Bukurije Bushati:Shembulli më i mirë i emancipimit të gruas është kryeministrja Merkel

655
Sigal

 INTERVISTA/ Flet juristja dhe shkrimtarja Bukurije Bushati: Të jetosh në Gjermani do të thotë të jetosh në një vend me disiplinë dhe të pastër

Bukurije Bushati ka lindur në Durrës më 18 Prill 1956. Ka mbaruar gjimnazin në 1975 dhe më pas me korrespondencë fakultetin Juridik. Ka punuar në hetuesinë e Durrësit, fillimisht sekretare dhe më pas ka kaluar hetuese në hetuesinë e Kavajës. Në Tetor të 1993 është larguar për në Itali, ku ka ndenjur 3 muaj për të bërë martesën me të shoqin, me të cilin kishte njohje rreth dy vjet më parë dhe më pas erdhi në Frankfurt, Gjermani, ku i shoqi jetonte. Punon pranë LSG Sky Shefs Frankfurt dhe ndjehet mirë në të. Qysh në rini ka botuar disa poezi dhe sot rezulton me tre romane dhe vëllime poetike. Por ajo nuk lë pas dore dhe tregimin.

 Si nisi krijimtaria?

Kam nisur të shkruaj në gjimnaz. Në këto vite u futa edhe në rrethin letrar të qytetit. Por poezitë e para i kam botuar në vitin 1976 në gazetën Studenti i Bujqësisë, ku kam studiuar një vit… Ndjehesha pak e ndrojtur, se kisha hedhur hapin e parë, duke hedhur tej ndrydhjen, prisja reagimin e studentëve lexues. Gjithçka shkoi mirë, por pas një viti lashë fakultetin, sepse më kishin premtuar për të studiuar në degën gjuhë letërsi të universitetit, gjë që nuk u realizua…. Kam studiuar Juridik, me korrespondencë dhe kjo degë duket që nuk ka lidhje me krijimtarinë time letrare. Por vendi i punës, përvoja në të, dhe vetë studimet në juridik, më kanë ndihmuar të akumuloj material, për romane me subjekt kriminal, gjë që besoj se do ta realizoj. Kam filluar diçka, por jam akoma në fillim…

 Kur kanë dalë në dritë romanet tuaj ?

Romanin tim të parë  “Pafajësi nëne” e kam nxjerrë nga botimi në  Janar 2011,  mbi bazën e një ngjarje të vërtetë, ku kam treguar dhimbjen e nënës dhe forcën e saj si ujkonjë, kur ia rrëmbejnë fëmijën e porsalindur….  Pas kësaj, po këtë vit në Korrik, kam nxjerrë romanin e dytë, “Borjona”, histori kjo po e kohës, ku për një moskujdesje në detyrë, krijohen probleme serioze në familjet e prekura. Në 2012, kam nxjerrë romanin “Arta”, që flet për një vajzë studente dhe forcën e saj për t’i rikthyer nënës dukagjinase trupin e djalit të humbur në Greqi.. si dhe një vëllim poezish  “Shpirti im vagabond”, ku harroj moshën time, apo ku shpirti nuk njeh moshë. Nga kritika mendoj se janë pritur mirë.

  Ç’do të thotë të jetosh në Gjermani?

Të jetosh në Gjermani, për mua do të thotë të jetosh me mallin për vendlindjen. Të zgjohesh me mirëmëngjesin e saj dhe të shkosh në shtrat me kujtimet, që nuk të shkëputen asnjëherë dhe pret të të qetësojnë shpirtin….Por nga ana tjetër, të jetosh në Gjermani do të thotë të jetosh në një vend ku njeriu respektohet për atë që është, ku njeriu respekton detyrat e tij, por i njihen edhe të drejtat. Ku i afti mund të arrije edhe majat më të larta, sipas aftësisë, pa patur të nevojshme të kapi njërin apo tjetrin për krahu, apo për t’i afruar diçka. Të jetosh në Gjermani, është edhe të të jepet mundësia të integrohesh në jetën e saj dhe e ndjen veten të lehtësuar, nga diskutimet e zhurmshme politike, që ndjej edhe në familjen time, sa herë që ndodhem në Shqipëri.  Them këtu demokracia është demokraci dhe vepron si demokraci.

 Cili roman është mirëpritur nga kritika?

Romani, që është shitur më shumë, është romani i parë ‘Pafajësi nëne’, si dhe më kanë shkruar shumë lexues përshtypjet e tyre për të. Është një roman i dhimbshëm, ashtu si realiteti ynë në Shqipëri dhe them se, kur kam shkruar këtë roman kam derdhur aq lot, sa që, pasi mbyllja laptopin, ndjeja dhimbje koke, por në shtrat shkoja përsëri me vazhdimësinë e tij…Kam në këtë roman një nga personazhet e mija më të preferuara Luanën, gruan, nënën e bukur dhe aq të fuqishme durrsake dhe me zemër aq të madhe…Hyjneshë të jetës, mund ta quaj.

 A ke ndjerë shenja racizmi  në Gjermani?

Frymën e racizmit…në përgjithësi jo, por ka edhe raste. Por edhe këto raste janë të fshehura dhe shfaqen me frikë…Mos të përmendim këtu grupet ekstremiste të racizmit që sigurisht, janë nën kontrollin e shtetit.

 Cili është mendimi për shoqërinë shqiptare?

Ende ka reminishenca të së kaluarës. Ka nevojë ende për emancipim.

-Jeni penduar që jeni larguar?

Aspak. Jetojmë në një shoqëri globale ku sot largësitë ndërshtetërore janë shumë të vogla.

 Si do ta përkufizonit jetën në shoqërinë komuniste?

Çdo gjë e kolektivizuar, varfëri, frikë, ku s’kishte shenja ndarjeje, por kishte një shoqëri të mirë.

Si mund të bëni një paralelizëm midis femrës shqiptare dhe asaj gjermane?
Femra në Gjermani, është sigurisht më e emancipuar. Ajo merr pjesë më gjallërisht në të gjitha aspektet e jetës. Shembulli më i mirë, kryeministrja Merkel. Femra respektohet shumë në familje dhe në shoqëri ka vendin e barabartë me burrat. Duke lënë mënjanë këtu, familje të ardhura nga vende të ndryshme, myslimane, që brenda tyre, vazhdojnë të mbajnë mentalitetin e tyre dhe e kanë të përcaktuar pozicionin e femrës në të. Por them edhe në Shqipëri, kemi një arritje në  vendin e femrës në shoqëri dhe  respektimin e saj. Edhe femrat tona, po e tregojnë veten se janë të afta në fusha të ndryshme, si ato politike, biznesmen, ashtu si dhe nikoqire dhe amvisa të mira në familje dhe ato po respektohen gjithnjë e më shumë, ashtu siç edhe e meritojnë, por si gjithnjë ka edhe mosrespektime të tyre, por dëshiroj dhe uroj që edhe ato, të gjejnë respektin e tyre në shoqërinë tonë, të gjejnë veten në vendin që u takon….Kjo mbetet në dorë të burrave për t’i dhënë vendin e duhur a femrave tona si dhe e vetë femrave për të ngritur zërin për të drejtat e tyre…Mos të harrojmë se çdo burrë, është i lindur nga një femër! Jemi gjysma e popullsisë dhe po nuk u respektua kjo gjysmë, nuk ka  civilizim, nuk ka arritje…

 Ju s’keni lënë pas dore as poezinë?

Kam shkruar edhe në poezi, siç thashë më lartë, kam botuar në Gusht një vëllim poezish dhe kam edhe shumë poezi, të cilat mendoj t’i botoj në një të ardhme…

 Romani është një gjini e vështirë, përse e nisët krijimtarinë me roman?

Po! Romani është gjini e vështirë, por unë e fillova krijimtarinë time të vërtetë, me romanin. Nuk di pse e fillova pikërisht me romanin, por aty u gjeta ndoshta, më e sigurt të lëvroja. Dhe pas romaneve fillova në tregime, apo ese si i quajmë dhe tani në Shkurt, mendoj të botoj librin e parë me përmbledhje tregimesh, ku kam shkruar me një stil normal por edhe ka ese ku shkruaj me një stil abstraksionist…kjo mënyrë e të shkruari më pëlqen…

 Si është për ju një ditë pune?

Shumica e ditëve të mia janë të zakonshme. Si të gjitha gratë, kryej detyrat shtëpiake, shkoj në punë dhe kur kam kohë të lirë e kaloj me shkrime, por edhe në fb. Ku i botoj herë pas here ato. Në fillim e bëja për të  testuar veten, ndërsa tani edhe për tu kënaqur me miqtë që më komentojnë. Fluturoj shpesh dhe kudo që shkoj, dëgjoj me vëmendje se ç’më tregojnë, shoh me vëmendje gjithçka, ato më ngacmojnë shpirtin dhe kështu zënë vend në vargjet e poezive të mia, apo në prozën time.
Thashë se fluturoj shpesh, këtë mundësi ma jep vendi i punës dhe mua më pëlqen fluturimi.

 Ku preferoni ti bëni pushimet?

 Por kur vjen problemi se ku dua t’i kaloj pushimet, zgjedh gjithnjë Shqipërinë, Durrësin tim. Aty ndjehem e plotë edhe pse ka problemet e veta.

 Veshja e preferuar?

Veshjen…në përgjithësi vishem praktike, me xhinse, xhakavento apo bluze, sigurisht modele femërore. Më pëlqen finesa, por më pëlqen edhe ajo shkujdesja në veshje, saqë vajza më thotë se kam mbetur edhe në veshje akoma gjimnaziste….