Çamët në Greqi, si hebrenjtë pas rënies së nazizmit, meritojnë njohje e dëmshpërblim

561
Sigal

Shfaqet në New York “Ëndrra e Çamërisë” në anglisht

 BEQIR SINA, New York City

 Me nismën e aktivistit Sali Bollati dhe bashkëpunëtorëve të tij, shfaqet në New York, me përkthim në gjuhën angleze, filmi “Ëndrra e Çamërisë”

 BRONX NEW YORK : Filmi dokumentar kushtuar Çamërisë, me regji të Kujtim Gjonajt, “Ëndrra e Çamërisë” u shfaq ditën e enjte më 11 korrik, në Bibliotekën Popullore Belmont – Qendrën kulturore Enrico Fermi në Bronx – New York. Ky film-dokumentar, u shfaq në kuadrin e aktiviteteve në përkujtim të Çamërisë dhe gjenocidit grek ndaj shqiptarëve nën kujdesin e Organizatës Shqiptaro Amerikane “Çamëria”, dhe sekretarit të saj inxh. Sali Bollati, dhe veprimtarëve të tjerë të komunitetit. Shfaqja e premierës së filmit-dokumentar në Bibliotekën Popullore Belmont – Qendrën kulturore Enrico Fermi në Bronx – New York, sipas organizatorit të kësaj veprimtarie, u bë nëpërmjet veprimtarit Esad Rizai dhe disa miqve amerikanë si profesori i historisë Paolo Palombo, “Ai bashkë me Rizain bënë të mundur që të priteshim me kënaqësi nga drejtuesit e Bibliotekës, dhe pa asnjë shpenzim,” tha zoti Bollati. Premiera  e filmit dokumentar të regjisorit z. Kujtim Gjonaj “Ëndrra e Çamërisë”, mbas shfaqjeve të suksesshme në Shqipëri dhe vende të tjera, u paraqit për herë të parë me tirtart të përkthyer në gjuhën anglisht, në Bronx New York.  Zoti Bollati, i cili së bashku me komunitetin çamë në SHBA, ka marrë përsipër lobimin e Çështjes Çame këtu në Amerikë, i tha gazetës sonë se: “I telefonova regjisorit Gjonaj në Tiranë, duke i kërkuar leje, gjë, që ai me kënaqësi të madhe e priti shumë mirë, duke më dhënë “viston” lejen, për ta përkthyer në titrat anglisht dhe shfaqur ne Amerikë.”  Bollati, sqaroi se meqenëse nuk e dispononim skenarin, unë bashkë me djalin e Cenko Brahimit, të riun atdhetar çam Skerdilajd Brahimaj, nëpërmjet internetit, duke parë origjinalin shqip në kompjuter shkruajtëm skenarin që na mungonte. Këtë skenar pastaj, Skerdi e përktheu në gjuhën angleze. Mbasi u përkthye, tha Bollati, u interesova nëpërmjet të njohurve si t’i montonim fjalët në anglisht në film. Këtë e mori përsipër z.Endri Merxhushi (kryetari i Organizatës Shqiptaro- Amerikane Çamëria ) dhe me përpjekje ja arritëm qëllimit, tha Bollati.  Shfaqjen e premierës së filmit dokumentar  “Ëndrra e Çamërisë” e hapi profesori i historisë Paulo Palombo, ndërkohë që, më pas folën zoti Sali Bollati, avokati Stiv Kaufman, asambleisiti Mark Gjonaj, zoti Nivado Lopez nga zyra e Kryetarit të Bashkisë së New York-ut, Michael Bloomberg, si dhe veprimtari i komunitetit Rexh Xhakllli. Avokati i njohur amerikan, Stiv Kaufman, i cili e njeh mirë historinë e Ballkanit, e paralelizoi në disa raste atë çka ka bërë pas LDB gjenerali famëkeq Zerva, ndaj popullsisë çame, në Greqi, me krimet e nazismit, ndaj Jew-ishve po në Greqi, të cilët arritën me një marrëveshje me Bankën Zvicerane, të marrin pronat e tyre dhe u kompensuan për dëmet që patën Jew’s- shët, në Greqi. “Çamët, sot, -tha avokati Kaufman, -kanë plot të drejtë të shkojnë nga Shqipëria, në tokat e tyre në Greqi, të vizitojnë varret e të parëve dhe të marrin pronat e tyre, dhe të kompensohen njëkohësisht. Këto janë praktika ndërkombëtare, e njëjtë me emigrantët që vijnë në SHBA, dhe janë shtetas amerikanë, por kanë të drejtat e tyre të shkojnë në vendin e tyre, për të drejtat që kanë”.  Në fund avokati Kaufman sugjeroi se: “Ëndrra e Çamërisë” mund të bëhet edhe një film artistik për Çamërinë, me një histori kaq të pasur dhe episode të rralla për skenarë! Avokati i njohur amerikan Sitv Kaufman, u shpreh se: “Këto janë histori të pasura me episode që do të tërheqin vëmendjen edhe të producentëve me famë botërore si Steven Spileberger,i pasionuar pas historive të tilla”. Kaufman, shfaqi dëshirën që të ardhmen të vizitojë Qafë Botën – Çamërinë, Kosovën dhe viset e tjera shqiptare.  Duke folur në këtë aktivitet, zyrtari njujorkez i Bashkisë së New York-ut, zoti Nivado Lopez, në fillim të fjalës së tij shfaqi kënaqësinë për ftesën e bërë, nga profesor Palombo, Shoqata Çamëria, Shoqëria Shqiptaro- Amerikane dhe Biblioteka, për të asistuar në shfaqjen e këtij filmi dokumentar, dhe për të folur në emër të zyrës së Kryetarit të Bashkisë së New York-ut, Michael Bloomberg.  “Historia, si tregon dhe ky film, duket se nuk ka qenë në anën popullit shqiptar, -tha Lopez, por ajo është me të vërtetë frymëzuese për të shikuar një film si ky, sepse jo vetëm që është e rëndësishme për të dokumentuar tragjeditë që kanë ndodhur, por edhe për të bërë thirrje për drejtësi, ashtu si Holokausti apo regjimi komunist në Kubë, nga e kam edhe unë prejardhjen. Ky film është një festë e mrekullueshme e arritjeve në të gjithë historinë e popullit shqiptar në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara” tha zyrtari i Bashkisë së New York-ut, Nivado Lopez.  Deputeti shqiptar në Kuvendin e Neë Yorkut, asamblisti demokrat i Distriktiti 80-të, zoti Mark Gjonaj, u shpreh i kënaqur që shqiptarët tani më së fundi po e tregojnë historinë e tyre në gjuhën angleze. “Historia jonë tani, u shpreh z.Mark Gjonaj, duhet të jetë në fokusin tonë, të, të edukojmë amerikanët dhe të huajt me historinë tonë, për atë çka ne jemi krenarë që jemi shqiptarë. Deri tani tha ai ne kemi folur gjithmonë me njëri tjetrin(vetëm shqip) – shumë pak kemi folur në gjuhën angleze, që të na kuptojnë e dëgjojnë amerikanët, andaj dua të përgëzojë ju çamët, që na sollët këtë histori të dhimbshme të Çamërisë nëpërmjet filmit “Ëndrra për Çamërinë” me titrat në gjuhën amerikane”, tha asambleisti i New York-ut, zoti Mark Gjonaj

 Filmi i Gjonajt, është një rrëfim për historinë, lotët dhe mbijetesën e popullsisë çame, me interpretimin e Esat Telitit dhe aktores së mirënjohur Margarita Xhepa, me skenar të Enver Kushit dhe regji të Kujtim Gjonajt : Ky është një dokumentar i metrazhit të gjatë që na sjell ndërmend sot mbas afro 70 vjetëve, historinë, vuajtjet, dhimbjet, përlotjen dhe mbijetesën e këtyre shqiptarëve të Çamërisë. Film-dokumentari “Ëndrra e Çamërisë” thuhet se, ka qenë një nga pesë projektet për dokumentar që bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike miratoi në 2008-n. Premiera është shfaqur për herë të parë në 11 mars në Teatrin e Operës dhe Baletit. Sipas shtypit shqiptarë regjisori Kujtim Gjonaj është shprehur se me këtë projekt ai përmbyll në njëfarë mënyre misionin e tij drejt temave historike.  “Është një film dokumentar sa historik, aq edhe emocionues”, ka thënë Gjonaj për shtypin shqiptar dhe shtonë se, ky është ndoshta  “një ndër boshtet kryesore të veprimtarisë sime si regjisor e dokumentarist është tema historike, përfshirë këtu të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarë; Kosova, Çamëria, shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të diasporës. Rreth viteve 2000, kohë kur unë xhiroja një film dokumentar për Ali Pashë Tepelenën. U gjendëm në disa troje çame dhe instinktivisht, me dëshirën për t’i pasur këto në arkivin time, xhirova në shumë zona të ndryshme si në Sul, Prevezë, Janinë etj”, është shprehur regjisori Gjonajt. Sipas të cilit, nxitja konkrete për këtë dokumentar erdhi nga një takim krejt i rastësishëm me Enver Kushin, i cili, në mënyrë të pavarur, kishte shkruar një skenar të mrekullueshëm për Çamërinë. Ideja erdhi duke u kristalizuar deri sa mbërritën në realizimin e një filmi të plotë.  Filmi është një homazh për krahinën e Çamërisë, për lashtësinë e saj homerike, për traditat e shquara kulturore e patriotike, homazh për dhimbjen, lotët e gjakun e saj. Një film homazh dhe amanet për brezin që po shuhet, për brezin që e shkulën nga rrënjët e tokës amtare, pa përmbushur një ëndërr… ëndrrën e Çamërisë.

Regjia: Kujtim Gjonaj
Skenari: Enver Kushi
Fotografia: Gavrosh Haxhihyseni
Montazhi: Esmeralda Sula, Aida Zepishta
Zëri: Kristaq Janushi
Producent: Genti Gjonaj

Zëri – interpretojnë : Margarita Xhepa dhe East Teliti