e dhënë pas babait të vet.

Cila është sakrica më e madhe që do të bënte Dajana për karrierën? 
Sakrificën për karrierën e kam bërë tashmë, sepse im shoq jeton në Romë dhe unë normalisht duhet të isha me të atje. Sakrifica është që unë e kam lënë martesën pak në dorë të dytë dhe unë ndjehem shumë keq, por jo kurrsesi familjen, domethënë atë ku përfshihet dhe vajza. Sakrifica më e madhe nuk është se nuk e kam lënë këtë vend, kam ndenjur sërish këtu, dhe vetëm sepse e kam shumë pasion televizionin.
 
Cilat janë tre tiparet dalluese të Dajanës? 
Jam mosbesuese, jam pak arrogante dhe jam shumë e ndjeshme. Te tipari i tretë që është edhe më dominuesi bëjnë pjesë të gjitha bamirësitë që unë kam bërë, sepse unë kam adaptuar në distancë një fëmijë të “Shtëpisë të fëmijës”. Një djalë nga kjo shtresë e kam mbajtur për një periudhë kohe, 2012 -2014, me mbështetje ekonomike, ndërsa tani që është relativisht i madh, jo më.

Çfarë urren te një njeri? 
Falsitetin, hipokrizinë, që do të thotë mbi të gjitha, të hiqesh dikush dhe të jesh dikush tjetër .

Çfarë karakteri ka Dajana? 
Kam karakter shumë të fortë e deri më sot nuk jam thyer, shyqyr Zotit!

Si reagon Dajana kur zhgënjehet nga një njeri që e ka pasur shumë të dashur? 
Ti nuk do ta besosh, por unë nuk zhgënjehem asnjë herë, se nuk pres asnjë herë 100 për qind nga njerëzit. Gjithmonë mendoj që do kenë diçka për ta bërë dhe deri më sot nuk jam zhgënjyer në asnjë moment, por sigurisht që kam ndryshuar, sepse atë tiparin e ndjeshmërisë dhe të qenë më afër njerëzve e kam ndryshuar pak dhe jam bërë më përzgjedhëse në miqësitë e mia, pak më individualiste duke vënë në qendër, pse jo, veten time. 

Ka Dajana miq apo mikesha të afërta ?
Kam shume miq dhe mikesha të afërta, madje që nga fëmijëria sot e kësaj dite i kam në krahun tim. Unë mikeshë quaj atë që më vjen në 2 të natës në shtëpi kur unë kam problem dhe këtë gjë mua ma kanë bërë mikeshat e mia ato që e meritojnë e që i quajta të tilla. 

Dajana ti je vetëm 28 vjeçe dhe karriera të ka ecur paralel me familjen, cili është çelësi i suksesit për një vajzë për të ecur paralel të dyja këto drejtime? 
Unë e kam nisur karrierën televizive 20 vjeçe, se për të punuar kam nisur që në moshën 18 vjeçe dhe çelësi i suksesit tim ka qenë dhe është ende, origjinaliteti im. Unë jam ashtu si jam, e vërtetë. Ndoshta me mijëra defekte, por janë të miat. Ndoshta në ndonjë rast edhe ‘ia kam futur kot’, por duket që shqiptarët e kanë pëlqyer këtë mënyrë të thëni të gjërave ‘troç’ sepse kanë pëlqyer që unë kam thënë të vërtetën. 

A është Dajana një kuzhiniere e mirë? 
Kam qenë shumë skandaloze, nuk e di, nëse do ta besosh, por delli i kuzhinës që më kapi kur unë kam qënë shtatzënë si duket nepset e ndyshme më kanë bërë që unë t’i futem gatimit dhe tashmë jam një kuzhiniere e mirë, kur dua. 

Cili ka qënë formati juaj më i mirë, që jeni ndjerë më komode? 
Komode, por po ta marrim dhe nga oraret dhe nga gjithçka ka qenë “Alarmi” si një emision më serioz dhe unë po i afrohesha të 25-tave dhe kështu që ishte një format më afër meje. Por si “Starti” nuk do të dashuroj as një nga emisionet tjerë, pasi ishte: Lançimi im. Aty bëra për vete shumë njerëz, mund të kem bërë me mijëra budallallëqe dhe nuk jam akuzuar asnjëherë, se ishte dhe mosha siç duket. Por mund të ketë qenë periudha, ndaj dhe zgjedh “Startin”, por nuk lë pas dore aspak aktualen “Ditë e re”. 

Taka apo atlete? 
Paradite atlete, pasdite prapë atlete. Këto kohë, që kur jam bërë mami më shumë atlete, por zakonisht paradite atlete dhe pasdite taka . 

Intervistoi, Era Çela