Brunilda Spiro: Atë nxënëse e kam friends në facebook

694
Ajo është vajzë e bukur ka dy sy të mëdhenj dhe flokë të drejtë dhe të gjatë. Flokët i ka me ngjyrë natyrale dhe duket që kujdeset për to, vetëm nuk më pëlqen kur i lidh mbi kokë, se nuk i shkojnë. Nuk mund t’ia them këtë, pasi sado që mundohem të jem mike me të, asnjëherë nuk e tejkaloj atë vijën që ndan dhe ekuilibron marrëdhëniet mësues-nxënës. Unë i afroj dhe përpiqem të bëhem mësuesja e dashur, por çdo herë që jam afruar shumë, ajo vija e shkelur nga unë me qëllim të mirë është kthyer në një tel me gjemba, që më dënon për arratisjen time në një tokë të huaj dhe më pas, më duhet shumë kohë të heq gjembat në shpirtin tim. Gjembat më shpojnë dhe unë i marr inat ata, nxënësit e mi. Pse, nuk jeni ndier edhe ju njësoj? Po ju prindër, a nuk jeni zemëruar një moment me fëmijët tuaj? Po ashtu njësoj, siç nuk ju mban juve zemërata, po ashtu edhe mua më fashitet shumë shpejt. Një e afërmja ime, mësuese në Amerikë, më ka thënë dikur që “kurrë mos bëj nxënës miq në rrjetin më popullor në botë, në facebook”. Por unë nuk e kam dëgjuar këtë këshillë dhe mes miqve të mi kam shumë nxënës… Disa prej tyre tashmë janë ish-nxënës dhe kam vërejtur me kënaqësi që më ndjekin dhe më bëjnë like te fotot dhe aktivitetet e mia, edhe pse kam vite që nuk i kam takuar. Kështu, një ditë në orën e letërsisë, kur kishim diskutim për dilemën e Hamletit në monologun e tij të famshëm, e pyes një nxënëse me qëllim që ta vlerësoja: – Mund të më thuash Brikena, cila është dilema e Hamletit te monologu i tij? Më shihte dhe qeshte, sikur donte të më mburrej për dhëmbët e saj të bardhë dhe vazhdonte të qeshte, ndërkohë që unë prisja të shtjellonte pyetjen që i kisha drejtuar: – Pse e keni zënë vetëm me mua, moj zyshë?! Fytyra i kishte marrë pamjen e një njeriu që i bëhet padrejtësia më e madhe. Pak nga fjalët që tha, pak nga theksimi i fjalës “moj”, pak nga fytyra e saj gati në të “qarë”, klasa shpërtheu në të qeshura me zë dhe ovacione. 

Ora e mësimit kishte pak gjasa të vazhdonte normalisht. Dilema e Hamletit në atë moment po pasqyrohej në çdo pikë të fytyrës, shpirtit dhe duarve të mia që po shtrëngonin shkumësin aq fort, sa u shkërmoq dhe u bë si miell mes gishtave të mi. Shkërmoqja e tij, i shtoi të qeshurat më shumë, jo se shkërmoqa një shkumës, por që vërtetova që shkumësat që na jepnin për të shkruar në tabelë, janë të cilësisë më të dobët, gjithë ujë. Të shkruaje me to, qe një torturë e vërtetë. Unë u tmerrova, pashë nga korridori dhe urova mos kalonte andej drejtoresha. Do më duhej të shpjegoja, çfarë po ndodhte në klasë, pasi nga zhurma jonë rrezikohej të prishej mësimi në të gjitha klasat e tjera. Kishte shumë të ngjarë që edhe kjo të ndodhte, sepse klasa nuk kishte derë. Dera qëndronte në këmbë, e mbështetur pranë murit dhe nuk kryente funksionin e saj, por dukej sikur i bënte homazhe orës së mësimit. – O Zot! – padashur kisha folur më zë. – Si do t’i bëj të pushojnë? Heshtja e menjëhershme, më çuditi. Si e trembur, i shihja të gjithë me radhë. Ata më shihnin në heshtje, por në sytë e tyre kishte diçka që nuk e kisha parë më parë. Me aq sekonda që kisha në dispozicion për t’u menduar, qe e pamundur ta kuptoja, i pyeta ashtu drejt, siç më pëlqente: – Si ka mundësi që ndaluat ashtu papritur, në gjithë atë kaos, ku njëri fliste, tjetri qeshte? – Ashtu na pëlqeu. – Pse gabim bëmë? Nuk arrita t’i përgjigjem këtij të fundit, se të mërzitur disa syresh, po e kthenin gjendjen e mëparshme. E kapa çastin shpejt, sepse ndryshe gjithçka do të shkonte më keq. – Në rregull, – mendoj se e bëtë që mos të na dëgjonte drejtoresha, në njëfarë mënyre u solidarizuat me shqetësimin tim apo më panikun që më kapi? Disa pohuan lehtë me kokë, por të shumtët nuk folën dhe për çudi, sikur i bezdiste këmbëngulja ime, për të pohuar që ndihmuan mësuesen e tyre të mos dilte keq para eprorit. Pse kjo distancë? Pse nuk duan ta pranojnë mësuesin si njeriun e tyre? Mos e kemi fajin ne? Po ne, a i mbrojmë? Këto pyetje më kërkonin përgjigje. Nxënësja e facebook-ut ishte ulur në bankë dhe përpiqej të lexonte monologun e Hamletit. 

Dilema për dilemën po e mundonte, por rëndësi ka që po përpiqej. Po kënaqesha që po mundohej, sepse më vjen keq ta pohoj, por dukej sikur qe hera e parë që po hapte librin e letërsisë për atë vit shkollor. E dhimbshme ta pohoj, se do më kryqëzojnë si mësuese të paaftë, që nuk përdor metoda interaktive, që nuk di të zotërojë klasën dhe që lë nxënës pa libra të marrin pjesë në mësim. Mua më dhemb më shumë se sa ju kjo gjendje, do ju përgjigjesha duke ju parë drejt në sy, sepse e jetoj çdo ditë dhe nuk jam fare indiferente, përkundrazi… Reformat kanë vetëm emra, tituj dhe nëntituj, por asgjë konkrete nuk ka ndryshuar. Mësuesi është lënë krejtësisht i vetëm. Ai është në dilemën e “shekullit”, nëse ankohet në drejtori apo diku më lartë e shohin si të paaftë për të menaxhuar klasën, nëse merr masa për ta përjashtuar nxënësin nga ora e mësimit, del kundra rregullores së shkollës, pasi nxënësi, për asnjë arsye, nuk duhet të përjashtohet nga ora e mësimit (!!) Atëherë mësuesi mbyll njërin sy e njërin vesh dhe vazhdon punën pa ideale, por me durim dhe duke përsosur veten si mësues, prind, psikolog dhe polic, përpiqet i vetëm të bëjë më të mirën… – Lëre dilemën e Hamletit, Brikena. Më thuaj të lutem diçka, që të kuptoj dilemën time! – Hë zyshë, – më sheh e nënqesh. – Çfarë të duash. Midis fjalëve dhe nënqeshjes, dëgjohet përtypja e çamçakëzit, ndërsa trupin nuk e mban drejt, por e përkul me një kënd të gjerë në bankë dhe hedh flokët para, që ia mbulojnë fytyrën, sytë e zgjuar dhe hundën e drejtë e të vogël. – Nëse do të thosha që dilemën e Hamletit ta gjesh në internet, do e kishe më të lehtë? – Po, zyshë e kam më të lehtë e gjej dhe e lexoj, por mos më pyet para klasës, nuk e them. – Nesër ma sill si detyrë shtëpie, të lutem! Ja vetmia, ja bunkeri në shpirtin e kësaj vajze të re. Ajo kujton se është një vajzë moderne dhe open maind, vetëm sepse përdor lirshëm teknologjinë moderne të komunikimit apo rrjetet sociale. Ajo është “ngujuar në kullën shqiptare” apo me thellë, “izoluar në bunkerin”, një mbyllje në vetvete e trashëguar në gjenet e saj nga nëna, nënës nga gjyshja, e kështu breza me radhë… 

Nuk ka më keq se vetëveçimi, se, nëse do kishim vetëm problemin e “bunkerit”, mbase do e kishim hedhur tutje izolimin, me shkatërrimin e tyre të plotë. Nuk them se janë shkatërruar të gjithë bunkerët, por koha po i mbulon pak e nga pak me pluhurin e kohës… Pak nga gjethet që bien, pak me ujët që rrjedh, në çdo cep të Shqipërisë ku kishin mbirë ata po fashiten me tokën, po gllabërohen prej nëntokës, si një mision i heshtur i saj për t’i fshehur këta çibanë të shëmtuar… Njeriu me “bunker” në shpirt nuk pranon të shoqërohet, të flasë lirshëm, të ketë besim tek të tjerët, sepse “bunkeri” në shpirtin e tij ka hedhur beton dhe është më e lehtë të shkatërrosh diçka që duket, sesa diçka kaq të keqe, që e fshehim dhe nuk ia pranojmë as vetes. Sapo hyra në klasë herës tjetër, pasi vendosa temën në regjistër dhe shënova mungesat, menjëherë thirra emrin e saj – Brikena, të lutem, mund të na prezantosh detyrën që të ngarkova herën e kaluar dhe ti me dëshirë pranove ta realizosh në shtëpi? – Uaa, zyshka! Sa me nxitim që e ka marrë?! Flokët i kishte mbledhur një topuz mbi kokë që tundej me ritmikën e çdo shkronje që shqiptonte…( Uaa, – para topuzi, – zyy – anash topuzi, – shka, – prapa topuzi). Sytë e mi rrokulliseshin si topuzi, sa në një anë në anën tjetër, sa para aq dhe prapa. Një e qeshur e vetmuar, ” hi, hi, hi”, u dëgjua nga fundi i klasës. Ne të gjithë pamë nga e qeshura dhe nuk arritëm të kthenim sytë te Brikena, e cila kishte rrëmbyer çantën e saj dhe vrapoi te banka e vajzës që qeshi. Vajza nuk arriti dot të mbrohej, se çanta i ra mbi kokë dhe shkau nga fytyra e saj e shpërfytyruar prej goditjes së beftë, poshtë e në dysheme. – Me kë qesh ti, moj idiote? Unë të mbys, unë të q… ty dhe ata që më shohin mua. Pse moj, më sheh ashtu, ti dhe disa prej jush? Unë ta tregoj qejfin ty dhe atyre që flasin pas shpinës sime. Më shihni mua dhe bëni thashetheme… idiote, debile klasike… Kisha ngrirë në vend. Gjunjët më dridheshin, por gjeta pak forcë dhe e mbaja vajzën tjetër, ndërsa dy djem mbanin Brikenën… Por sapo e lëshonin, ajo sulej përsëri. Arrita ta tërheq më në fund Brikenën dhe e shoqërova te banka e saj. Mendova se u qetësua me fjalët që përpiqesha t’i artikuloja, të përziera me pak moral dhe me ton urdhërues për ta qetësuar. Veçse, sapo ulej, kthente kokën prapa. Pastaj çohej përsëri dhe niste nga e para. – O Zot, të lutem! “Të lutem”, na vjen natyrshëm si shprehje, sa herë kemi raste të tilla ankthi apo emergjence. Nuk e harrojmë thuajse kurrë këtë shprehje lutjeje, njësoj si frymëmarrja e shpeshtuar dhe rrahjet e çmendura të zemrës. Diçka e çuditshme ndodhte në ato momente. Edhe më vonë, akoma çuditesha për faktin se si e kisha vënë re këtë gjë, në ato momente pështjellimi total. Nxënësit nuk merrnin pjesë në përpjekjet e mia për t’i ndarë apo për të ndihmuar të qetësonin situatën. Vetëm dy djem u çuan për të mbajtur atë, vajzën tjetër. Të tjerët ose nënqeshnin, ose qeshnin hapur. 

Dhe disa fytyra, që nuk i mbaja mend edhe kur përpiqesha t’i kujtoja më pas, buzëqeshnin me kënaqësi. Përpjekja ime e fundit pati sukses dhe gjithçka u qetësua, pasi nxora jashtë vajzën që po sulmohej, iu luta të dilte dhe ajo doli menjëherë, sikur atë priste që t’i kërkoja. Çudi, si nuk e mendova qysh në fillim? Ishte hera e parë që më ndodhte një situatë e tillë dhe u hutova keq. Edhe kur gjithçka u qetësua, mua më dridheshin gjunjët, nuk kisha fuqi as të flisja. U ula. Ajo më shihte dhe nuk fliste. Disa minuta më vonë më erdhi pranë dhe më kërkoi të falur. – Më fal, zyshë, që ndodhi në orën tënde. Por ajo dhe disa të tjera ma kanë sjellë në majë të hundës, me mënyrën si më shohin dhe flasin pas shpinës sime. Nuk fola.I kërkova të qetësohej dhe i thashë se do flisnim përsëri. Kjo deklaratë, në atë moment, nuk më bëri shumë përshtypje, por pasi dola nga klasa, vrapova për te zysha kujdestare e asaj klase. – Pse nuk e dije? Zysha e matematikës, që ishte dhe zysha kujdestare e klasës së Brikenës, më ngriti vetullën duke e bërë t’i dukej si pikëpyetje me bisht të gjatë, njësoj si pikëpyetjet e vajzës sime të vogël, të cilat dilnin gjithmonë nga vija e rreshtit dhe më përqeshnin: “Ha,ha ha, ne jemi të gjata sa na do qejfi dhe do të ta nxjerrim shpirtin”! Ato momente po ma merrnin vërtet shpirtin. – Pse, nuk e di që Brikena është një vajzë e vështirë dhe vjet ka goditur një mësuese? Po faktin që është nga fshati SOS, mos më thuaj që nuk e dije? – O Zot! Nuk munda ta formuloj lutjen. E mblodha disi veten me forcën e pakët që kisha dhe i ktheva një përgjigje dashakeqëse: – Pse ma ke thënë ti këtë gjë dhe unë nuk e mbakam mend? (Pauzë). Më në fund, dikush hutohet prej meje. Mora frymë, u lehtësova pak dhe vazhdova ta pyes zyshën për hollësitë. Kur u ndava nga ajo, shkallët e korridorit, duke pasur kujdes t’i ngjit një nga një, sikur më lehtësuan mendimet. Gjithë ditën gjykoja veten pse dhe si nuk kisha ditur që ajo vajzë ishte jetime. Nuk mundem ta harroj dhimbjen që shprehnin sytë e saj, të cilën përpiqej ta fshihte me tonin dhe fjalët e ulëta. Dilema e saj sfidonte dilemën e Hamletit. Sigurisht, nuk qe çështja “Të rrosh apo të mos rrosh”?! 

Por të jetosh vetëm dhe të sfidosh edhe të tjerët! Kjo ngjarje më kishte dhënë një mësim për tërë jetën. Unë jam nga Jugu i Shqipërisë dhe mburrem që nuk i njoh “kullat apo frëngjitë e ngujimit”, veçse kisha harruar që ne nga Jugu kemi më shumë bunkerë, si për të barazuar raportin mes tyre dhe të kullave e frëngjive, në Veri të vendit. Më duhet mua të parës të heq “bunkerin” brenda shpirtit tim. Por me kë të mund ta bëj këtë përpjekje? Nuk dua të jem kaq vetëm, se faktikisht nuk jam vetëm unë kështu… E mendova gjatë dhe e gjeta. T’i bëj apel Kryeministrit, që e besova aq shumë kur bashkëbisedonte me ne mësuesit, në fillim të mandatit të tij, dhe t’i them: Duket sikur keni vendosur një mur mes Jush dhe mësuesve. Sikur gjithë fajin e mangësive në arsimin e vendit e kanë mësuesit. Çuditërisht, nuk dëgjojmë asnjëherë një kritikë për organet e tjera kompetente mbi ne. Nëse i bëni reformat me seriozitet dhe me dëshirën e mirë për të ecur në rrugën e duhur, Ju lutem bëjini, pa krijuar vetëm zhurmë dhe urrejtje ndaj mësuesit. Ky i fundit, i sulmuar në këtë mënyrë, do humbasë krejtësisht respektin e nxënësit, të cilët e dëgjojnë këtë “luftë shtrigash”dhe i gjykojnë situatat shpesh jo mirë dhe jo saktë. Nuk mundem t’i bëj ata me faj, janë adoleshentë dhe të gjithë e dimë që në këtë periudhë ata mund të urrejnë edhe prindërit e tyre, jo më mësuesin që shpesh u duket sikur është “armiku” i tyre. Po, po, këtë u them nxënësve të mi: “Mos na shihni si armiqtë tuaj, ne jemi në anën tuaj”!
Një e qeshur e vetmuar, ” hi,hi,hi”, u dëgjua nga fundi i klasës. Ne të gjithë pamë nga e qeshura dhe nuk arritëm të kthenim sytë te Brikena, e cila kishte rrëmbyer çantën e saj dhe vrapoi te banka e vajzës që qeshi. Vajza nuk arriti dot të mbrohej, se çanta i ra mbi kokë dhe shkau nga fytyra e saj e shpërfytyruar prej goditjes së beftë, poshtë e në dysheme
Sigal