Sigal

Enver Caka

Është një fshat që flet me të gjithë botën. Në të gjithë botën vajti edhe Riza Cerova. Ishte ai që e futi këtë fshat në lidhje të tillë. Cerova e Rizait apo Rizai i Cerovës? Të dy i dhanë emër njëri-tjetrit. Po çfarë na thotë Cerova? Është pak e vështirë ta kuptojnë të gjithë thirrjen e saj, se “Cerova na dërgon fjalë

 Rizanë e kemi të gjallë.”

Nuk është vetëm Rizai gjallë. Atje është ende Myrto Cerova, që ishte tok me të, por humbi jetën në mënyrë misterioze, Shuaip Cerova, që u plagos kur u vra Rizai, Hydai Cerova e Tomorr Cerova, që nuk luajtën nga rruga e tij, Ruze Cerova, e shoqja, që luftoi si burrat e jetoi një shekull. Përse kanë mbetur atje? Se këta i dhanë emër atij fshati të vogël me emrin, Cerovë. Rizai nuk pati kohë të qëndronte në Cerovën e tij. Çfarë të bënte atje, kur Shqipëria merrte frymë me gojën e pushtuesve. Por edhe regjimi i Zogut nuk i pëlqente, se nuk ishte për fukarenjtë. Veprimtaria e tij ra në sy të katilëve të Zogut dhe qëndrimi në vendin e tij iu bë i pamundur. Iku nëpër botë dhe peshën e familjes ia la Ruzes. Atëherë populli i ngriti këngë:

Shëtite Evropën njëmbëdhjetë vjet,

Medet, o Riza, medet,

Malli për Atdheun ty kurrë s’të tret,

Vajte në Bukuresht, shtype një gazetë,

Ç’ia dërgove mbretit, o, drejtpërdrejt.”

Çfarë i shkroi e përse i shkroi atij katili që i kishte ndaluar ardhjen në vendin e tij? Ne po e publikojmë për herë të parë letrën që i dërgoi Zogut. Kjo letër ka mbetur e mbyllur për ndonjë keqkuptim që do të kishte në publik, por ajo është një letër që e mashtron Zogun. Gjykoni vetë:

 “Lartmadhërisë së Tij, Zog I, Mbretit të Shqiptarëve në Tiranë.

Lart Madhëri! I nënshkruari, ish-kapiten Riza Cerova, kam nderin të vinj me përulësi përpara Lart Madhërisë s’Uaj duke paraqitur lutjen si poshtë vijon:

Pas ngjarjeve të trishtueshme të vitit 1924 jam larguar nga Atdheu e fëmija dhe ndodhem në mërgim prej 10 vjetësh e ma tepër. Nuk mohonj se brenda kësaj kohe të gjatë jam marrë me disa vepra kundërshtare, jo për mënira personale, por vetëm e vetëm pse besonja se me atë mënyrë i shërbeja Atdheut t’onë të shtrenjtë. Sod jam i penduar mbi të gjitha veprimet e mia sepse u binda qi Atdheut nuk i shërbehet me kundërshtime, dhe kam kërkuar faljen t’ime si refugjat politik e riatdhesimin t’em si shqiptar. Për ketë qëllim kam bërë dëmarshet e duhura me anën e përfaqësivet t’ona, por fatkeqësisht lutjet e mia nuk u muarë para sysh. Lart Madhëri! Marr lejën e drejtohem Madhërisë s’Uaj duke kërkuar mëshirë e falje,e duke dhënë fjalën e nderit se pas sodit do të jem besnik i Lart Madhëris s’Uaj dhe do t’i bindem ligjevet të Mbretërisë s’onë. Përulem me bindje dhe i parashtroj lartë Madhëris s’uaj nderimet e mia ma të larta.

Riza Cerova.

Sofje më 19 Mars 1935.”

Se sa besnik i qëndroi Rizai mbretit i treguan ngjarjet e vitit 1935, kur ai organizoi lëvizjen e Fierit kundër tij. Ai qëndroi ca kohë në Peshkopi dhe që andej organizoi të gjithë patriotët shqiptarë për atë lëvizje, që më shumë u tradhtua se dështoi. Gazeta “Kuvendi Kombëtar”, e datës 10 maj 1935, shkruante në një shënim të redaksisë: “Kapiten R.C.10 vjet me radhë jetoi në arratinë e mërgimit si refugjat politik dhe ka qenë një nga kundërshtarët me të rreptë të regjimit. Valat e një jete të tronditur dhe të pasur me vuajtje dhe aventura e hodhën,në kohën e fundit në Rumani, ku aktivizohej për disa kohë pranë Mihal Xoxes dhe kompanisë së zezë. Ikën prej Kostance i mërzitur deri në kulm dhe i dëshpëruar deri në palcë. Marko Nikolini

Por Zogu ishte korb i zi dhe i vuri pas spiunët e tij për ta eliminuar atë trim. Atë 25 gusht të vitit 1935, kur me shtatë shokët e tij do të udhëtonte për në Maqedoni, u ndodh i rrethuar në Krosnisht. Kush e rrethoi? Fatkeqësisht atje ishin dhe shokët e tij. Hysen Resul Nako nga Qatromi i Korçës shkruante: “Po të ishte Riza Cerova nga Dibra, dibranët nuk do ta kishin bërë turpin e toskëve. Po a e dini ç’do të kishim bërë ne dibranët? Për shtatë vjet do ta kishin ruajtur nëpër sëndyqet e nuseve. Ju të Skraparit, e gjithë ju të tjerët, duhet ta dini se në Skrapar nuk gjendet më djep si ai që tundi Riza Cerovën.” Skraparasit kulluan në lot për kryetrimin e tyre, por dhe i kënduan e do t’i këndojnë sa të jenë:

“Në dushk të Marjanit tynë të rrethuan,

Ky Myrto kapteri seç të tha një fjalë:

“Aj t’u biemë,o Xake,se na erdhen pranë”.

“Nuk u bjemë, o Myrto, janë vëllezërit tanë.”

Tradhëtia ndaj Riza Cerovës u pa që në Qafën e Kulmakut, ku do të takohej me një personalitet të Skraparit, por ai nuk i doli. Dhe Rizai i dërgoi ultimatum tradhtarit: “I thoni atij, vetëm në mos u vrafsha për këtë tradhti që më bëri!” Shuaip Cerova, që u plagos tok me Rizanë ka lënë të shkruar: “Një zagar e qëlloi me këmbë. Ishte një zagar që jam betuar të mos e tregoj emrin e tij sa të jem gjallë. Nuk e them se…po ta them, do të hapen xhindavi të mëdha.” Dhe Shuaipi e mori me vete të vërtetën e vrasjes së Riza Cerovës. Prefekti i Korçës i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme mes të tjerave: “…Një lëvdatë të posaçme meritojnë z.nëntoger Gjon Destanishta, aspirant Xhemal Malindi dhe R. Backa…” Ishin këta që nuk i hapën rrugën Riza Cerovës. Po Rizai është ende në Cerovë i mbuluar, jo me dhe, po me lule dhe këngë:

O Riza,o gojëmjaltë,

Të qan Lakështa, majë e lartë.

Shkruaju shokëve një kartë.

O Riza, si të mban varri,

Skraparit i ka rënë zjarri.

Kumanik, Qafa Sofi,

Monumenti ku fle ti.

Ti mburojë e vegjëlisë,

Shkolla jonë e trimërisë.

Ishin nënë e bijë, që ecën në gjurmët e njëra-tjetrës. Kadeja e lindur në vitin 1875 në Veleshnjë, kishte lindur atë djalë, që kishte shetitur botën për të mirën e Shqipërisë. Ruzja e lindur më 17 mars 1902 në Spatharë, kishte mbajtur atë burrë me emrin Riza Cerova. Të dyja i mbajtën mbi supe vështirësitë e jetës dhe persekutimet e regjimeve të egra. Kadesë i ra barra të mbante tre fëmijë e vetme dhe të mos i thoshte një fjalë të shoqit, Musait, që dhe ai mbeti nëpër luftëra e pas tij edhe çupa, Meto Cerova. E përballoi vetë jetën. Familja e kishte një dëshmor, Ali Cerovën dhe s’mund të bënte ndryshe

Kadeja u persekutua deri në një nga regjimi i Zogut,u burgos dhe internua,por nuk luajti nga vija e kuqe, të cilës i ishte përkushtuar. Ajo mbajti kontakte të shpeshta me Ali Kelmëndin, Asim Vokshin, Mustafa Kaçaçin, Abaz Shehun, që ishin shokë të Riza Cerovës. Pas vrasjes së Rizait ajo nuk heshti, po i dërgoi këtë letër qeverisë së Zogut: “Djali im Riza Cerova ka pas marrë pjesë në të gjitha fushatat e independencës shqiptare dhe as një herë nuk ka tradhtuar Atdheun dhe popullin e tij. Është e padrejtë që autoritetet qeveritare të mbajnë armët e tija, që sipas zakonit ju takojnë fëmijëve, që t’i frymëzojnë kur të rriten për punët e Shqipërisë dhe t’i shërbejnë më mirë Atdheut.”

Në vitin 1940 ajo refuzoi ofertën e Mustafa Krujës, që në këmbim të miratimit për pushtimin e Shqipërisë të merrte një pension të madh. Ajo vazhdoi rrugën e saj dhe të djalit duke u bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe mbeti e tillë në të njëqind vitet e jetës së saj.

Edhe Ruzja,e shoqja e Rizait, s’mund të ngatërronte rrugën, kur i biri ia kishte bërë aq të drejtë. E duroi edhe internimin në qytetin e Beratit dhe Portopalermos, ku qëndroi katër muaj në shkurt të vitit 1925. Në vitin 1929, e ndihmuar nga patriotët Zylyftar Veleshnja, Xhafer Hakani, Musa Ohri dhe emigrantë ekonomikë nga Radëshi, Osoja, Nishica dhe Slatinja, mundi të sigurojë një pasaportë false me emrin Tabeko Tefik Zogasi, me pretekstin, se ka nevojë për kurime, shkoi në Greqi, ku takoi Rizanë dhe patriotë të tjerë. Kur qeveria greke, vendosi largimin e Riza Cerovës me kërkesë të qeverisë shqiptare, ajo u kthye në vendin e saj. Por me nisjen e veprimtarisë revolucionare në Korçë dhe Cerovë, internohet sërish në Berat, ku dënohet edhe me gjobë për kalim të kufirit me dokumente të rreme. Në vitin 1931 ajo u lirua dhe iku në fshatin e saj, Spatharë duke lëvizur nga fshati në fshat sa herë bëheshin kontrolle. Pas vrasjes së Riza Cerovës ajo u mor në pyetje nga xhandarmëria e rrethit për të treguar bashkëpunëtorët e Riza Cerovës, por ajo qëndroi si pus përpara tyre. Duke parë qëndrimin që mbajti Zogu ndaj familjes së saj, një grup patriotësh në emigracion i propozuan të largohej në Turqi familjarisht, por ajo nuk pranoi të ikte nga ai vend për të cilin djali i saj dha jetën. Ajo u shkroi atyre, se nuk largohej nga vendi pa sjellë eshtrat e Rizait në Skrapar dhe daljen e shokëve të tij nga burgu. Pas vrasjes së Rizait ajo kaloi një periudhë të vështirë ekonomike, por të burgosurit politikë të Durrësit dhe Riza Kuçi, Asllan Osoja, Neshat Hysi e patriotë të tjerë i ofruan ndihmat e nevojshme. Për meritat e saj presidiumi i Kuvendit Popullor i asaj kohe e vlerësoi atë me Urdhrin e Lirisë, Medaljen e Kujtimit, Medaljen e trimërisë dhe Medaljen e Çlirimit.

Si kujtim të atyre viteve ajo mbajti letrën e fundit që i dërgoi familjes Riza Cerova: “E dashur grua, nënë dhe fëmijë! Më falni që u lashë rrugëve, për mua keq mos u vijë dhe mos rrini kokëvarur e të turpëruar, se unë për Shqipërinë luftova, për popullin fukara. Do të vijë një kohë që Shqipëria do të bëhet e lirë dhe populli nuk do të vuajë më, po do të bëhet pa bejlerë, pa agallarë ashtu siç është bërë në Unionin Sovjetik.” Plus saj ajo mbajti dhe këtë letër, ku tregohet se ai e donte shumë nënën e tij: “I dashur Myrto! Letrën që më dërgove e mora. Me shëndet jam mirë. Po të kini mundësi më dërgoni këtu vetëm nënën. Po të dërgoj dhjetë copë gazeta çpërndaji në shokët. Njërën gazetë, që shkruan mbi famën e Guvernës së Unionit Sovjetik përpiquni me ndonjë shkronjtore, Shqipëria ka nevojë për një Guvernë të tillë ku në kabinet të mos ketë bejlerë e agallarë, se ashtu shikohen më mirë hallet e vegjëlisë. Letra mos më dërgo më me postë dhe në adresën e parë, por në emër të Xhevdet Greshicës për Musanë. R. Fizes shumë të fala. Shokëve qafime .Durim! Juaji Riza Cerova.”

Dhe kjo grua, që i përveshi mëngët si burrë, luftoi përkrah të shoqit me të gjitha mënyrat që mundi .Prandaj skraparasit i ngritën këngë:

Ruzja gërshetat s’i preu,

Rrobat me frashër s’i ngjeu,

Edhe pse grua pa burrë,

Nuk e uli kokën kurrë.

Porosinë që la i shoqi,

Nga mendja kurrë s’e hoqi.

Kur ëndërronte në gjumë,

I shfaqej Rizai si burrë.

Sikur kthehej nga Marjani,

Djegur e pjekur nga malli.

Ruze, kur të erdha pranë,

M’u duk se poqa Rizanë,

Trim Cerove, fis me luanë,

Shekujve jeton i gjallë.

Shuaip Cerova,që është lënë pak në hije, nuk i është ndarë Rizait derisa u vra e u plagos vetë. Megjithatë ai mbeti burri më i nderuar i Cerovës. Shumë vonë u kujtuan që ta bënin Qytetar Nderi të Çorovodës. Ai ka lënë kujtimet e veta të shkruara me gjuhën e një shkrimtari. As teprime, as mangësi. Po japim ndonjë fragment nga ato kujtime:

“Me shpresën se do të gjenim ndonjë shteg për të çarë rrethimin, dërguam Arshinin për të kontrolluar vendin. Po kur pamë se qe e kotë, hodhëm një gur që të kthehej. Mirëpo Arshini që s’para dëgjonte mirë, nuk mori vesh gjë. Kështu që u izolua nga shokët. Në këto rrethana të rënda Rizai shpresonte se do të dilnim përsëri të fituar. Na ndau nëpër pozicione. Ne ishim në një vend të keq, kurse ata lëviznin e na kërkonin në çdo anë. Kur vuri Myrtoja dylbitë, njohu Xhemal Malindin dhe R.K. Xhemali nisi një kapter drejt nesh. Edhe një farë bekçiu i Marjanit deshi të tregohej trim. Ne u bëmë gati t’u binim, po Rizai na tha, se Xhemali me shokë do të na i hapin rrugën. Po kur kapteri po ecte me armën gati drejt Myrtos, dhe xhandarët po qëllonin kuturu, Rizai u thirri të mos na qëllonin ne po Zogun. Pastaj qëlluam dhe ne, po mua m’u bllokua keq dyfeku. Dhashë e mora, po shuli nuk hapej. ”Lere dhe merr mauzerrin tim”, tha Rizai dhe u ngrit nga pozicioni dhe qëlloi dëndur. Myrtoja i bëri shenjë të ulej, se plumbat po kositnin dushkun pa pushim. Atëherë ai hapi çantën e shkroi letrën për Kadenë. Po e merrte ferra uratën. Aty nga mesi i natës,kur u ndez pushka prapë. Riza Cerova u qëllua dy herë. Atëherë thirri ngadalë: “Myrto, u godita. Ikni, më lini këtu. Ikni ju”… Ne i ramë përsipër duke qarë. Dha shpirt e mbylli sytë pa gdhirë data 25 gusht 1935. Fjalët e fundit të tij ishin: “Amanet fëmijët dhe Kadenë.” E kthyem së mbari. E ujdisëm. Koburen nuk ia morëm. Unë desha po s’më la Myrtua. Duke ikur nga të mundnim edhe mua më zuri një plumb i qelbanikëve. O vëlla, o Myrto,- i thashë, mos më lër të bie i gjallë në duart e këtyre. Po Myrtua me halle nuk më vrau dot. Më hoqi zvarrë dhe më paskësh lënë në një dëllinjë të dendur. Më mbetën në mend fjalët e tij: “Baba Xhafer, baba Xhafer.” Vonë dëgjova një sëpatë dhe thirra. Vjen një fshatar me të birin dhe gomarin. Ishte i trembur. Nxora gjysmë napoloni nga xhepi e ia dhashë. Ai më hipi në gomar e më shpuri në fshatin e tij. Më dha vetëm qumësht, bukë, jo. Kishte hall se më zinte buka. Atje gjeta Riza Valën e Tahir Hasanin. Kur më shpunë në spitalin e Korçës, mjeku më tha: “Nga plaga nuk ke gjë, po nga qeveria, nuk e di, ore djalë.” Qëndrova në spitalin e Tiranës sa u shërova. Pastaj gjyqi më dënoi me njëqind e një. U lirova nga që më përkrahu populli.

Zona ku banonte Hydai Hoxha nga Cerova ishte e gjitha patriote dhe qendër luftimesh. Nuk besoj të ketë mbetur pa ndihmuar ndonjë plak apo fëmijë për Luftën në Tendën e Qypit, ku u luftua pesë ditë pa pushim. Ato kodra nga Nishica deri në Cerovë, po t’i gërmosh, edhe sot burojnë gjak. Hudaiu sa ishte regjistruar në grupin e tretë të Skraparit. I qëlloi atij grupi të përballonte një forcë gjermane të madhe sa të vinin forcat e Brigadës së Parë nga Përmeti. Grupi i vazhdoi luftimet në Qafën e Kiçokut, ku u ndeshën me 70 makina të mbushura me ushtarë italianë, që donin të kalonin në Përmet. Në ato luftime u plagos rëndë Musa Hysi e u vranë katër skraparas, po Neshat Hysi e ngarkoi Hydainë me detyrë, që ta shpinte Musanë me ndonjë banesë, ku mund të mjekohej. Dhe Hydaiu e shpuri në shtëpinë e Shuaip Cerovës, ku u mjekua dhe u shërua. Hydaiu iku partizan, po shtëpinë e la hapur. Ai luftonte andej, nënë Xhemilja luftonte këndej. Në shtëpinë e saj vajti një partizan nga Matrallozi i Tepelenës i bërë telef nga lufta, të ftohtit e rruga. Nënë Xhemilja i bëri zjarrin dhe i dha për të ngrënë tërhananë që i ndodhej dhe pak pekmes. I dha një palë pantallona të Hydaiut e ia thau të tijat pas zjarrit. Kur doli nga shtëpia ai e shpërbleu nënën me një sapun që i ndodhej në çantë.

Cerovallinjtë nuk iu ndanë as Rizait, as Zylyftar Veleshnjes gjatë Luftës. U torturuan e u burgosën, por nuk hoqën dorë nga idealet. Pas Hydait edhe Faik Hoxha u radhit me djemtë e Luftës. Pas çlirimit të vendit, Zylyftari nuk iu nda kurrë Skraparit edhe pse banonte në Berat. Dera e shtëpisë tij mbeti hapur. Bulja, e shoqja e tij i priste e përcillte të gjithë miqtë me ëmbëlsi. Por kur iu rëndua shëndeti Zylyftarit, po e ndjente me shume mungesën e miqve e shokëve, me të cilët bëri Luftën. Një ditë ai mori lapsin dhe shkroi këtë letër:

I dashur Hydai!

Po bën një kohë e gjatë që nuk jemi parë dhe as kemi këmbyer letra me shoqi shoqin. Unë kurrë nuk kam harruar dhe as nuk do të harroj shokët e Luftës dhe të vuajtjeve të përbashkëta sa të jem gjallë. Nuk ua kam ditur adresën ,po këtë, tash vonë, ia mora Faikut. Kështu besoj se dhe juve nuk e keni harruar ,se s’ka si të harrohen shokët e vjetër. Por mua më del një pyetje. Pse ky largim kaq i madh dhe një ftohje? Të them të drejtën mendoj nga ndonjëherë, mos vallë ndonjë këshillë si shoku shokut, është marrë për ters, apo ndonjë njeri që s’na do shëndetin të ketë bërë ndonjë të pabërë? Deri me sot nuk e kam zgjidhur këtë enigmë, që përveç se kur kini shkuar s’ini kthyer, por asnjë letër s’na keni dërguar. Nëse do të mendoni se kjo është reciproke, ju e dini se unë për disa vjet me radhë vuaj në shtrat të lëngimit dhe vetëm beharit çoku lëviz nga pak. Kurse ti je akoma i shëndoshë dhe mund të bëje një ndalesë këndej nga buka e vjetër e të shiheshim se na merr malli. Hasani më përpara sa herë shkonte këtej nuk rrinte pa u kthyer tek unë dhe më gëzonte shumë. Por edhe ai, tash disa vite,nuk jami parë me të. Adresën s’ia di.

I dashur Hyda! Neve gëzojmë që të jeni mirë nga çdo pikëpamje, pa kjo pak rëndësi ka. Nëse s’jemi parë do të shihemi së shpejti. Sot kur mora penën të shkruaj m’u kujtua Fetiu i vogël, që do të vriste botin që do të blinte atë dhinë. Fetiu me pushkë do të mbronte dhinë e ti, që i jepte një filxhan qumësht, po ai Feti, tash mbron aty në kufi, jo më dhinë e tij të vetme, por gjithë popullin dhe pasurinë e tij. Dhe ne na bëhet zemra mal kur na thonë, se Fetiu është bërë kufitar i mirë sy shqiponjë. Na vjen mirë se fëmijët e fëmijëve tanë nuk do të luftojnë për të mbrojtur atë pronën e vogël meskine, por do të luftojnë dhe mbrojnë deri me gjak pronën e përbashkët, kufijtë e Atdheu, popullin, që të mos përsëritet më një 7-prill. Neve tash me gjithë vuajtjet nga sëmundjet dhe pleqëria, kur shikojmë se ëndrrat tona, jo vetëm u realizuan, po dhe u tejkaluan, ku Shqipëria po bëhet një kopsht me lule dhe brezat e ardhshëm do rrojnë të lumtur. Neve përtërihemi, na shtohen forcat, prandaj nga thellësia e zemrës del urimi: Të na rrojë sa malet Partia dhe udhëheqësi!

I dashur Hyda! Kur vjet u bëre operacion, u merakosëm shumë, po kur na thanë se u shërove, u gëzuam pa masë. Dëshirojmë gjithmonë të keni shëndet. Xhemiles i bëj shumë të fala dhe i thuaj të mos na mallkojë më. Fetiut të fala bashkë me shokët e tij. Ju përqafoj vëllazërisht. I juaji përjetë. Zylyftar Veleshnja. Berat, më 3 maj 1970.