Çlirim Hoxha/ Më shumë seriozitet për çmimet letrare nga ana e Ministrisë së Kulturës.

591
Sigal

Lexuam në gazeta se ishin ndarë çmimet letrare 2013 nga ana e Ministrisë së Kulturës. Jemi të çuditur se si u realizua ky proces, sepse askush nga ne, krijuesit e Vlorës, nuk e morëm vesh dhe nuk na njoftoi njeri. Nuk e morëm vesh sepse nuk pamë gjëkundi ndonjë prononcim të organizatorëve, nuk vumë re ndonjë konferencë shtypi të autoriteteve të Ministrisë së Kulturës dhe nuk lexuam në shtypin e përditshëm ndonjë kriter për pjesëmarrjen e shkrimtarëve dhe poetëve shqiptar në këtë konkurs?!

Jemi qarë më kot deri dje për mos përfshirjen e të gjithë krijuesve në konkursin për çmimet letrare, por si duket gjërat po përsëriten edhe me stafin e ri të Ministrisë së Kulturës. Druaj se ndoshta në këtë ministri mund të kenë mbetur njerëz me kompetenca nga brumi i vjetër dhe gjërat nuk kanë ndryshuar. Në qytetin e Vlorës operojnë disa shoqata shkrimtarësh, të cilat kanë në gjirin e tyre mjaft krijues të talentuar, siç mund të përmendim Klubin e Shkrimtarëve “Petro Marko”, Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, shoqatën “Ali Asllani”, shoqatën “Isuf Buzi” etj, të cilat japin një kontribut të spikatur në jetën artistike dhe kulturore të qytetit bregdetar.

Është shumë dekurajuese për cilindo krijues të letërsisë kur sheh dhe dëgjon se u ndanë çmimet letrare 2013 dhe askush nuk kishte informacionin më të vogël se si u organizua ky eveniment. Terri informativ në lidhje me këtë çështje nuk i bën mirë askujt dhe aq më shumë organizatorëve të Ministrisë së Kulturës.

Ndarja e çmimeve letrare 2013 duhej ti paraprinte një publiciteti të merituar qysh në momentin e ideimit të tij, organizimit dhe fazave të tjera të konkurrimit. Shqipëria letrare nuk ka mbetur sot në duart e 3-4 emrave, rreth të cilëve rrotullohet sot bota, por ka me dhjetëra krijues të letërsisë që duhen marrë në konsideratë nga Ministria e Kulturës, nëse vërtetë mendojmë se tani po fryn një erë e re. Nuk kam se çfarë të them për numrin e aktiviteteve dhe evenimenteve që kjo Ministri organizon, sepse numri i tyre krahasuar më të djeshmen është shumë herë më i madhe dhe cilësor, por nuk mund të rri pa tërhequr vëmendjen nga evenimenti letrar më i mirëpritur për të gjithë krijuesit shqiptar të letërsisë bashkëkohore.

Ne prisnim që dikush nga Ministria e Kulturës muaj më parë të dilte dhe të deklaronte në një konferencë shtypi a diçka të tillë që; startoi Konkursi Letrar 2013. Ne prisnim që organizatorët të ftonin krijuesit shqiptar të vitit 2013 që të dorëzonin nga dy kopje pranë komisionit të ngritur për këtë qëllim. Ne prisnim që komisioni organizator, ose juria të kishte kohën e mjaftueshme disa mujore të bënte seleksionimin e veprave të paraqitura. Ne prisnim që komisioni i vlerësimit apo juria të deklaronte 10 veprat më të mira që i qëndronin deri në fund konkurrimit. Ne prisnim që komisioni i vlerësimit apo juria të caktonte një datë dhe përmes një aktiviteti domethënës të jepej çmimi për fituesin, ku të ishin të ftuar të gjithë pjesëmarrësit që kishin paraqitur botimet e tyre në konkurs për vitin 2013. Kjo nuk ndodhi duke shkaktuar një ndjenjë zhgënjimi te shumë krijuesve, shkrimtarë dhe poetë në mbarë Shqipërinë. Askush nuk na tha se, sa vepra u paraqitën në konkurs dhe mbi ç’ baza u bë vlerësimi i tyre. Askush nuk na tha se, përse këtë vit u dha vetëm një çmim dhe a përmbushi ky vlerësim pritshmërinë e krijuesve të letërsisë në Shqipëri, apo prurjet letrare për vitin 2013 kanë qenë të pakta. Nuk është hera e parë që qyteti i Vlorës anashkalohet nga evenimente të tilla. Në qytetin e Vlorës ka me dhjetëra krijues të letërsisë që kanë botuar dhe kanë marrë çmime në disa evenimente lokale dhe ndërkombëtare, por vetëm në Tiranë mbahet heshtje për këtë të vërtetë. Si mund të anashkalohen shkrimtarë dhe poetë të tillë të talentuar të Vlorës si Bardhosh Gaçe, Hiqmet Meçaj, Lefter Çipa, Eqerem Canaj, Vilheme Vranari Haxhiraj, Myrteza Mara, Astrit Hajdini, Leka Skëndaj, Simon Xanina, Xhemil Lato, Idajet Jahaj, Pëllumb Velo etj, të cilët i japin tonin letërsisë në qytetin e Vlorës e më gjerë. Letërsia si ushqim shpirtëror i njerëzimit është lenë sot në hije ose ka mbetur vetëm te 3-4 emra tradicional, të cilët kanë suport të fortë mbështetës në qarqet politike të Tiranës. Kështu ka ndodhur deri tani, prandaj do të ishte në interesin e të gjithë krijuesve shqiptar të letërsisë që Ministria e Kulturës të tregojë më shumë vëmendje në promovimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Nuk mjaftojnë panairet e librit për të promovuar letërsinë që i shërben brezave, por edhe rekomandimet e duhura që kjo letërsi të njihet edhe në sistemin shkollor shqiptar, krahas autorëve tradicional. Po ashtu, Ministria e Kulturës duhet të mbështesë financiarisht botimin e veprave të autorëve cilësor, të cilët nuk kanë mundësi financiare për të botuar, por që ruajnë në arkivat e shtëpive të tyre dorëshkrime me vlera të larta letrare-artistike që duhen nxjerrë në dritë. Konkurset letrare apo ndarja e çmimeve letrare nuk mund të bëhet nëse nuk i ke ftuar të gjithë krijuesit e vitit 2013, nuk u ke dhënë shansin e barabartë për tu paraqitur, nuk i ke marrë në konsideratë duke ua lexuar krijimin dhe nuk ke argumentuar se përse libri i tij nuk u fut tek më të mirët etj. E gjithë kjo kërkon më shumë seriozitet nga ana e Ministrisë së Kulturës, e cila duhet të dalë nga Tirana dhe të shohë tej horizontit mbi qytetet ku flenë vlera të rëndësishme letrare.