Çfarë simbolizojnë veroret në “Ditën e Verës”?

641
Një simbol i thjeshtë, por kaq i bukur.
Që në lashtësi, Dita e Verës shoqërohej me zjarre (zakonisht dëllinjash) mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit. Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një lloj byzylyku i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë). Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve të nderura. Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat. Kjo është bërë, deri vonë, edhe në Tiranë. Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare. Megjithatë, kremtimet kanë pasur nuanca të ndryshme për krahina të ndryshme. Etnologu i mirënjohur Bernardin Palaj, njohës i thellë i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së Veriut, ka shkruar që në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës. Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore. Si festë pagane, ajo është kremtuar që në lashtësi.
Sigal