Bulqizë/Atje ku vriten edhe kinezë me pagë sa “1 pjatë oriz”, për kromin që pasuron shtetarë e koncesionarë

539
Përparim HALILI
Miliarda që prodhohen nga skllevërit pa asnjë kusht teknik, pa asnjë kontratë pune sipas ligjit dhe asnjë hetim nuk bëhet, asnjë sindikatë nuk flet
Bulqiza, kjo qendër e banuar që vuan mbi tokë edhe për kafshatën e bukës, por që nëntokë ka një pasuri “flori” mineral kromi, vazhdon të konsiderohet e trajtohet si një “geto”, për të cilën nuk interesohet asnjë institucion, përveç politikës kur mbajnë fjalime premtimesh të bujshme për vota pushteti lokal e qendror! 
Minatorët vriten për “1 copë bukë”, por nuk preken ata që marrin miliardat e kromit
Në minierën e Bulqizës, ata që nxjerrin kromin janë skellëvër shqiptarë, banorë të zonës së Bulqizës, së fundi edhe skllevër kinezë, të cilët shfrytëzohen me paga sa për “1 bukë” dhe për “1 pjatë oriz” në ditë. Po çfarë bëhet me këtë minierë? Cilët e shfrytëzojnë dhe si e shfrytëzojnë? Sa minatorë janë vrarë e janë gjymtuar? Në sa “copa” është ndarë miniera e kromit? Cilët janë banditët dhe bandat, që i kanë marrë licencat e krimit? Me cilët kanë lidhje ortakërore e familjare, politike, shtetërore, klanore, fisnore, krahinore e kriminale? A zbatohet kontrata koncesionare në investime, kushte pune, paga, sigurime shoqërore, shpërblime financiare për punonjësit sipas normës së fitimit? Përse nuk preket askush nga drejtësia, kur vriten minatorë, por arrestohen vetëm brigadierë “kukulla”? Askush nuk ndëshkohet. Rasti i fundit i tragjedisë njerëzore, ndodhi para pak ditësh në minierën e kromit në Bulqizë. në afro 2000 metër thellësi, shpërtheu “Gazi Metan”. Nuk e kemi fjalën pse shpërtheu gazi, mbasi në miniera dihet që ka gazra! Fjala është përse kanë mbetur 3 punëtorë kinezë në thellësinë 200 metër, ku edhe grupi avaro-shpëtues i AKB dhe Ministrisë, nuk po futen dot. Urojmë që ata të jenë ende gjallë… por pyetja është kjo: përse ka “vdekur” shteti, pushteti lokal dhe sindikata që nuk detyrojnë bandat koncesionare të zbatojnë detyrimet e punës në minierë, minimalisht për të garantuar jetën e punëtorëve, të cilët i nisin drejt nëntokës edhe me presione për largime nga puna dhe që skllevërit e mjerë shqiptarë, maqedonas e deri kinezë, detyrohen të futen nëntokë për të mos humbur atë mavri kafshatë bukë që u japin skllvapronarët e lidhur kriminalisht me horrat e politikës e të shtetit!
Pyetje që fshehin krimin në minierën e kromit, të cilat duhen hetuar nga drejtësia
Janë disa pyetje, të cilat fshehin krimin mbi jetën e punonjësve dhe ekonominë kombëtare, të cilat duhen hetuar urgjent nga drejtësia shqiptare. Janë edhe 3 minatorë skllevër kinezë, të mbetur në thellësinë 2000 metër të minierës! Grupet e shpëtimit të minierave të mbushur me pijanecë e qylaxhinj që hargalisen kafeneve, janë dorëzuar mbasi nuk futen dot deri atje! Po minatorët si janë futur? Përse ashensori i minierës, nuk ka shkallë hyrje-dalje emergjence për raste të tilla? Deri në çfarë thellësie zbret dhe deri në çfarë thellësie duhet të zbresë ashensori në këtë minierë? A kanë zbritur minatorët me ashensor apo me litar deri në punimet avancuese të nivelit të 20-të? Në cilat kushte punonin minatorët në atë nivel? A ka pasur punonjës turni gaz-matës? A ka pasur informacion për përmbajtje gazi të çliruar edhe më parë në atë nivel pusi dhe çfarë masa janë marrë? A janë detyruar punonjësit të futen nëntokë me presione për largime nga puna, nëse nuk shkonin? A kishin kontratë pune skllevërit kinezë? A ishin të instruktuar dhe të kualifikuar për punën nëntokë? A është e ligjshme kontrata koncesinare që i është dhënë firmës kineze, pas kalimit të minierës në 12 duart të pista mafioze koncesionarësh nga çdo shtet? A janë bërë armatimet siguruese të punimeve avancuese? A ka miniera dalje fizike emergjence (oxhak) për punonjësit nëpër nivele, në raste rreziku? A ka raport teknik ditor, javor e mujor për punimet avancuese që kryhen në minierë? Përveç kuotave financiare që u mbajnë me dhunë në border dhe përveç ahengjeve që bëjnë nëpër restorante luksoze me miliardat e qirave të shtëpive të pushimit, çfarë bëjnë tjetër sindikatat, të cilat edhe në rastin konkret, nuk po flasin, por bëhen palë e ndyrë me koncesionarët barbarë, babëzia e të cilëve çon në varr edhe varfanjakët që shfrytëzohen deri kriminalisht? 
Trafiku i koncesionit të minierës së Bulqizës, 20 vite pazar shtetarë-mafie kromi
Firma koncensionare turke-serbe-austriake-shqiptare, që edhe pse ka një “logo” tjetër, në fakt është firma mafioze austriake-serbe-ruse “ACR”, por që 4 vite më parë, ka bërë sikur ka shitur aksionet tek një firmë serbo-austriake-maqedonase e turli emra shtetesh. Ish-firma koncensionare “ACR” dhe firma aktuale koncesionare që prezantohet si blerëse e koncensionit të kromit të Bulqizës, që prej vitit 2006 nuk ka përmbushur asnjë detyrim kontraktual minimal ndaj minierës së Bulqizës dhe ndaj detyrimeve kontraktuale sociale, ekonomike e financiare ndaj minatorëve. Prej 7 vitesh, koncensionarët e huaj që kanë zaptuar me pazare prodhimin dhe shitjen e kromit të Bulqizës, po lejohet të ushtrojë aktivitet anti-ligjor, sipas parimit: “Mashtro, vidh, pasurohu, shkatërro dhe largohu”, madje edhe duke lënë pas, viktima minatorësh deri kinezë Kontrata koncesioanre, mes të tjerash, ka në përbërje edhe 12 kërkesa bazë, të cilat ende sot nuk janë plotësuar. Kujtojmë, që në këtë kontratë shtetërore, janë përcaktuar me afate konkrete 34 detyrime të firmës koncesionare, brenda të cilave janë dhe 12 kërkesat që kanë paraqitur minatorët e Bulqizës. Deri sot, koncensionarët nuk kanë plotësuar asnjë nga 34 kushtet e kontratës koncensionare, madje as ato për sigurimin e plotë të uniformave e mjeteve të punës së minatorëve. Në vijim, do të lexoni investigimin e plotë që ka bërë gazeta “Telegraf”, për koncesion-krimin me minierën e Kromit në Bulqizë! 
Sigal