Ceremonia e prezantimit të projektit të “Muzeut Françeskan në Shkodër”

691
Sigal

Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” e Shqipërisë dhe e Malit të Zi, së bashku me shoqatën kulturore “Art Union Albania”, organizuan mbasditen e djeshme në mjediset e Provincës Franceskane, në Shkodër ceremoninë e “Prezantimit të projektit të Muzeut të Kulturës Françeskane Shkodër” si dhe të themelimit të  “Muzeut Lin Delija” përmes dhurimit te mbi 100 punëve të piktorit nga ana e Shoqatës Art Union Albania.

Ceremonia, e drejtuar nga Provinçiali i Urdhërit Françeskan At Aurel Gjerkaj, u përshëndet nga Nunci Apostoli në Tiranë,imzot Charles John Brown dhe Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti në prani të të ftuarve të shumtë nga të gjitha përfaqësitë fetare në vend, trupi diplomatik, akademikë e studiues, artistë e qytetarë të Shkodrës.

Në fjalën e tij të hapjes Provinçiali At Aurel Gjerkaj vlerësoi përpjekjet e përbashkëta që çuan në këtë moment të rëndësishëm themelimi, duke theksuar vetëdijen e përhershme të françeskanëve shqiptarë se historia e urdhrit të tyre ka qenë e mbetet e pandarë nga historia e Shqipërisë.

Në përshëndetjen e saj, Ministrja Margariti vlerësoi iniciativën dhe premtoi një mbështetje reale dhe institucionale për zhvillimin e mëtejshëm të këtij projekti me vlerë e rëndësi jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë kombin.

Ceremonia vijoi me kumtesat e studiuesve, At. Flavio Cavallini, i cili prezantoi “Etapat historike të pranisë françeskane në Shqipëri”, Prof. Dr. Persida Asllani që paraqiti konceptin mbi “Rrëfim muzeor të kontributit kulturor të françeskanëve shqiptarë” si dhe nga Prof. Dr. Ardian Ndreca, i cili trajtoi në kumtesën e tij modalitetet “E rikrijimit të botës në art piktori Lin Delija”.

Ndërsa Arkitekt Gjon Radovani, projektuesi i Muzeut të Kulturës Françeskane prezantoi konceptin arkitekturor jo vetëm të këtij Muzeu, por edhe të rehabilitimit të tërësisë së hapësirës së Kunvendit Françeskan në Gjuhadol, në fuksion të kujtesës kombëtare por edhe të turizmit kulturor në qytetin e Shkodrës.

Gjatë ceremonisë, të pranishmit shijuan koralet e Korit “At Martin Gjoka” të Kishë ssë Shën Françeskut – Gjuhadol, nën drejtimin e mjeshtrit  Zef Çoba, shoqëruar nga kuinteti për harqeve i Universitetit të Arteve.