Brikelda Syla dhe Arlinda Morava: “E duam më shumë Shqipërinë”, tregoi artin e vërtetë shqiptar

692
Sigal

Flasin Brikelda Syla  dhe Arlinda Morava: Një koncert madhështor i artisteve shqiptare në zemër të Anglisë

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër, në kuadër të veprimtarive të saj për Diplomacinë Kulturore dhe promovimin e vlerave të vendit tonë, organizoi me datën 16 dhjetor 2013, koncertin e  madh të artistëve shqiptarë

 Titullimi i këtij koncerti me këtë emër kishte si qëllim t’i sillte audiencës jo vetëm notat muzikore të interpretuara me virtuozitet nga artistët shqiptar, por edhe ta nxiste atë të merrte shënim se Shqipëria është një vend europian dhe që ka tërë potencialin, bukurinë, sharmin dhe aftësinë e njerëzve të saj për të qenë e tillë.

Koncerti u zhvillua, në sallën Amaryllis Fleming Concert Hall të Kolegjit Mbretëror të Muzikës në Londër. Ai u ndoq nga një audiencë e gjerë prej më se 400 spektatorësh, ku kishte ambasadorë, diplomatë, lordë, parlamentarë, profesorë universitetesh, muzikologë, anëtarë të Shoqatës Anglo – Shqiptare, biznesmenë, dashamirës anglezë të muzikës, bashkatdhetarë me banim në Britaninë e Madhe etj..

Në qendër të koncertit ishte emri dhe frymëzimi i artistes tashmë me famë botërore Ermonela Jaho ndërsa programi i saj u plotësua me zërin e sopranos tjetër shqiptare e ardhur enkas në Londër nga Bukureshti, Arlinda Morava, shoqëruar në piano nga Maestro Petrescu dhe violoniçelistja Klara Bregu, me tingujt e violinës së Alda Dizdarit dhe meloditë e mrekullueshme të luajtura nga Alb – Trio e Londrës e drejtuar nga pianistja Mariela Cingo. Shfaqja u përshkrua nga një ritëm i lartë, plot emocione dhe u ndoq me interes të jashtëzakonshëm. Në mënyrë të veçantë u mirëpritën ariet e operave, si ajo e Puçinit “O mio babbino caro” nga opera “Gianni Schicchi”, “Manon” nga Opera me të njëjtën titull e Jules Massenet, interpretuar nga Ermonela Jaho, pastaj këngët shqiptare, “Moj e bukura Morenë”, “Perëndeshë e bukurisë” kënduar nga Arlinda Morava. Alb – Trioja London luajti Mendelssohn ndërsa muzika e bukur e Limos Dizdarit u interpretua nga e bija e tij, violinistja e njohur Alda Dizdari. Koncerti arriti kulmin me “Sempre Libera” nga “Traviata” e Verdit interpretuar nga Diva shqiptare dhe u mbyll në mënyrë madhështore me këngën “Të duam më shumë Shqipërinë” ekzekutuar nga të gjithë artistët. Hapjen e koncertit e bëri prezantuesja Kristale Rama, një vajzë amerikane me prindër shqiptarë nga Ulqini, e cila recitoi vargje të Bajronit për shqiptaret.

   Intervista/  Flet sopranoja Arlinda Morava: Këngëtaret shqiptare ndriçuan skenën londineze

 Në Londër me koncertin “E duam më shumë Shqipërinë” treguam artin shqiptar!

  Ditët e fundit të dhjetorit 2013, ju keni qenë e ftuar në një koncert në Angli, cili ishte qëllimi i këtij koncerti?

 Kam qenë e ftuar në një koncert që kishte për qëllim promovimin e kulturës dhe të disa artistëve shqiptarë me famë nëpër botë. Koncerti u zhvillua me devizën NOTES OF ALBANIA dhe u organizua në një nga sallat koncertale më prestigjioze të Londrës “Royal collage of music…”.

 Çfarë interpretove në këtë koncert?

 Në këtë koncert unë interpretova muzikë shqiptare tradicionale të përpunuar në manjer Operistike dhe e shoqëruar në Piano nga maestro Aleksandre Popesku dhe violonçelista Klara Bregu…Disa nga pjesët që unë interpretova (5 pjesë) ndër të cilat “Moj e bukura Moren”, “Zare trandafile” “Kur më vjen burri nga stani”, “Perëndeshë e bukurisë”, “Me lule t’bukura”…Kurse në fund, së bashku me sopranon Ermonela Jaho dhe të gjithë instrumentistët shqiptarë e mbyllëm me pjesën “E duam më shumë Shqipërinë”, e cila pati një efekt të jashtëzakonshëm tek publiku londinez, i cili vlerësoi me duartrokitje të zgjatura pjesët që unë interpretova si dhe interpretimet e artistëve të tjerë shqiptarë… Sukses pati sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho.

 Kush e organizoi këtë koncert?

Koncerti u organizua me iniciativën e Shkëlqesisë së Tij, z. Mal Berisha, Ambasadori i Shqipërisë në Londër.

 Kush mori pjesë në këtë koncert?

Në këtë koncert morën pjesë, ambasadori i Shqipërisë z.Mal Berisha, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Londër, Lord anglezë, parlamentarë, muzikologë, personalitete të kulturës vendase, biznesmen, përfaqësues të shoqatave anglo-shqiptare, dashamirës të artit dhe të kulturës. Publiku ishte elitar dhe përmes duartrokitjeve të zjarrta dhe urimeve të shumta pas koncertit, kuptuam vlerësimin e publikut ndaj artistëve shqiptarë si dhe befasinë dhe impaktin që krijoi arti shqiptar tek ky publik…Ky eveniment u pasqyrua me vlerësime maksimale në mediat vendase…

 Brikelda Syla -violonçeliste

 Koncerti u zhvillua nën kujdesin e Ambasadës Shqiptare në Britaninë e madhe dhe veçanërisht ambasadorit z. Mal Betrsha. Morën pjesë 2 këngëtaret lirike Ermonela Jaho dhe Arlinda Morava, violinistja Alda Dizdari, instrumentistët e Alb Trio, Eljon Vejsiu violinist, Brikelda Syla violonçeliste dhe Mariela Cingo pianiste. Gjithashtu, pjesë e koncertit ishin dhe instrumentistet shqiptare dhe të huaja Klara Bregu, Tom Blach pianist, Christian Alexander Petrescu pianist. Sopranoja e mirënjohur Ermonela Jaho këndoi Puçinin “O mio banbino” dhe Massenet “La gavotte Manon”.

Alb Trio (Brikelda Syla, Eljon Vejsiu dhe Mariela Cingo) performojnë rregullisht në Londër, të shoqëruar nga instrumentistë shqiptarë të diplomuar në Londër. Bashkë me ‘ta luajti Mendelson piano trio nr 1. Violinistja Alda Dizdari luajti pjesë për violinë nga Limoz Dizdari dhe Sarasate “Gypsy air”. Këngëtarja Arlinda Morava, violonçelistja Klara Bregu dhe pianisti Christian Alexander Petrescu luajtën këngë klasike shqiptare. Koncerti u mbyll me këngën “Duam më shumë Shqipërinë”, e cila u interpretua nga të gjithë artistët pjesëmarrës në koncert. Në koncert ishte audience e gjerë me pjesëmarrjen e trupit diplomatik të akredituar në Londër, lordë dhe deputetë nga Parlamenti anglez, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme britanike si dhe të ftuar nga pushteti vendor dhe nga bashkësia shqiptare britanike.