Celestin Ivani: Tarabuku është instrumenti më magjik, sepse është i rrallë

286

INTERVISTA/ Flet muzikanti i përdorimit të Tarabukut, Celestin Ivani. Femrën e zemrës e dua vetëm shqiptare

Ka shumë vjet, mbi 10 vjet që përdor Tarabakun.  Pra që në moshën e vegjëlisë e tërhiqte kjo vegël muzikore e veçantë që jep një tingull po kaq të veçantë. Ai e ka shumë qejf muzikën, pasi familja e tij është një familje që brez pas brezi e ka dash muzikën, ndaj gjithmonë në shumë aktivitete ndalej gjatë tek instrumentistët dhe shikoja me radhë instrumentet. Të gjithë i dukeshin të bukur, por kur shikonte Tarabukun, sytë i mbeteshin më gjatë aty. I dukej i bukur, me pamje të veçantë, i zotërueshëm, plot tinguj të fuqishëm. Pra ra në dashuri me të. Gjithmonë kur shikonte orkestër dhe dikush kishte instrument të tillë, i afrohej dhe i merrte leje ta prekte. Ata shpeshherë ia jepnin dhe në dorë dhe ai e rrotullonte, e përkëdhelte, i binte. Kur ai lëshonte atë tingullin magjik që ai e do aq shumë trupi i rrëqethej.

 Kur ke bërë pronën tënde një Tarabuk?

Kur isha 14 vjeç. Ju luta babait të ma blinte një të tillë, pasi unë do ta justifikoj,- i thosha,- blerjen e tij. Duke parë sytë që më lëshonin shkëndija dashurie për atë vegël muzikore, babai ma bleu një. O zot, si kam qenë atë ditë. Ka qenë dita më e bukur e jetës sime. Atë natë thuajse nuk kam fjetur fare. Në krah të jastëkut mbajta dhe Tarabukun. Madje, kjo vazhdoi javë të tëra derisa nëna më tha, mos se do ta prishësh. Me të punoja 16 orë në ditë. Nuk e ndaja nga dora. Sa herë zhvilloheshin aktivitete muzikore në zonën time, kërkoja të ngjitesha në skenë. U thoja instrumentistëve që përdornin Tarabuk, që më mësoni diçka të veçantë. Disa më mësonin disa thartonin buzët, por unë s’e jepja veten.

 Kur more emër në përdorimin e Tarabukut?

Në moshën 19 vjeç, falë emisionit televiziv “Talent shou” në tv-Musicstar të vitit 2009. Unë deri atë vit kisha shkuar në shumë aktivitete, por evente të tilla të nxjerrin më në pah, aftësitë dhe të gjitha vlerat e tua artistike. Në këto emisione, pashë se kjo vegël muzikore ishte shumë e rrallë dhe thuajse nuk njihej në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut. E njihnin vetëm specialistët e veçantë të artit. Ndaj unë tërhoqa vëmendjen e publikut. Sigurisht që, rashë në sy dhe më pas ofertat ishin të shumta.

 Më pas në çfarë aktivitetesh keni marrë pjesë?

Eh, televizioni të jep shumë akses. Të bën më të njohur, të bën më prezent. Fill pas paraqitjes në këto televizione disa orkestra më ofruan bashkëpunim. Flas për orkestra në Malësinë e Madhe, por edhe në Shkodër. Disa prej orkestrave s’e kishin fare këtë instrument. Vetë ata e panë që ishte i domosdoshëm pasi gjithë treva jonë, e kishte shumë të përdorshme. Mora pjesë në shumë dasma, festa lokale, aktivitete kulturore-artistike, festivale lokale, por dhe në mbrëmje të ndryshme. Pra pas asaj dite thuajse nuk kam ndenjur asnjë ditë pa punë. Orkestrat që kam marrë pjesë janë lokale, edhe mbi bazë fshatrash, dhe unë me ftesa të ndryshme kam shkuar aty ku kam menduar që ka qenë më me interes. Por kam qenë dhe me Ansamblin “Dardania” , apo me orkestrën “Lahuta”.

 Në gjithë këto aktivitete a respektoheshe si person me një vegël me rëndësi jo shumë të madhe?

Jo. Jam ndjerë i barabartë. Të gjithë orkestrave që më kanë ftuar u kam thënë që nuk dua nënvleftësim, dua korrektesë dhe respekt. Unë futem në një orkestër si i barabartë, i jap rëndësinë e duhur veglës time muzikore. Me punën time, me seriozitetin tim, me disiplinën time, me ritmin profesional të veglës që përdoroj, jam vlerësuar si i barabartë. Këtë nuk e them as për mburrje, as për të thënë që bëj çudira. E them thjeshtë sepse duke e dashuruar veglën që punoj dua të jap maksimumin, t’i jap vlerat e vërteta vetes dhe instrumentit.

 Aktualisht të gjitha orkestrat në Malësi të Madhe kanë Tarabuk?

Jo. Është një vegël e rrallë, ndaj dhe unë jam disi më i preferuar. Kjo më jep një rëndësi të dorës së parë në fshatra të veçanta ku e duan këtë vegël. Di të them që unë jam gjithmonë i zënë, s’kam fare kohë të lirë.

 Nuk ke menduar që ta ndërroni në perspektivë këtë vegël me një vegël tjetër muzikore që mund të të japë më shumë të ardhura financiare?

Aspak. Jam lidhur pazgjidhshmërisht me të. Pastaj n.q.s di dhe jep shumë, me çdo vegël muzikore mund të fitosh po aq sa mund të fitohet me veglat muzikore më të përdorshme. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një vegël muzikore që është si ato speciet e rralla, që janë në zhdukje.

 Cila është ëndrra juaj?

Të shkoj në Amerikë dhe të luaj aty me orkestrat shqiptare që punojnë në këtë vend magjik, tempull i demokracisë. Sa herë mendoj për këtë vend, parafytyrimi merr përmasa të përbotshme, se i tillë është ky vend gjigand që e ka të zhvilluar shumë muzikën dhe respekton dhe ka interes për veglat muzikore të veçanta.

Jeni i dashuruar?

Hëm…Mund të them se po. Po provoj se ç’do të thotë dashuri.

Keni menduar për martesë?

Tani për tani jo. Kam plane të tjera, kam ide të tjera. Profesioni im nuk më lë të jem gati. Ky profesion të do në lëvizje, të do larg familjes. Pra janë disa kushte që tani nuk ma lejojnë këtë luks.

 E keni menduar veten të martoheni me një të huaj?

Dashuria ka bërë çudira, por me thënë të drejtën, dua të jem i sinqertë, do martohem vetëm me femër shqiptare. Traditat, zakonet tona janë të veçanta dhe nuk mund të përputhen me ato të huaja.

 Cilat femra të pëlqejnë, biondet apo brunet?

Nuk kam preferencë në ngjyrën e flokëve, por në sjelljen dhe karakterin e femrës. Bukuria nuk është gjithçka.

 Ku i bëtë pushimet verore?

Pushime thuajse s’kam bërë fare pasi kam qenë shumë i angazhuar me shumë aktivitete. Ishte një verë e mbarë, ku thuajse kam qenë i ngarkuar tërë javën.

 Do të merrje për grua një femër më të madhe se veten?

Asnjëherë. Tradita për mua është e shenjtë, as për arsyen më të fortë nuk do ta merrja.