Çlirim Hoxha/ “Aulona Interfolk”, magji dhe krenari

665
Për tri net me radhë sheshi “Pavarësia” në Skelë të qytetit të Vlorës gjëmoi nga vallet dhe këngët e ansambleve folklorik ardhur nga shtete të ndryshme të Europës në edicionin e 7-të Aulona Interfolk Festival. Qytetarët e Vlorës përjetuan magjinë e folkut të shpalosur bukur nga grupet pjesëmarrëse, si një dëshmi i kulturës së popujve, të racave, të kombeve. Këto tradita të mrekullueshme të ruajtura dhe trashëguara brez pas brezi nga popujt janë pasqyra më e qartë e asaj që i bashkon popujt. Folklori është e vetmja gjë me të cilin popujt merren vesh me njëri-tjetrin pa nevojën e një përkthyesi dhe kjo është bërë traditë në qytetin bregdetar dhe turistik të Vlorës fal pasionit, përkushtimin dhe profesionalizmit të zotit Sejmen Gjokoli, i cili ka vite që e ankoron anijen e flokut internacional në brigjet magjike të Vlorës. Dhe Vlora u derdh mbrëmjeve të këtij maji në sheshin “Pavarësia” në Skelë, aty nënë vëzhgimin e hekurt të Babait të Pavarësisë Kombëtare Ismail Qemal Vlorës, gjëmuan lodrat, u kërcyen vallet dhe jehuan këngët e popujve, si mesazhe paqeje, si pjesë e kulturës së përbotshme që zë fill nga Vlorë dhe përçohet anë e kënd Mesdheut, Ballkanit dhe Europës. Netët e flokut kaluan një e nga një. Në secilën prej tyre shpalosej gjuha e përbashkët e popujve folklori i ngjyrave, i valleve dhe këngëve, duke i dhënë qytetit që jetonte startin zyrtar të çeljes së sezonit turistik ato dimensione të magjishme që vetëm folklori di ti përcjellë. Natyra e qytetit të Vlorës konsiderohet nga specialistët e mjedisit si antistres, paçka se ndonjëherë Vlora e ndez kur interesi i Atdheut ia kërkon këtë gjë. Në skenën e Aulona Interfolk Festival u ngjitën për tri ditë rresht grupet e ardhur nga Italia, Turqia, Maqedonia, Polonia, Bullgaria, Kosova dhe Shqipëria dhe sheshi u drodh dhe qielli jehoi dhe ngjyrat ranë mbi skenë si mesazhe ardhur nga Universi. Kishte diçka të veçantë ky festival, kishte më shumë shpirt, më shumë grin aq sa mblodhi rreth vetes mijërat e qytetarëve vlonjat, të cilët duartrokitën folklorin e popujve, trashëgiminë e brezave, vallet e gjyshërve, ninullat e nënave. Njeriu të cilit nuk i zinin këmbët dhe ishte Drejtori i Përgjithshëm i këtij Festivali zoti Sejmen Gjokoli, i cili sy e vesh tek çdo gjë, tek çdo detaj me qëllim që mbarëvajtja e tij të ishte perfekte. Po ashtu edhe drejtori organizativ i festivalit zoti Kozma Billa ishte në këmbë dhe i kudogjendur që punët të shkonin mirë ashtu siç shkuan deri në fund. Breshëri duartrokitjesh korrën ansamblet nga qyteti i Ostunit Itali. Drejtuesi i këtij ansambli zoti Antonio Grego thotë se, është hera e parë që vjen në Vlorë. I pëlqen shumë qyteti, mikpritja e tij. “Ngjason shumë nga temperamenti dhe estetika, me qytetin tim, Ostun”, thekson ai. “Duhet ta përjetoja këtë përvojë si një shkëmbim kulturor mes dy vendeve. Historia ka treguar se jemi shumë të ngjashëm mes nesh, çka është provuar në momente të ndryshme, sikur ndodhi edhe në vitet e para pas 1990-tës, kur shumë shqiptar erdhën në Itali”, thotë Grego. Përveç valleve dhe këngëve tradicionale të zonës, grupi italian solli edhe vlera origjinale të folklorit. “Poezi të treguara nga stërgjyshërit tanë, ne i kemi shndërruar në version kënge dhe valleje. Mes tyre, “Picika”, vallja më e njohur në Itali dhe jashtë saj, erdhi në këtë festival në versionin e vet të plotë që nis nga një ngjarje, ku një grua pickohet nga një merimang”, thotë Grego. Kaq e vërtetë ishte kjo saqë vajzës kërcimtare që simbolizonte gruan e pickuar dhe që bëri sikur humbi ndjenjat, detyroi një spektator që merrte vesh nga mjekësia që t’i afrohej me nxitin skenës për t’i dhënë ndihmën e shpejtë, çka shkaktoi të qeshura tek të pranishmit. Ndërkohë Radka Hristova drejtuese e Ansamblit “Detelina” të Sofiesd Bullgari shprehu vlerësime maksimale për organizimin e bukur të Aulona Interfolk Festival. “Në këndvështrimin tim, festivali është perfekt, i kuruar në çdo detaj, prandaj dhe e vlerësoj maksimalisht”, u shpreh ajo. Katashina Bilsko drejtuese e ansamblit “Mlodi Torun” nga Polonia tha se grupi i saj vjen me një surprizë në këndshme në këtë festival. Ai përfaqëson qytetin e lindjes së astronomit të famshëm Nikolla Kopernik, çka Katazhina e thekson me krenari këtë fakt. Ky ansambël ka një histori 50 vjeçare dhe një prezantim evropian dhe amerikan të folklorit polak. Vëmendjen e spektatorëve në netët e festivalit e tërhiqi grupi turk i folklorit gjeorgjian me emrin “Inegol Kafkas Folklor”. Ky grup përfaqësoi vlerat e komunitetit gjeorgjian që jeton në këtë vend prej vitit 1870. Sarkan Aj, shtetas turk me origjinë shqiptare, thotë se, gjeorgjianët përbëjnë një nga komunitetet e shumta jo turke që jetojnë prej më shumë se një shekulli në Turqi. Ata ruajnë zakonet dhe traditat e vendit nga kanë ardhur. Duhet theksuar fakti se, grupi turk i folklorit gjeorgjian “Inegol Kafkas Folklor” shkaktoi entuziazëm tek spektatorët në shesh për dinamikën, elasticitetit dhe ndërthurjen e koreografive. Nga Maqedonia kishte ardhur në Aulona Interfolk Festival ansambli “Ilirida” i Shkupit, çka ndezi skenën me ritmin, talentin dhe ngjyrat e kostumeve kombëtare shqiptare. Ky grup u duartrokit shumë nga spektatorët. Eleganca e vajzave dhe djemve të këtij grupi, burrëria e valleve dhe harmonia e traditave, u përcollën bukur përmes një tabloje koreografike të arrirë, ku u ndërthurën këndshëm vallet me motive kosovare, Rrugova, Çamëria, Gjakova, Prizreni. Mbresa të mëdha la tek spektatorët vlonjate ansambli “Bajram Curi” i Prishtinës Kosovë. Larmia e kostumeve, energjia e kërcimtarëve të këtij grupi ishte i mbështetur në traditën folklorike shqiptare, çka u demonstrua me mjeshtëri nga valltarët. Në këtë festival ishte i pranishëm edhe grupi i shoqërisë “Dance Plus” nga qyteti i Elbasanit ku drejtuesi i tij Krenar Korça u tregua mjaftë entuziast për praninë e këtij grupi në këtë festival. Valltarët e këtij grupi treguan seriozitet dhe përgatitje profesionale, çka e përcollën në skenë duke korrur duartrokitje. Në skenën e Aulona interfolk Festival u ngjit edhe mjeshtri i madh i koreografisë tropojane dhe mbarë shqiptare Deli Metaliaj, çka i bërë nder skenës së festivalit dhe organizatorëve të tij. Sot ai është koreograf i Ansamblit “Dardania”, njëkohësisht edhe koreograf i Unionit Artistik të Popullit Shqiptar, por po aq është edhe bashkëpunëtor i organizimeve të tilla, si Shoqëria Kulturore “Maja e Karafilit”, Plavë e Guci, është këshillues e bashkëpunëtor në këtë fushë për shqiptarët që jetojnë në Teksas, Miçigan etj. Aulona Interfolk Festival uli siparin e tij, duke na dëshmuar edhe një herë vlerat e papërsëritshme të folklorit të popujve, vlera që duhen trashëguar si deri tani nga brezat, nga shpirtrat organizator që nuk ndahet dot nga traditat, nga zakonet më të mira të popujve. Aulona Interfolk Festival u mbështet nga Bashkia e Vlorës, AGROBUTRINTI, Birra Bavaria, Dhoma e tregëtisë, si dhe nga disa hotele të qytetit, të cilat krijuan kushte të favorshme për akomodimin e festivalistëve. Pjesëmarrësit shijuan bukuritë e Vlorës dhe plazhet e saj dhe fiksuan në aparatet e tyre celulat imazhet e këtij qyteti. Në përfundim të natës së tretë nënkryetari i Bashkisë Vlorë zoti Arben Beqiraj, në emër të komisionit organizator ka shpallur si fitues të edicionit të 7-të të Aulona Interfolk Festival grupin “Inegol Kafkas Folklor” nga Turqia duke i dorëzuar atij kupën e festivalit. Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Aulona interfolk Festival zoti Sejmen Gjokoli deklaroi publikisht se ky festival do të vazhdoi edhe në edicionet e tjera.
Sigal