Ç’domethënë “Skrapari në gotë?”

1249
Sigal

Enver CAKAJ

Një gotë, apo një shishe? Kurrsesi. Kur shtrohen skraparasit në muhabete, rakia rrjedh si ujë i burimeve. Rakia e Skraparit është e vjetër sa skraparasit. Ajo ishte e vetmja pije, që i mblidhte të gjithë, por, ndonjëherë, kur e tepronin edhe i ndante. Rakia e Skraparit ka fituar qytetarinë, po dhe i ka vënë emër Skraparit. Po ke thënë Skrapar, ke thënë raki prej vërteti. Nëse vete e troket nëpër dyert e skraparasve, ata të thonë: ”Urdhëroni pini një kafe.” Po brenda emrit të kafes fshihen shumë të tjera. Kërcet rakia dhe mishi, sa harron, përse ke trokitur në atë derë .Po e ilustrojmë me një shembull. Në fshatin Polenë të Skraparit vajtën ca miq nga Përmeti. Si bënë adetet iu lutën të zotit të shtëpisë, që të mos i vononte, se do të ktheheshin brenda ditës. I zoti i shtëpisë i respektoi miqtë dhe bëri një dolli me pesë shëndete, që miku të bënte shtatë, sepse në dollinë skraparase ka ca rregulla strikte: Dollinë do ta bësh me numër tek, ndryshe të tallin. Mirëpo këndej nga Skrapari qarkullon një thënie e bukur: “Po pive një gotë raki e ke veten në dorë, po bëre dy të ka në dorë rakia.” Mikut i pëlqeu rakia dhe, i kaloi 15-shëndete dhe po vazhdonte. I zoti i shtëpisë u ofendua, po nuk kishte të drejtë të bënte më dolli, i thotë nipit. Sa e la miku, e mori gotën nipi dhe pasi bëri dolli për të gjithë, siç ishte zakoni atëherë, bëri dhe një dolli për plepin e Polenës. Për të mos i ofenduar miqtë, ua shpjegoi, se e ngriti dollinë për plepin, se është i vetmi që është rritur pa ujë. Miqtë, le që nuk ikën dot brenda ditës se i zuri rakia, po nuk arritën të hanin as bukë. Skraparasve u mjaftonin një çikë gjizë e një kokërr qepë dhe kërciste dollia në të katra anët. Të varfër në ekonomi,po dyerhapur e zemërhapur kanë qenë e janë ende. Me një gotë raki të bëjnë mik, se ata e mbajnë gjithmonë një faqore në xhep. Provoni të hipni në autobusët e linjës Skrapar-Tiranë. Nuk ka nevojë të pyesësh, se cilit rreth i përkasin se të ngre era e rakisë sa hyn brenda.

Zakonet në muhabete me raki kanë qenë të rënda. Po të mos dehej ndonjë, muhabeti nuk mbaronte kurrë. Dollitë e atëhershme zgjateshin shumë, sepse dollibashi do të gjente një nga pjesëtarët e muhabetit dhe do t’i pinë shëndetet të dy. Të tjerët do të rrinin në heshtje. Pastaj ai do të gjente një tjetër dhe kjo vazhdonte dyshe derisa të përfundonin të gjithë. Ai që priste dollinë do t’i përsëriste të gjithë emrat e atyre që u kushtohej shëndeti, ndryshe, po të harronte një, ndëshkohej me një gotë raki plot. Gotat e ngritura do të piheshin si të urdhëronte dollibashi, plot ose sipas dëshirës. Po të jepej urdhri plot, fillonin marifetet,e derdhnin rakinë në peshqir ose mbanin një pagur me ujë dhe pinin ujë. Po kur diktoheshin, kishte raste që prishej dhe muhabeti. Histori rakie ka me qindra në Skrapar, por skraparasit mburren me rakinë, se ua mburrin dhe të tjerët. Skraparasit kanë ikur e s’kanë ikur. Edhe kur janë larguar nga halli, rakia i ka sjellë sërish në Skrapar. Tani dollitë në Skrapar ngrihen e pihen sipas rëndësisë së mikut, por jo me detyrim .I pari që e bëri dollinë më të moderuar ishte fshati Zabërzan. Dhe kur mblidhen skraparasit nëpër sebepe, e thonë që në fillim, do të bëjmë dolli zabërzançe. Dhe që rakia skraparase të zyrtarizohej si më e mira, Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia e Skraparit, vendosën, që çdo vit të bëhet festa e rakisë me emërtimin “Skrapari në gotë” Si vend u zgjodh pika turistike, Bogovë, e cila është pjesëtare e listës së Njëqind fshatrave turistike. Rakia i mblodhi, të kuq e blu. Ajo solli aty të gjithë skraparasit e larguar. Mes tyre e nderonte atë festë edhe kryetari i bashkisë së Langarisë së Italisë, Antonio Komilo. Rakia i zbuti edhe deputetët Fidel Ylli, Spartak Braho dhe Nasip Naço, që bëjnë sikur grinden në Kuvend. Aty përqafoheshin e përpiqnin gotat, sikur s’kishte ndodhur asgjë mes tyre. Pozitive ishte fakti se aty nuk bënë politikë, po u angazhuan që të gjithë bashkë të kërkonin, që Skraparit t’i jepeshin fonde për disa investime të rëndësishme. Në qeveri janë dërguar projekte të rëndësishme, mes të cilave; ndërtimi i disa hidrocentraleve zinxhir në të gjithë rrjedhën e Osumit, pa cenuar bukuritë natyrore të kanioneve. Mos kujtoni se rakinë e pinë vetëm burrat. Në Skrapar ka pasur e ka gra, që ua kalojnë dhe burrave në muhabete me raki. Në këtë festë të re e të bukur shikojmë dhe një vajzë të vogël, që kërcen e këndon për festën e rakisë. Kush tha, që nesër ajo, Kejzi Harizaj, nuk do të bëhet dollibashe e muhabeteve? Festa e rakisë do të përsëritet çdo vit në këtë stinë, kur banorët fillojnë nxjerrjen e rakisë. Ne po ua shtojmë festat brezave, po ata a do të mundin t’i shtojnë e të na përfaqësojnë?

Bogova kishte vite që po fliste heshturazi për t’u kthyer në fshat turistik. Nga të gjitha rrethet, sidomos nxënësit e shkollave e vizitonin gjithmonë. Në atë festë u dha një shifër se vetëm këtë vit, turistët e huaj dhe të vendit e kanë vizituar Bogovën 50-mijë veta, kurse kanionet e Osumit rreth 200-mijë veta. Skrapari ka dhe një veçori tjetër,  që me siguri do të kthehet në festë. Në malet e Skraparit rritet çaji në mënyrë natyrale dhe ka një shije e vlerë tepër të veçantë nga çajet e tjerë. Në disa fshatra ka nisur kultivimi nëpër ara dhe prej tij kanë marrë të ardhura të mira. Është një bimë mjekësore që mund të ruhet ai i maleve dhe të shtrihet në të gjithë rrethin. Kur, vallë do ta kemi festën e çajit?!