Çamëria, çështje e madhe kombëtare ende e pazgjidhur

410

Albert Habazaj

  1. Ftesa për Simpoziumin Përkujtimor

“27 Qershori 1944 ndau botët dhe me nyje gjaku lidhi kujtesën historike me amanetin për të vënë në vend drejtësinë e mohuar ndaj viktimave të pafajshme, vrarë sa me armë aq edhe me politikë shovene për 75 vjet rresht. Falënderim e mirënjohje që ruan në zemër shqiptarinë dhe je bashkautor i aktit sublime të përkujtimit të 27 Qershorit 1944, që evokon dinjitet njerëzor dhe drejtësi”.

Edhe formalisht, një ftesë unikale kjo, që me mirësi e besim, më erdhi nga dr. Suard Alizoti, pedagog në Universitetin “Ismail Qemali”, me detyrë shoqërore-atdhetare kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, dega Vlorë për të marrë pjesë në përkujtimin e 75 vjetorit të gjenocidit grek ndaj popullsisë së Shqiptarëve të Çamërisë më ngarkoi me emocione pozitive të fuqishme dhe besim. Brenda saj sikur jep e merr mesazhe të begata lirie një gjethe e gjelbër ulliri, simboli ynë i paqes, njëkohësisht pranuar si simboli universal i paqes në botë. E hapa ftesën, mbushur me emocione të pastra e të zjarrta atdhetare, dhe vetvetiu, pikërisht, atje ku fillon mbiemri im, më shkanë dy pika lot. Me duart që më dridheshin e më dridhen, me shpirtin që më qante e më qan, me zemrën që më rrihte e më rreh kombëtarisht, me mendjen që gjykonte e gjykon me qetësi e koherencë, forca e kohezionit më solli imazhet e gjalla të historisë së Çamërisë dhe Labërisë në rrjedhat e kohës, dhe më dhembi zemra e më dhemb për gjenocidin e pashembull, atë masakër aq mizore, atë barbari të pashoqe ushtruar aq përdhunshëm një shekull e ca vjet më parë (105 vjet kaluar), përsëritur jo më pak egërsisht 75 vjet më parë nga shovinistët grekë, që ende e luajnë maskaradën. Nuk mjafton që kujtesa historike e Çamërisë të bëjë apel vetëm javën e kulturës dhe historisë çame, që përkon me javën e fundit ë muajit qershor, por duhet çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e vit, derisa banorët çamë të jenë të lire në pronat e tyre, në trojet e të parëve.

  1. Fjala ime: Çamëria dhe Labëria, si dy motra – djepe atdhetare.

 Do ta quaja një Akademi historiko-kulturore këtë homazh të 75-të në kërkim së drejtës tuaj, të zgjidhjes së plotë të Çështjes çame, e cila përbën një kauzë të madhe kombëtare, sepse ju kërkoni të drejtën tuaj, në punën tuaj, në dheun tuaj, lënë trashëgim e amanet nga të parët e të parëve tuaj, qysh kur kur bota është zënë… Ju kërkoni atë që u takon, të drejtën te zoti! Kam shkruar, kam folur, kam qarë, kam kënduar dhe sa të jem nuk do të resht për Çamërinë, sepse është plagë e gjak, dregëz që dhemb/ aty ngrehu, aty shemb/ marathonomak lirie, një dritë e bukur lirie! Parë jo thjesht në rrafshin etnologjik, fati gjeografik bëri që Çamëria dhe Labëria, dy nga krahinat më të mëdha etnografike të Toskërisë, njërës nga dy njësitë e mëdha etnografike të popullit shqiptar janë, siç kanë qenë qysh nga fillimi, në krahë të njëra-tjetrës.  Ato janë lule degë, gjak në rrënjë; ato janë si dy motra bërë një nënë; ato kanë më shumë tipare etnopërbashkuese se sa veti përveçese, për vetë faktin sepse historia e këtyre dy krahinave jugore të vendit është polistadale, e farkëtuar në kohë me diell e fortune, në të mirë e në të keq. Edhe pse sot, aktualisht, është kohë e vështirë dhe e turbullt, vlen të jemi një trup kombëtar që me ide dhe veprime qytetare, të drejta e demokratike, Çamëria të realizojë synimin e lartë. Ne jemi në mbështetje të plotë për të drejtën tuaj, për të vërtetën historike dhe gjenetike. Shprehim solidaritetin ndaj të drejtës qytetare të popullatës së persekutuar, të masakruar e të përndjekur e masakruar nga shovenët grekë. Edhe ne, jemi bashkë me ju, së pari këtu dhe, po të jetë nevoja, atje, ku është peshorja e të drejtës ndërkombëtare për t’u bërë tok e për ta sensibilizuar situatën ndër shqiptarët e shpërndarë nëpër Europë, si dhe për t’i bërë të njohur botërisht krimet e padrejtësitë që i janë bërë dhe vazhdojnë t’i bëhen kësaj popullate të shpërngulur nga trojet e veta për tekat feudale të shtetit të sotm grek, që s’është gjë tjetër veçse vijim i atij të djeshmit grek të Venizellosit me co.

Drama çame është një shtegtare epokale midis historisë dhe realitetit. Nuk duhet të harrojmë se e keqja e shqiptarëe në përgjithësi dhe veçanërisht e shqiptarëve të Çamërisë kanë kenë të ashtuquajturat traktate paqeje midis padronëve të Kontinentit. Kujtojmë se qe pikërisht famëkeqi Traktat i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, që u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, i cili nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, se për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Në vijim, e keqja kombëtare thellohet ngushtë me Traktatin e Lozanës, quajtur edhe ky traktat paqeje i nënshkruar në Lozanë, Zvicër, më 24 korrik 1923. Ai e pushoi zyrtarisht konfliktin që kishte ekzistuar midis Perandorisë Otomane dhe Aleatëve: Perandoria Britanike, Republika Franceze, Mbretëria e Italisë, Perandoria e Japonisë, Mbretëria e Greqisë dhe Mbretëria e Rumanisë që nga mbarimi i Luftës I Botërore. Pa u futur në detaje, shikojmë pak se për Shqiptarët në vendimet e Traktatin e Lozanës, lozi pa mëshirë dhembshëm dinakëria dhe hipokrizia greke: Me një dekret Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jozyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese. Shpërngulja me dhunë nga vatrat e tyre të mijëra familjeve shqiptare të Çamërisë, të cilat vërshuan si muhaxhirë këtej kufirit, bashkë me zemërimin e thellë që shkaktoi tek banorët e pafajshëm, e mpaku, e sakatosi, e përgjaku për ta shfarosur këtë krahinë bio shqiptare nga më vitalet e kombit. Personaliteteve të shquara të Çamërisë, që nga Pirrua i Epirit, Hasan Tahsini, Marko Boçari, A. Dino, S. Preveza, M. Rushiti, R. Dino, M. Demi, A. Demi, B. Xhaferri, që janë nderi i Çamërisë në rrjedhat e kohës, u shtohen emra të ndritur të kohës sonë si Fadil Zeqiri e Skënder Beqiri.

  1. Njohja kombëtare dhe ndërkombëtare e Çështjes

Jemi bashkë me ju këtu, në Vlorën e Flamurit. Jo vetëm Labëria e Toskëria, por mbarë Shqiptaria me Kosovë, me shqiptarët e Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut, Greqisë e mbarë rajonit të Ballkanit e më gjerë. Ju mbështesim me shpirt se kemi besim tek Çështja.  Njohja kombëtare, midis njeri-tjetrit, me fqinjin, në lagje, në qytet, sensibilizimi çështjes është detyrë e përditshme në mënyrë vetiake, me grupe, me manifestime, me takime, me të gjitha format e mundshme të ndjeshme e paqësore. Edhe në Hagë, po të kërkohet në tempullin e të drejtës ndërkombëtare dhe demokracisë, bashkë vlen të jemi shqiptarisht si substancë e bërthamës diellore mbarëshqiptare, sepse jemi pjellë bio e asaj fare origjinale europiane, të pastër shqiptare. Edhe shumë të tjerë janë bashkuar me ne, në mbështetje të kësaj çështjeje të madhe, të vërtetë, të drejtë. Respekti, detyrimi, kënaqësia dhe dinjiteti është i përbashkët dhe reciprok ndër ne, për këtë pjesëmarrje me dobi sa historike, aq qytetare.  Edhe atje, në majë të Europës duhet dhe të shkojë zëri i së vërtetës jo thjesht emocionalisht, por mbështetur në dokumente, fakte, ligje ndërkombëtare, konventa, për të mbështetur të drejtën e Çamërisë, duke e cilësuar atë si një zgjidhje të çështjes së madhe kombëtare e qytetare, por që koha dikton zgjidhje diplomatike të drejtë. E vranë dhe e përzunë Çamërinë nga vatra e tyre, nga oxhaku i tyre, nga tymi e nga zjarri i tyre këtë popullatë të pambështetje, se bënë fajtorë pa faj 35 mijë çamër të mirë, të ndershëm, punëtorë e në punë të tyre, për 260 kobaloracionistë të fëlliqur të  pushtimit. Ka fakte, ka dokumente, ka imazhe, ka libra të shkruar, monografi nga autorë shqiptarë dhe studiues të huaj, ka filma dokumentarë, ka harta kadastrale, ka gazeta të kohës, të cilat shkruajnë, flasin e tregojnë për gjenocidin, për masaktrat, për vrasjet massive e varret katakombe pa emra, për mijëra fëmijë të pafajshëm çamë, për gra, plaka e pleq çamë të torturuar, të grabitur, të masakruar, të djegur e të v rarë barbarisht, mizorisht, aq sa gjuha jonë e pasur shqipe s’gjen dot fjalë ta shprehë atë mizori shovene. Faktet, dokumentet, imazhet, filmat dokumentarë, hartat, gazetat e kohës janë një botë e pasur çame në shpirtin, në syrin, në aparatin fotografik të Marubit të Çamërisë 93 vjeçarit Skënder Beqiri, që është një muze i gjallë në lëvizje, thesar që e kemi, që duhet ta ruajmë, të rrojë sa më gjatë dhe ta shfrytëzojmë për idealin e madh e të lartë të Çamërisë martire.

Me praninë fizike e shpirtërore ndaj çështjes çame, si bashkëatdhetarë e bashkëqytetarë që banojmë në këto treva të vlorëruara, me Shoqatën Kulturore-Atdhetare “Labëria”, u bëhemi mbështetje konkrete e misionit në kuadër të zgjidhjes së të drejtave të mohuara, për gjenocidin masiv, për krimet ndaj popullatës çame dhe përzënien me dhunë të tyre nga dheu i të parëve. Duke u falënderuar ju, motra e vëllezër shqiptarë, labër, çamë, kosovarë, malësorë, lumas, detarë a fusharakë, për besimin reciprok që kemi me njëri-tjetrin, se këtë çështje do ta çojmë përpara edhe me këtë bulëz kombëtarizimi për të marrë trajta të gjera e të plota ndërkombëtarizimi të saj, theksoj edhe një herë: Sa e thjeshtë e sa elementare kjo kërkesë e drejtë jona, që si starti i kërkesave të qytetarisë demokratike na del dhembshëm nga shpirti i përgjakur keq, me një krenari të paulur, me dinjitet për t’u legalizuar edhe Shqiptaria në gjendjen Civile të Europës, në hartën e Qytetërimit Universal. Ne kërkojmë zgjidhjen e çështjes çame me të drejtën e Zotit. Burrat e Çamërisë e Shqiptaria mbarë duhet ta ngrenë zërin që të korrigjohet padrejtësia e shovinizmit grek të vitit të mbrapsht 1913 dhe të famëziut grek të dimrit 1944, sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen asnjëherë. Kujtesa historike është e freskët ende me gjakun që kullon lumë, me jetët e prera si pyje me lisa, me tokën çame që dhemb. Po si mund të harrohet, që atë qershor të përgjakur1944, në Paramithi, në krah të djathtë të Zervës, ishte mitropoliti Dhorotheos me rroba ushatarake?! Si?! Jo, kurrë! Sot ora punon e rreh për dritën e çështjes çame. Edhe ne të punojmë për këtë orë të bekuar. Në emër të gjakut të derdhur për Vatrën, për zjarrin e ndezur, për zjarrin e pashuar shqiptar kërkojmë, edhe sot e nesër e deri në zgjidhje, njëzëri e botërisht të drejtën e Çamërisë.

  1. Liria e Çamërisë është zgjidhje e çështjes së madhe kombëtare

Për Çështjen çame është folur dhe është shkruar nga veprimtarë të shumë, patjetër edhe nga personalitete të njohur në fushën e historisë, gjeografisë, diplomacisë, të drejtës ndërkombëtare dhe kulturës. Popullata Çame akoma nuk i ka fituar të drejtat e saj demokratike e qytetare si komunitet ndaj të cilit është ushtruar gjenocid, dhunë, bastisje, vrasje, masakra masive, shpërngulje me forcë nga shfarosësit kriminelë të gjenocit grek (1913, 1944). Pasi ne këtu, “midis vedit” të plotësohemi kombëtarisht për ç’ka me drejtësi kërkojmë, Çështja e Çamërisë zgjidhet duke e ndërkombëtarizuar problemin e madh që ka një shekull e kusur që ka ngecur e bën prapa. Bota duhet ta njohë gjenocidin që është ushtruar ndaj kësaj popullate në dheun e saj. Duhet ta dijë bota çfarë ka ndodhur atje, kur, pse dhe nga kush. Thuhet se është përgatitur dhe dorëzuar dosja e duhur në organizmat përkatëse ndërkombëtare. Është një punë titanike, sidomos në rrafshin diplomatik, së pari, për të bërë njohjen e saj ndërkombëtarisht, për të sensibilizuar opinionin qytetar botëror, për të fituar solidaritetin ndërkombëtar dhe në vijim, me kryerjen e tre fazave të tjera të kuartetit realizues të Çëshjes Çame, përcaktuar qartë me platformën e të drejtës ndërkombëtare. Thuhet… Gjykoj se Çështja Çame është e mprehtë, delikate, kërkon trimëri mendimi e gjykimi, por s’është rebus i pazgjidhshëm. Zgjidhet në kohë dhe në hapësirë, duke e shqyrtuar gjendjen vertikalisht  ngushtë dhe në thellësi, jo duke u hapur si vaji në lakra, jo duke u hallakatur me problem të rëndësisë së dorës së dytë. Nëse dikush nëpër tryeza të rrumbullakta mendimmëdha, edhe të nivelit sipëror të Tiranës, kërkon që me një gur të “vrasë” jo dy por dhjetë zogj, e ngatërron më keq dhe e bën tallavà Çështjen. Vërtet që duhen ekspeditat dhe konferencat, vlen të studiohet sociolektika e bashkësisë, por sipas vendit kuvendi, na mëson urtësia popullore dhe çdo gjë ka kohën e vet. Në rend të ditës sot është ndërkombëtarizimi i Çështjes Çame. Strategjia, që realizon Lirinë e Çamërisë është e qartë dhe në periodizimin me katër fazat e saj. S’kemi pse e bëjmë kokolëmsh Çështjen, se pastaj do na thonë: Ku ishe?- Asgjëkundi. – Çfarë bëre? – Hiç asgjë. Që të mos na qërtojë koha dhe të nesërmit tanë, po e përsëris që ne duhet të kuptojmë se ora punon për Çështjen dhe ne duhet të punojmë për të. Qafa e Botës (grekët i thënkan “Mavro Mati” (“Syri i zi”) është dëshmitare natyrore e lemerisë shovene, e therjeve barbare, e shpënguljeve me forcë, e karvanëve me mushka, ku qenë ngarkuar një grusht plaçka, aq sa mundën të mirreshin nga shkatërrimtaria greke. Nuk mjafton vetëm nderim për të përkujtuar viktimat e genocidit grek ndaj popullsisë të masakruar çame, por gjykoj se duhet ndërkombëtarizimi korrekt i Çështjes, në unitet mendimi dhe veprimi me njëri-tjetrin. Dhe për ta bërë më të njohur botërisht padrejtësinë që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet kësaj popullate të shpërngulur nga trojet e veta nga ana e shtetit të sotëm grek, vijim i të djeshëm grek, na vjen në ndihmë urtësia popullore, të cilën po e shpreh me vargjet e një kënge labe, kaq aktuale: “Shqipëtar’, kudo që ini,/ anembanë nëpër botë,/ feja jonë është bashkimi,/ ndryshe mbaruam si komb!”