Bujar Qamili: Ka këngëtarë të rinj, që kur i dëgjon të vjen t’i vësh duart në kokë

907
Kam 39 vjet në skenë, nuk e kam deformuar kurrë këngën popullore “Surpriza jo e zakonshme që përloti gruan”
Ka 39 vite në skenë, dhe kurrë nuk e ka deformuar këngën popullore shqiptare. I ka kënduar Shkodrës me mish e me shpirt, ka marrë shumë çmime duke u vlerësuar si këngëtar origjinal. Ka marrë dekorime nga presidentët e Republikës, si këngëtar dhe si interpretues i këngës popullore shqiptare dhe, në veçanti, asaj shkodrane. Gjithmonë e shohim në skenë të qeshur, me këngë mjaft të pëlqyera nga publiku, dhe që merr duartrokitje pafund. Ky është Mjeshtri i madh i muzikës popullore, Bujar Qamili, që këtë verë vjen për publikun me këngën “Rrak-Tak”, një bashkëpunim me Mateus Frrokun, një këngë që në pak kohë është bërë hiti i kësaj vere. Me muzikë të Kledi Bahitit, tekst nga “Fifi” dhe produksion i “Threedots”, kënga “Rrak-Tak” ka rrëmbyer menjëherë zemrën e publikut. Në një intervistë ekskluzive Bujar Qamili tregon sekretin e jetëgjatësisë në skenë: “Kurrë nuk mund të bëhesh këngëtar i mirë dhe që të dojë populli vazhdimisht, në qoftë se nuk i ke kënduar qytetit dhe vendit tënd, prandaj dhe unë e kam ruajtur shumë veten dhe këngën”. Në këtë rrëfim të tij, Bujar Qamili thotë se vera do jetë e ngarkuar me pjesëmarrjen në Maratonën e Këngës, por që nuk harron kurrë detyrimet familjare siç janë pushimet. Bujari na tregon për një surprizë jo të zakonshme për familjen e tij, ku ka porositur një helikopter nga Tirana për në Pogradec, një surprizë që është përcjellë me sy të përlotur nga gruaja e tij.

Kënga juaj “Rrak-tak” në bashkëpunim me Mateus Frrokun, është bërë tashmë hiti i verës. E kujt ishte ideja për këtë këngë?
Një ditë më ra celulari dhe më thotë që ‘jam Mateo Frroku, kam dëshirë me ardhë në Shkodër me të taku’. Po mor, i thashë, me kënaqësi. Erdhi dhe më tha që jam Mateus, i thash të kam parë në TV, por më thuaj. Është bërë një këngë tha shumë shumë e bukur, mendja më ka shkuar direkt e tek ti, kam shumë dëshirë tha që ta këndojmë bashkë dhe unë i thashë që kanë ardhur dhe këngëtarë të tjerë për një bashkëpunim me mua, po nuk më kanë pëlqyer, kështu që i thashë, po qe se nuk është e bukur mos të të vijë keq. Jo më tha. Shkova në Tiranë dhe e dëgjova këngën me shumë vëmendje. M’u duk me të vërtetë e bukur dhe e pranova me kënaqësi, mbasi ma dërguan në versionin demo e mësova dhe pas ca ditësh hodha vokalin dhe doli shumë bukur, ndërsa sot po dëgjohet me shumë kënaqësi nga të gjithë dhe është një hit veror. Pra ideja ishte e Mateos, e njeriut që bëri muzikën Klejdi Bahiti dhe teksti FIFI.

Zoti Bujar, ju vazhdoni të jeni një nga këngëtarët popullor më të suksesshëm dhe të dashur për publikun. Cili është sekreti juaj, pse publiku e pëlqen muzikën dhe këngët tuaja?
Publiku më pëlqen për arsye se unë tash 39 vite në skenë kurrë nuk kam deformuar këngën popullore shqiptare e sidomos atë shkodrane i kam kënduar Shkodrës me mish e me shpirt kam sjell shumë e shumë çmime ne Shkodër duke u vlerësuar si një këngëtar popullor origjinal dhe duke marrë miratimin e publikut si dhe dekorimet nga presidentët e Republikës si Këngëtari i Urdhrit Naim Frashri i Artë dhe Mjeshtër i Madh që nga viti 2008 dhe këto i kam marrë si një interpretues i këngës popullore shqiptare dhe në veçanti asaj shkodrane. Kurrë nuk mund të bëhesh këngëtar i mirë dhe që të dojë populli vazhdimisht, në qoftë se nuk i ke kënduar qytetit dhe vendit tënd, prandaj dhe unë e kam ruajtur shumë veten dhe këngën.

Si do të jetë kjo verë për ju, e mbushur; me koncerte dhe angazhime apo do të jeni i përqendruar tek pushimet?
Kjo verë si gjithë të tjerat është shumë e ngarkuar, por unë kam menaxhuar veten gjithë jetën Egla. Kam disa gëzime familjare që janë detyrime dhe ka filluar Maratona e Këngës në të gjitha qytetet. Kemi qenë në Durrës, në Sarandë, në Gjirokastër do shkojmë në Vlorë, në Lushnjë, Berat, Shkodër, Lezhë, Krujë etj. Por unë nuk harroj kurrë detyrimet familjare siç janë pushimet, sepse unë vazhdimisht shkoj në Spanjë. Para pak ditësh kisha një gëzim familjar dhe i bëra familjes një surprizë jo të zakonshme, kur porosita një helikopter dhe u nisëm nga Tirana për në Pogradec, kaluam një drekë në Drilon ku na priste helikopteri dhe u kthyen në Tiranë . Ishte me të vërtetë një gjë e bukur, u kënaqëm të gjithë, se ishte një gjë e rrallë, sa që gruas i mbushën sytë me lot.

Në karrierën tuaj muzikore ndër vite, kush kanë qenë mbështetësit tuaj më të mëdhenj?
Faktikisht unë kam filluar shumë herët të këndoj. Fillimet e para i kam pas me klubin e rinisë dhe ndihmën e kam pas nga Nard Bushati si drejtues i atij institucioni. Pastaj në filarmoninë e Shtëpisë së Kulturës, pastaj me drejtues Tonin Daija, Agim Kodraliu dhe Xhavit Ujkani. Më vonë kam pasur dhe koncerte recitale në Pallatin e Punëtorit Vasil Shanto, me zotin Bedri Islami, sot gazetar dhe regjisor, Verdi Take pastaj më vonë arrita po me këtë pallat të bëj recitalet të tjera me drejtorin, njërin nga miqtë e mi më të mirë, më të nderuar, më i respektuari z Bashkim Alibali, këngëtar i shquar e festiv në radio, televizion dhe njëri nga miqtë më të mirë që kam dhe drejtues orkestre muzikantin e talentuar dhe i shkëlqyer Nazmi Lishi. Më vonë kalova në institucionin më të rëndësishëm në rreth siç ishte estrada profesioniste e Shkodrës, ku kam kënduar për 13 vjet me radhë në të gjitha premierat e estradës dhe kam bërë disa recital, ku këtu kam pas përkrahjen e padiskutueshme të muzikantit Luan Borova. Unë kam punuar edhe me muzikantë të tjerë si Agim Krajka, Ferdinand Deda, Shpetim Saraçi, Edi Balili, Ardian Hila etj. Por dy njerëz që më kanë ndihmuar të jem sot ky që jam kanë, qenë Luan Borova dhe Nazmi Lishi.

Kush ka qenë momenti juaj më i lumtur, por do të donim të dinim edhe ndonjë moment tjetër në jetë që ka qenë më i vështiri për ju?
Momente të lumtura unë kam shumë, se kam 39 vite karrierë, por një ka qenë shumë emocionues. Kur jam dekoruar, para se të dekorohen këngëtarët e tjerë kur në vitin 2008, presidenti z Bamir Topi më dha titullin “Mjeshtër i Madh” dhe jam ndier keq para se të dal në koncert recital kam bërë shamatë me gruan.

Sot në tregun muzikor, dëgjojmë këngë të ndryshme, që duket se e kanë ulur nivelin e muzikës. Cili është vlerësimi juaj, për tregun e sotëm të muzikës popullore dhe jo vetëm?
Sot është çdo gjë e lirë, kushdo mundet të këndojë një këngë dhe e nxjerr, por mos harro diçka: kushdo që të dalë, populli i njeh mirë këngëtarët e tij, i njeh mirë këngët që ata këndojnë, këngët me të cilat ata janë rritur dhe jo këngë sot për nesër. Sa do këngë e këngëtar që nuk i këndojnë qytetit të vet, të dalin ata nuk dot marrin atë respekt që Bujar Qamili me shokë kemi vënë themelet dhe sa do të mundohen kurrë në botë nuk do ta prishin atë që unë me disa kolegë të mi e kemi vënë me djersë. Sot ka këngëtarë, sidomos këngëtare të reja, që ju i dini shumë më mirë se unë se si këndojnë, me vu duart në kry, po hajde fol me to, as nuk e kam ndërmend t’i përmend me emra, se nuk është në nderin tim. Por një faj, jo gabim kanë edhe mediet qofshin ato të shkruara, qofshin edhe ata vizive që nuk kanë censurë për këto probleme. Ka gazeta e revista që për një këngëtar rrinë e shkruajë me javë të tëra, jo duke u marrë me zërin e tyre e mënyra se si këndojnë, por me pjesët e trupit-shumë gabim. Prandaj unë e kam thënë gjithmonë këtë që këto këngëtare atë që nuk e bëjnë me zë, duan ta bëjnë me gjeste të tjera dhe ky quhet, Ligji i kompensimit. 
Intervistoi: Eglantina Alliaj
Sigal