Burri vuri kandidaturë, gruaja bëri …karrierë

542
Sigal

  Shkëlqimi dhe mjerimi i kandidatëve për deputetë ka të njëjtën monopat të të gjitha kohërave 

 Murat Aliaj

Ishte një kohë kur thuhej e shkruhej gjithandej: “Politika në plan të parë”. Dhe me të vërtetë, politika e PPSH-së ishte vetë jeta. Kush devijonte sadopak nga ajo, gjente kokrrën e belasë. Kështu  ikën shumë “koka të mëdha” asokohe, të disa ministrave e gjeneralëve dhe të “rrufjanëve politikë”.  Po erdhën të tjera kohëra. U krijuan me porosi shumë parti. Parti koti dhe “prej vërteti”. Mirëpo, edhe tani, ndonëse nuk thuhet as shkruhet, mbetet në fuqi parulla e dikurshme: “Politika në plan të parë”. Ajo është e kudogjendur dhe vendos për gjithçka. Është tema kryesore e ditës  nëpër zyra,  ndër kafene dhe në lokalet publike; në shtëpi dhe jashtë saj; në gëzime dhe në hidhërime, nëpër dasma dhe në varrime. Të merresh sot me politikë, nuk përbën asnjë rrezik. Në kronikat e zeza nuk shënohet asnjë politikan i vrarë ose i plagosur. Përkundrazi, politika në Shqipëri, është biznesi më fitimprurës; aq sa edhe biznesmenët më të fuqishëm i turren politikës, për të zhvatur ndonjë mandat deputeti ose ndonjë post ministri. Politikanët e kohës sonë janë kurdoherë të fituar: edhe kur janë në pushtet, edhe kur zbresin në opozitë, në pritje për t’u ngjitur përsëri në pozitë. Është si një lojë e bukur futbolli me ndërrim portash. Nuk ka të humbur në politikë, sepse ligjet i hartojnë dhe i miratojnë vetë politikanët. Vetë shkruajnë dhe vetë vulosin  ligje të atilla, që i mbrojnë dhe i favorizojnë edhe kur janë lart, edhe kur zbresin poshtë.  Këto kishte parasysh edhe Fuat Dreqolli, një fshatar nga rrethi i Balldavecit, kur zbriti në qytet dhe iu përvesh politikës. E para gjë që bëri ishte anëtarësimi në njërën nga partitë e koalicionit, që kishte  pushtetin. Dhe menjëherë i mori frutat e para: një vend pune me shumë leverdi, në ndërmarrjen  shtetërore RPDMPSK. Pas kësaj, nisi nga veprimtaria partiake, d.m.th. nga llafollogjia; sepse edhe në fshat, shquhej për “muhabet pa bereqet” dhe pa dëm. Me ca gazmore e anekdota katundi,  ai fitoi simpatinë e disa anëtarëve të asaj partie, të cilët e propozuan dhe e zgjodhën kryetar të Seksionit të tyre. Mblidhej përnatë me ata, në kafenetë e qytetit. Bisedonin për “Interin”e “Milanin”, për “Dinamon” dhe “Partizanin” e dikurshëm. Nuk harronin të flisnin edhe për femrat “ e emancipuara” (apo të përdala) të atij qyteti, të cilat duheshin afruar dhe futur në gjirin e partisë. Në zyrën e Seksionit të partisë ai shkonte “rrallë e për mall”, sepse e urrente burokracinë, planet e punës, listat dhe shkresat e tjera. Ai ishte njeri i aksionit dhe i terrenit. Kësisoj, as pas një viti si kryetari i Seksionit, nuk e kishte mësuar se cilët ishin anëtarët e kryesisë dhe ku gjendeshin ata, brenda apo jashtë shtetit.  Kjo sepse nuk kishte kërkuar kurrë mbledhjen e tyre, as një herë në tre muaj, as në gjashtë muaj dhe as një herë në vit. Organizata e partisë e seksionit të tij, qëndronte në hava, vetëm për shkak të inercisë, në saje të punës së mirë të paraardhësve, të cilët ishin braktisur nga drejtuesit si Fuati dhe  nuk figuronin as nëpër listat elektorale. Kur vinte ndonjë i deleguar nga Tirana, Fuat Dreqolli e priste dhe e përcillte si jo më mirë, me servilizmin që e karakterizonte, duke ia paraqitur gjendjen e partisë në rreth, dhe veçmas të seksionit të tij, si të shkëlqyer. I ngopte me lugën zbrazur, se edhe ata kishin filluar t’ia varnin bidonët punës organizative.   Gjithsesi, me kalimin e viteve, emri i Fuat Dreqollit ishte bërë i njohur (për mirë apo për keq, nuk ka rëndësi), jo vetëm midis anëtarëve të partisë së tij në atë qytet, po deri tek udhëheqja e lartë në qendër, në kryeqytet.  Kishte ardhur koha për zgjedhjet e përgjithshme. Dëgjohej përditë e më shumë zhurma marramendëse e fushatës elektorale. Të njëqind e një partitë e spektrit politik shqiptar, ishin hedhur në sulm për “fitore plebishitare”. Dhe të gjitha shprehnin besimin e patundur për një fitore të padiskutueshme; madje, jepnin edhe shifra tejet të fryra për numrin e deputetëve të tyre, të cilët do të zinin vendin e merituar në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të bënin namin për të mirën e popullit dhe të kombit tonë. Një mëngjes, kur gruaja e Fuatit, Rrahimja, të cilën shkurtimisht e thërrisnin Hime, teksa ishte ngritur nga gjumi e po dëgjonte lajmet dhe “pasqyrën e shtypit”, krejt papritur lëshoi një ulërimë histerike në drejtim të bashkëshortit, sikur ta kishte zënë në faj:- A e shikon se ç’po bëhet more burrë-ziu? Edhe Taqi  Farmaqi e Lame Rrotullamja kanë shpallur kandidaturën për deputet, ndërsa ti më rri këtu me duar në … xhepa! Turp të kesh që ta kaluan edhe ata  ronxhobonxho! Nisu që sot për Tiranë dhe rregulloje këtë punë! Në të vërtetë, Fuati apo Fatja- siç e thërrisnin shokët, ishte krejtësisht i pafuqishëm, impotent,  përpara pushtetit të gruas. Nuk guxonte t’ia kthente kurrë fjalën. Ndihej inferior përpara saj, për disa arsye të trashëguara nga e kaluara, që lidheshin me “biografinë” dhe me ca rrethana të tjera. Himja nuk rridhte nga ndonjë familje e fisme e fshatit; madje, ishte nga ato më të fundit. Por, çante përpara me “partishmërinë e lartë”. Me  “partishmërinë” dhe me diçka tjetër, ajo ia kishte dalë të fitonte në të kaluarën, një të drejtë studimi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin shumë të kërkuar të Drejtësisë. Shefi i Kuadrit, i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, i njohur si qejfli femrash pa pretendime  për bukurinë e tyre, e kishte thirrur një ditë në  zyrën e tij, dhe duke trokitur gishtin e mesit të dorës së djathë mbi tavolinë, e kishte pyetur:  “- A e din përse të kam thirrur?”… Ajo kishte buzëqeshur…Më pas, emri i saj ishte futur në listën e atyre që u kishte dalë bursa për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Tiranës. Të katër vitet e kaluara si konviktore në kryeqytet,  janë të mbushura me “histori rozë”, me personazhe pedagogë dhe kalimtarë të rastit. Po kjo nuk na intereson shumë, se është çështje personale. (Për t’i vërtetuar ato ndodhi, juristja jonë do të na kërkonte dëshmitarë dhe dokumente e gazeta të noterizuara.) Në përfundim të studimeve të larta, po me stilin “A e din përse të kam thirrur?”, Hime Dreqolli zuri një vend si juriste në qytetin e vogël pranë Balldavecit dhe ishte shumë e kënaqur nga jeta.  Po ja që tani, asaj iu shkrep që të kërkonte diçka më shumë nga vetja dhe nga burri i saj. Donte që edhe ai të bëhej dikushi. Të paktën të ishte një deputet, se sa për ministër e dinte që Fatja i saj, nuk e hante dot.  Si deputet i Kuvendit, të zinte një karrige e të mos i dëgjohej kurrë zëri, si shumë të tjerëve, përse të mos e bënte? Përse të mos e kapte rastin për një jetë më të mirë, për një rrogë dy milionëshe dhe për privilegjet e tjera të deputetit?  “Urt’ e butë dhe plot tigani” ishte një fjalë e popullit që ajo e kishte si moton e saj në jetë. Këtë e zbatonte edhe në proceset gjyqësore, me allishverishet e saj, për të cilat ishte bërë e njohur dhe disa herë kishte marrë vërejtje me paralajmërim. Nëse Fatja bëhej deputet, atëherë do t’i thoshin “lamtumirë” edhe atij qyteti të vogël e plot telashe, dhe do të vendoseshin familjarisht në Tiranë. Këto sillte nëpër mendje gjyqtarja dhe nisi ta shponte përditë si me hosten të shoqin, i cili mbasi u pajis me një rekomandim të fortë nga shokët e kafeneve, sipas të cilëve ai  do të korrte një fitore  “plebishitare”, mori rrugën për Tiranë. Atje ishin në hall për kandidatët e atij qyteti, ku kishte fituar kurdoherë koalicioni i kundërshtar. Prandaj, pa u menduar shumë, e futën në listën e kandidatëve edhe Fuat Dreqollin. Himja e përgëzoi të shoqin për këtë arritje dhe që të dy iu futën punës seriozisht për të arritur qëllimin final, të kapnin mandatin e deputetit dhe Tiranën. Mundën të merrnin një sponsorizim të mirë nga dy biznesmenë vendas, që ishin pasuruar në vitin 1997 dhe që kishin planet e tyre për të ardhmen, të cilat mund t’i realizonin vetëm me ndihmën e partisë që do të kishte pushtetin. Me ato para, u përgatitën materiale propagandistike:  portreti i madh i kandidatit për deputet, flamuj e banderola dhe fletë-palosje të  shumta, ku viheshin në dukje cilësitë e panjohura gjer atëherë të Fate Dreqollit. U bënë disa takime me zgjedhësit dhe simpatizantët e imagjinuar, nëpër salla lokalesh, shoqëruar me kokteje ose dreka e darka, sipas rastit. Fatja me të shoqen shkuan dhe në fshatrat e tyre të lindjes, për të kërkuar votat. Shtruan edhe atje dreka e darka. Po për çudi, nga ato dy fshatra nuk morën më shumë se dhjetë vota, nga familjarët e tyre. Të tjerët “u hëngrën bukën dhe ua përmbysën kupën”, domethënë vetëm sa  “i ranë qylit”.  Ndërkohë, ende pa u mbyllur fushata, Dreqollët, me ndihmën e shokëve të partisë në qendër, patën një arritje jo të vogël: Himja u transferua si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, ku vazhdon të punojë me shumë pasion, në mbrojtje të interesave të partisë së burrit të saj. Përfundimi i kandidaturës së Fate Dreqollit ishte “një zero me xhufkë”. E fituar doli vetëm gruaja e tij, e cila siguroi Tiranën, ndërsa Fatja mbeti atje ku ishte, në qytetin e vogël. Martesa e tyre tani funksionon si “part- time”, me kohë të pjesshme, ose “me korrespondencë”.