Bujar Asqeriu: “Nëpër vargjet e Lefter Çipës”, një album me poezi brilante

974
Sigal

PERSONAZH/ Flet për Gazetën Telegraf , “Mjeshtri i Madh”, Bujar Asqeriu

Nëpër vargjet e Lefter Çipës, një album disi i veçantë i Mjeshtrit të Madh Bujar Asqeriu. Një album me poezinë më të bukur të poetit popullor të Bregut, ku janë përzgjedhur 21 poezi dhe janë kënduar pesë nga këngët më të bukura të grupit të Pilurit, poezitë e të cilit historikisht i ka bërë Lefter Çipa. Një album me kolona zanore me mërmërimë nga këngëtarët më të mirë të polifonisë si Nazif Çela me shokë. Përpos tyre dhe kolonë zanore me fyell dhe Cylë nga mjeshtri i madh popullor  Vendim Kapaj, i cili ka disa çmime ndërkombëtare. Besoj se me këtë album, kam çuar në vend një premtim të dhënë dhe dëgjuesi, apo spektatori në promovim, do të njohë një poezi ndryshe, që merr vlerat e vërteta thekson Mjeshtri Asqeriu.

  Si të lindi një CD me vargjet e Lefter Çipës?

Lefter Çipën dhe grupin e Pilurit,  i kam dëgjuar dhe njohur qysh në adoleshencën time padiskutuar pastaj në rininë time, kur ata ishin në majat e interpretimit të këngës polifonike. Grupi i Pilurit dhe tekstet e Lefter Çipës mbeten unike për mua. I dëgjoja këto këngë dhe më hipte një dalldi e paparë, ku rreth meje krijohej një fushë magnetike e fuqishme nga gulçet dhe duhma e shpirtrave njerëzorë të grupit të Pilurit. Sigurisht,  shoqëruar me tekstet brilante të Lefterit, ky grup dhe këto këngë krijuan tek unë një respekt, jo vetëm dashuri, por krijuan atë që brenda meje të lulëzonte një ide që një ditë të krijoja një CD me këto këngë dhe tekste brilante. Kjo dëshirë më shoqëroi deri sot që unë e realizova një dëshirë rinore dhe jam i lumtur që realizova albumin me poezinë e Lefter Çipës pasi i kisha dhënë atij një fjalë ashtu si dhe djemve të tij. Kjo dëshirë dhe fjalë e dhënë u realizua në saj të njeriut me zemër të madhe ish- mundësit kampion, njeriut filantrop z. Muhamet Malo. Pra, kjo ditë erdhi dhe unë sot ndihem  i qetë shpirtërisht dhe dua që nëpërmjet këtij albumi ashtu si tek vetë unë këto vargje të përcjellin emocione, si vetë vargu dhe fabulat e tij interesante në këto poezi. Dua të theksoj se poezia e Lefterit ka një veçanti në tematikë, pasi ai në pjesën dërrmuese ai i këndon vendit, Shqipërisë, bukurive të saj, detit, maleve, fushave, pasurive të shumta, historisë së madhe, historisë që është treguar e padrejtë. Ai u këndon burrave dhe grave të kësaj toke që kanë sakrifikuar aq shumë për lirinë e vendit të tyre. Ai u ka kënduar njerëzve punëtorë të Bregut, djemve dhe vajzave të bukura, njerëzve  me virtyte sa dhe koha. Gjithë poezia e Lefter Çipës është një duel midis dhimbjes dhe dashurisë. Ai, në këto poezi e sulmon dhimbjen me dashuri, me krenari, me fuqi  shpirtërore të pakufishme dhe përcjell me vargjet  e tij dashuri njerëzore, optimizëm, bukuri gjerësi njerëzore dhe dashurinë e pakufishme për lirinë.

 Ju e keni dëgjuar,- siç thatë grupin e Pilurit dhe poezitë e Lefterit që në adoleshencë. Cilat nga këto këngë ju kanë ngelur në mendje?

 Ato janë disa, por unë do të veçoj “Kënga e atdheut tim”, kënga e Naimit, por “Bejke e bardhë” për mua ngelet himn, për gjetjen, figuracionin, interpretimin. Mendoj se, këto këngë do të ngelen të ngulitura në memorien e popullit tonë, si kështjella të melodisë së përkryer, si vargje mbuluar me fije ari, pasi e kanë burimin në folklorin e paçmueshëm të popullit tonë. Grupi i Pilurit me këto këngë dhe tekste është dhe do të mbetet një ndër grupet më të spikatura të polifonisë së pashoqe shqiptare.

 Kur e ke takuar për herë të parë Lefter Çipën?

Kam qenë shumë i ri kur e kam takuar. E kam takuar në Vlorën time, kur ai vinte për koncerte me grupin e Pilurit. Ai përpara teatrit me cigaren në buzë që nuk e ndante kurrë dukej në tension. Do të ishte viti 1975. Gjithmonë me kollare, që se heq kurrë (të ndryshme, ku mbizotëron e kuqja), me atë çantën nën sqetull që e ka si thesaret e Egjiptit (pasi aty mban krijimtarinë), e shihja dhe çuditesha me temperamentin e tij. Kur u prezantuam ai ishte ndryshe. I qetë, plot finesë. Biseda me të ishte plot dritë. Kështu ishte njohja ime me të. Ai kishte  një vrull dhe dinamizëm që rrallë e gjen në përditshmëri tek njerëzit. Ishte befasues. Kishte një ekspresivitet, komunikim dhe plastik krejt të veçantë. Mua më ka mbetur në kujtesë disa takime në atë moshë, kur vinte në Vlorë. Me kalimin e viteve takimet tona ishin të vazhdueshme. U bënë të zakonshme, pro bisedat e tij, vargjet e tij në kohë të caktuara ishin dhe mbeten të jashtëzakonshme. Ti në bisedë me të mund të thuash një fjali apo një varg poetik pa dashur. Ai mbi këtë fjali apo varg mund të ndërtojë një poezi të tërë. Pra ai merr spunton, merr shkëndijën pastaj shpërthen dhe ndërton botën e tij, me saktësi, me përpikëri, sa të habit. Ai është nj gurrë, është si burimi i maleve  të Bregut, që gurgullon pa reshtur, shpirti i tij është nj ndërtesë unike krijuese, emocionale, mençurore dhe krenare.

 Në këtë album sa interpretime tuajat keni dhe si është ndërtuar ky album disi i veçantë?

 Unë në këtë album kam interpretuar 21 poezi nga më të bukurat, më të zgjedhurat. Gjithë albumi zgjat një orë e 20 minuta. Në album kam futur rreth pesë këngë nga grupi i Pilurit. Këto i kam alternuar, pesë poezi një këngë deri në fund. Kjo, për t’i dhënë albumit një thyerje. Është shumë e rëndësishme të përmend këtu dhe në futjen e një kolone zanore midis poezive kam futur melodi me fyell, ku interpreton mjeshtri i fyellit dhe i Culës z.Vendim Kapaj nga Vlora. Ai ka marrë pjesë  në shumë Festivale ndërkombëtare, ku ka marrë me dhjetëra çmime. Por kam futur njëkohësisht dhe zëra magjistarësh si Nazif Çelë si dhe Hyson dhe Mehmetin nga Gjirokastra, të cilët bëjnë një mërmërimë një kolanë tjetër zanore që i shkon për shtat kësaj poezie të veçantë.

 Gjithë kolona zanore përbëhet nga?

Melodia me fyell, kolona zanore me mërmërimë, ku janë gjithsej katër artistë popullor si dhe grupi i Pilurit. Gjithë puna është ndërtuar në grup, ku këngët e Pilurit i japin temp tjetër kur poezia e interpretuar arrin kulmet e fjalëve drithëruese.

 Ky album është punuar në mënyrë regjisoriale?

Sigurisht. Regjia është pjesë e pazëvendësueshme e çdo pune artistike serioze. Edhe interpretimi poetik, pavarësisht se, duket i lehtë është rol, është interpretim artistik. Regjisori ka vendin dhe punën e tij. Ai nuk të lë të kalosh sensin e  masës kur ti je në kulmin e interpretimit dhe mendon se ke arritur gjithçka. Emocioni disa herë të mbërthen saqë mendon se çdo gjë ecën ën vaj kur na fakt mund të kalohet sens i masës. Në këtë album unë regjisor kam pasur mikun tim Naun Shundi, i cili ka dhënë ndihmesën  e tij shumë të mirë në momente të caktuara.

 Çfarë përbën në krijimtarinë tuaj ky album?

Unë mendoj se kemi të bëjmë me një produkt artistik bio, sepse e tillë është poezia  e Lefter Çipës dhe kështu është ndërtuar gjithë konstruksioni i këtij albumi. Një album që ndoshta nuk është praktikuar, por që nxjerr në dritë disa thesare që jo gjithmonë marrin vlerat e duhura. Koha këto thesare ndoshta i ka lënë në pluhurin e harresës dhe na takon neve artistëve t’i vendosim në Panteonin e lavdisë me atë shkëlqim që kanë.

Albert Z. ZHOLI