Vendi dikur i preferuar, Busheku ndodhet në jug të qytetit në luginën e lumit Shkumbin. Busheku me rrapet shekullore është një nga pikat historike e turistike më të bukura të Elbasanit. Ai është një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit. Busheku ndodhet në jug të qytetit, në luginën e Shkumbinit në të majtë të rrjedhës së tij. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant. Kjo pikë ndodhet në fshatin Shushicë të komunës me të njëjtin emër, rreth 9 km larg qytetit të Elbasanit. Vendasit e quajnë veten me fat që natyra u ka dhuruar një pasuri kaq të çmuar natyrore. Njëri nga banorët Dashamir Terziu thotë se:është privilegj që të kesh shtëpinë në Byshek, ku gurgullon gurra dhe uji i ftohte i burimit është një nga më të veçantat etj. Të hash një drekë në Byshek është kënaqësi. Madje janë ndërtuar dhe disa lokale, të cilat kanë një meny të pasur gatimi të gjellëve tradicionale. Të udhëtosh nga Elbasani për në drejtim të Bushekut është një kënaqësi ku të shoqëron gjelbërimi dhe larmia e luleve shume ngjyrëshe e pranverës. Por që të udhëtosh deri në Byshek është torture nga rruga e keqe ku nuk është vënë dore asnjë herë që nga koha e socializmit. Busheku është një zonë e mbushur me rrape shekullore dhe me burime të ftohta ujore, bukuria e të cilave bëhet më impresionuese kur provon të pish aty ku ai buron. Në prag të përmbysjes së sistemit komunist, në Bushek filloi të ndërtohej një kompleks gjigant për turizëm. Mirëpo nuk qe e thënë të përfundonte ky investim me vlera, pasi ndërrimi i sistemit u shoqërua me shkatërrim të asaj që ishte ngritur me shumë mundim për një kohë të gjatë si dhe një konflikt pronaresh për truallin. Për ata që kanë kohë pa shkuar në Bushek, është e pabesueshme kur u shfaqet para syve një imazh i shëmtuar i asaj që kanë parë vite të shkuara. Vendasve u vjen keq, por thonë se nuk janë ata fajtorë për këtë gjendje. Një grup të rinjsh, banorë të fshatit Shushicë ku ndodhet Busheku, thonë se fajtor është shteti për këtë situatë. Nëse shteti do të vepronte me forcën e ligjit, atëherë kjo pikë do të ishte e mbipopulluar nga turistët vendas e të huaj. Aty, megjithatë, funksionojnë dy lokale që janë ndërtuar këto vite përsëri këta nuk i përmbushin detyrimet e turistëve, por që gjithsesi nxjerrin fitime të kënaqshme..
Një fushatë e iniciuar nga Qarku i Elbasanit u organizua para sezonit turistik në Byshek. Gjithë punonjësit e qarkut të Elbasanit dhe drejtoritë e këtij institucioni “zbarkuan” në Byshek për ta pastruar atë nga ndotja dhe nga mbeturinat e hedhura andej këndej që prej vitesh dergjeshin në ujërat e tij dhe në mjedisin rreth tij. Turistët kur të shijojnë bukuritë e Byshekut të shijojnë pastërtinë dhe bukurinë magjepse të kësaj pikë të mrekullueshme.
Kryetari i komunës së Shushicës, Lutfi Lala, thotë se e ka peng që problemi i Bushekut nuk po e gjen një zgjidhje. “Nga ana jonë po përpiqemi që të rikonstruktojmë sa më shpejt rrugën që e lidh fshatin me qytetin, sepse infrastruktura e dobët po i largon turistët nga ne”, thotë ai. Ka një interes të madh për të gjithë zhvillimi i Bushekut, por kjo na duket e largët, sipas kryekomunarit. “Na vjen zor kur vijnë të huajt dhe na pyesin përse ka mbetur kështu kjo pikë turistike, por le të shpresojmë se nuk do të jetë e largët dita kur do të kthehet në një perlë të vërtetë”, përfundon Lala. Zhvillimi i zonës përreth flet qartë kur ka hapësirë për t’u bërë biznes në turizëm. Ne kemi hartuar të gjitha projektet dhe i kemi dërguar pranë institucioneve përkatëse, por nuk kemi marr asnjë investim.