Bulëza antropologjike dhe etnologjike të Nermin Vlora Falaschit, mbesës së Ismail Qemal Vlorës

Msc. Albert HABAZAJ
Dr. Evis A. ÇELO (Ph.D)

1. Qasjet antropologjike të Nermin Vlora Falaschit
Qasjet antropologjike të Nermin Vlora Falaschit qëmtohen në veprat e saj me përmbajtje shkencore mbi qytetërimet e lashta euro-mesdhetare dhe me interpretimin e dokumenteve epigrafike të pellazgëve, ilirëve dhe të etruskëve. Ndër rreth 40 libra, nga botimet me udhëshkrime të Nerminit, ku studiuesja paraqet vështrimet e saj antropologjike përmendim librat: “Kina”,(1972),“Bashkësia dhe autonomia” (1973), “Konsiderime mbi civilizimin Çibça” (1979),“Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët”. (1984), “Etruskishtja-gjuhë e gjallë” (1989), “Lashtësia e gjuhës shqipe” (1991), “Shqiptarët, popull i ndarë” (1996), “Prona gjuhësore dhe gjenetike. Probabilitetet e monogjenezës embrionale të fjalëve” (1997) etj. E pajisur me ndjeshmëri, mendim e intuitë, e ambientuar me jetën nomade të diplomatit, Nermini shfaqet e realizuar si një eksploruese e shquar, studiuese e traditave dhe e dokeve të të huajve dhe të shqiptarëve. Ravijëzohet si një pioniere e antropologjisë kulturore, se dhe nga botimet e shënimet e shumta ende të pabotuara, del që ajo nuk u angazhua vetëm në studimin e traditave të shoqërive parake e të largëta, të gjuhëve që si fillim janë të huaja, por vëzhgoi, studioi dhe shkroi edhe për gjurmimet në zabelet e Afrikës në ndjekje të primatëve. Studimin e traditave, dokeve (zakoneve) të njerëzve, të popujve tribalë në Afrikën Lindore apo në Amerikën e Jugut, Nermin Vlora e realizonte jo vetëm si studim krahasimtar të kulturave dhe shoqërive, si antropologji që trajton krahasimin e popujve të zbuluar në kufijtë e ekspansionit evropian, etj., por në një kuptim më të gjerë, duke e parë si problem qendror kërkimin për përgjithësime dhe teori mbi sjelljet sociale dhe kulturat e njerëzve. Një vlerë e dukshme në studimet e saj antropologjike është se, edhe sipas saj, kultura përbëhet jo nga ngjarje e gjëra që ne mund t’i vëzhgojmë, numërojmë dhe masim, por përbëhet edhe nga ide dhe kuptime të përbashkëta. Humanizmi i saj kulturor e shkencor tej shikonte mirësi njerëzore qytetare, çka njerëzit mësojnë për t’u përmirësuar. Edhe nga shkrimet e saj dalin ide mbi standardet për të vendosur se çfarë është kultura, për të vendosur çfarë mund të jetë ajo, për të vendosur se ç’duhet bërë me të dhe për të vendosur si duhet të veprohet për të. Me shfaqjen herë pas hershme të xixëllimeve të mendimit antropologjik, kulturën ajo e vështronte dhe më tutje, si një sistem konceptual. Ajo gjykonte se popujt lëvizin vazhdimisht, nga një anë në anën tjetër të botës, atje ku gjejnë mënyra jetese të përshtatshme dhe e kishte për zemër thënien se lëvizja e popullsive është njëlloj “motu perpetuo”, (lëvizje përjetësore) njësoj si valët e detit, që nuk asnjë mundësi t’i jepet emri një vale a një tjetre. Ideja e prejardhjes së popullsive nga një vend a nga një tjetër i vlejti në gërmimet mbi qytetërimin para kolumbian Çibça në Bogotá. Fillimisht shfletoi autorët e ndryshëm para saj se çfarë kishin shkruar për këtë temë: Një autor përkrahte me vendosmëri pikëpamjen se popullsitë Çibça kishin ardhur nga ngushtica e Beringut. Një tjetër autor, po aq i palëkundur, caktonte prejardhjen e tyre nga Polinezia (ndoshta 3000-2000 vjet p. K). Dhe Nermini thotë, se si njëri ashtu dhe tjetri kishin të drejtë, meqë ato popullsi do të kenë ardhur, si nga ngushtica e Beringut (që lidh Oqeanin Paqësor në veri me Arktikun: Siberi-Alaskë), ashtu dhe nga Polinezia (rajon i Paqësorit Qendror, më lindori i 3 grupeve të mëdha të ishujve të Paqësorit). 

2. Në fushën e etnologjisë
Duke pasur mundësinë e njohjes nga afër për një periudhë 25 vjeçare, sidomos gjatë viteve që kemi jetuar dhe punuar në Itali, pohojmë se nuk kemi takuar njeriun me emrin Nermin Vlora Falaschi, por shpirtëzimin e Qiririt të Naimit, me emrin Nermin Vlora, që “në shpirt ka dashurinë, pa digjet për njerëzinë”. Ajo u shkri si qiriri për lirinë qytetare të shqiptarëve, për lashtësinë e gjuhës shqipe, për traditat më të mira që na lanë të parët, për doket ndër shqiptarë. Ajo trajtesën “Nga etnocentrizmi në pluralizëm kulturor” e shikonte me interes përbashkues kulturash e qytetërimesh, si “qytetërime të ngjeshura pas njëri-tjetrit” edhe pse e dinte që punonte në një trase të vështirë. Qytetërimin e shikonte si një arritje me dyer të hapura, ku jepet, merret, tjetërsohet ... Është identiteti ynë kombëtar pronë e popullit shqiptar, që as jepet, as merret, as tjetërsohet, sepse me identitet kombëtar ajo kuptonte identitetin kulturor dhe qytetar, me komponentë të tillë siç janë gjuha e banorëve, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, mënyra e jetesës, e drejta e bashkuar, feja (jofeja). Si pjesë e së tërës ballkaniko-mesdhetare, shqiptarët kanë identitetin e tyre fizik, moral, kulturor, juridik e politik. Kishte lajtmotiv proverbin e gjeniut kozmik Leonardo da Vinçi (15.04.1452-02.05.1519): “Il corpo nostro è sottoposto al cielo e lo cielo è sottoposto allo spirito” (“Trupi ynë i nënshtrohet qiellit dhe qielli i nënshtrohet shpirtit”). Ndihmesa e Nermin Vlora Falaschit në fushën e studimeve antropologjike dhe etnologjike është një diamant kulturor për “shtëpinë tonë të përbashkët adriatikase”, siç e kishte për zemër të shprehej shpesh ajo, e cila deri në frymën e fundit jetoi me parimin të studiuesit Vittorio Alfieri (1749-1803): “Volli, sempre volli, fortemente volli” (Desha, gjithmonë desha, me këmbëngulje desha”).Është domethënës shënimi dedikues (kushtues) që Nermini bën në faqet e para një monografie shkencore: “Ky libër është uratë për bashkimin e gjithë etnive shqiptare në vatrën e madhe evropiane”. Siç vërehet nga shkrimtaria e saj, Nermin mbështet tezën se etnia duhet të jetë e organizuar në një shtet kombëtar.