Çelet Panairi i 15-të i Librit në Ulqin, pjesëmarrës edhe botues shqiptar

537
Instituti i Librit dhe i Promocionit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizojnë në qytetin e Ulqinit, Mali i Zi , Panairin e 15-të të Librit “Ulqini 2015”, nga 26 korriku-4 gusht 2015. Ky aktivitet zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka, panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit që e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.
Botuesit pjesëmarrës do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e Rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ‘90. Gati 40 botues do të jenë prezent gjatë ditëve të Panairit ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Në Panairin e librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 3500 tituj librash. 
Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu në vitet e mëparshme shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq, Aleksandër Stipçeviq, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dy vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Ndërsa në 5-vjetorin e këtij Panairi, prenë shiritin e tij presidentët e dy vendeve, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviq i Malit të Zi.
Sigal